Anxhela Tato
Rrëfimi i biznesmenit Ilir Karçini: Nuk e njoh dhe as e kam takuar kurrë Julian Sinanajn, akuza sajesë”
Biznesmeni i gazit, nën pranga nga policia, pohon se 3-4 raste Bare i ka bllokuar shkarkimin e naftës
Biznesmeni Karçini përballet me dëshminë e vrasësit Julisn Sinanaj, duke kundërshtuar çdo fjali të saj. Para oficerëve të policisë gjyqësore Ilir Karçini ka mohuar që të ketë njohje me vrasësin Sinanaj, ndërsa ka pohuar problemet e tij me Piro Baren. Ai ka saktësuar se ka pasur disa herë konflikte me biznesmenin Bare, por çdo gjë e ka zgjidhur në rrugë ligjore. Ilir Karçini ka shpjeguar se në katër raste biznesmeni Piro Bare nuk e ka lejuar të përdorë Porto Romanon për shkarkimin e depozitave me gaz, duke i shkaktuar humbje të mëdha financiare. I arrestuari Karçini ka sqaruar se ishin vetë katër raste që kanë krijuar konfliktit mes të dyve, por për gjetjen e një zgjidhjeje biznesmeni ka përdorur rrugën ligjore. “Është e vërtetë që unë kam pasur konflikte me Piro Baren, por vetëm çështje biznesi. Janë në total 3-4 raste kur Piro Bare më ka bllokuar duke mos më lejuar që të shkarkoja depozitat me gaz. Por unë kam e kam zgjidhur këtë problem në rrugë ligjore. Unë nuk jam autori i kësaj tentative dhe kjo është shpifje. Akuza është e pavërtetë dhe unë nuk i njoh fare se kush janë Julian Sinanaj dhe Neritan Gjokona”, – pjesë nga dëshmia e Ilir Karçinit para oficerëve të policisë. Ndërsa sot pritet që i arrestuari të dalë para gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë dhe akuzën e ngritur nga prokuroria. E vetmja provë momentale në duart e akuzës është dëshmia e të penduarit Julian Sinanaj, i cili rrëfen se porositësi ishte Andon Mëhillaj. Ai ka treguar se pagesa për këtë krim do të ishte 120 mijë euro dhe krimi do të realizohej me 25 janar në zonën e liqenit. Gjithashtu prokuroria ka arritur të gjejë edhe transaksionin financiar prej 120 mijë eurosh duke i thelluar dyshimet se pas kësaj porosie fshihet Ilir Karçini.
Akuza
Ilir Karçini rrezikon dënimin deri në 5 vjet heqje lirie, pasi në ngarkim të tij është ngritur akuza “sigurimi i mjeteve për kryerjen e veprës penale”. “Më datë 01.02.2014, ora 11.30, në rrugën “Mendar Shtylla” në Tiranë, u bë e mundur kapja e personit në kërkim Ilir Nisit Karçini, vjeç 44, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Ky shtetas ishte është shpallur në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda me datë dt.01.02.2014, për ekzekutimin e vendimit penal Nr.52, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e cila ka dhënë caktimin e masës së sigurimit “Arrest burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasje”, parashikuar nga neni 80 i K.Penal”, – thuhet në njoftimin për shtyp të bluve. Ndonëse dyshohet se Karçini ishte i gatshëm që të paguante 120 mijë euro për të hequr qafe rivalin e tij, personin që i hapte probleme me depozitat e gazit. Nga të dhënat paraprake dyshohet se mes Karçinit dhe Bares ka pasur një konflikt të vjetër, pasi ky i fundit nuk lejonte shkarkimin e anijeve me gaz në Porto Romano. Si rezultat i bllokimit të anijeve me gaz në Porto Romana, Karçini humbte në një ditë 14 mijë dollar, ndërkohë që në 12 ditë Karçini ka humbur 140 mijë dollarë, kjo si rezultat i qerasë së anijes cisternë, dhe detyrimeve të tjera financiare. Këto humbje kanë ndodhur në gushtin e 2011, ndërkohë që në 25 gusht të po këtij viti kompania e Ilir Karçinit, ka bërë ankesë tek Autoriteti i Konkurrencës, dhe se ky i fundit ka marrë masën e përkohshme duke detyruar “Porto Romano” SHA të bëjë të mundur përpunimin e anijes me GLN të sjellë nga ndërmarrja “Prima Gas Albania” SHA në mënyrë të menjëhershme dhe jo me vonë se 5 (pesë) ditë nga njoftimi i këtij vendimi.
Prokuroria
Kundër deklaratës për shtyp, iu dha mundësia porositësve të largoheshin
Nën hetim për dekonspirim dy efektivë policie të Rinasit dhe Vlorës
Dy oficerë polici nën hetim nga prokuroria si personat përgjegjës që dekonspiruan operacionin duke ndihmuar në arratisjen e kushërinjve Mëhillaj. Por ka dyshime se edhe persona të tjerë janë të përfshirë në skemën e dekonspirimit. Nga ana tjetër mposhte se vetë prokuroria kërkoi që të evitohej në çdo lloj forme dhënia e detajeve mediatike pas arrestimit të Julian Sinanajt. Por ky mospëlqim nuk gjeti zbatim nga blutë, të cilët e injoruan. Mosprezenca e prokurorëve të çështjes në krah të drejtorit të policisë nënkupton edhe mospëlqimin e dhënë nga organi i akuzës për konferencën për shtyp. Objekt i hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme është edhe vetë rrjedhja e informacionit për mediat. Presioni në rritje i opinionit publik për gjendjen e përkeqësuar të sigurisë shtyu Ministrinë e Brendshme të thërriste mediat në një deklaratë publike. Kamerave iu la koha e mjaftueshme që të filmonin provat materiale dhe publikimi për mediat i kartës së identitetit të Julian Sinanaj përbën vepër penale. Mungesa e prokurorëve të çështjes në krah të policisë dëshmon se grupi hetimor ishte kundër konferencës për shtyp dhe publikimit të të dhënave sekrete për marketing. Në një kohë që dëshmia e Julian Sinanajt ende nuk ishte e plotë, rreziku se ndërmjetësit apo porositësit e vrasjeve do të largoheshin nga Shqipëria ishte konstant. Policia i kishte dëmtuar më herët hetimet, pikërisht pak orë pasi u krye arrestimi i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, kur emri i tij u publikua në media. Kërkesa e Prokurorisë është injoruar dhe pas mburrjes publike për super operacionin, forcat e rendit mundën të arrestonin vetëm sekserin Marion Mitro, ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria përmes Rinasit. Dy anëtarët e tjerë të grupit, Genis dhe Andon Mëhillaj, arritën që t’i shpëtonin prangave. Sipas Prokurorisë, rrjedhja e informacionit dhe dëmtimi i operacionit ka rrezikuar dhe vazhdon të rrezikojë jetën e personave të përfshirë në këtë çështje.
Reagime
Arben Ristani: Policia e implikuar në rrjetet kriminale
Deputeti demokrat, Arben Ristani denoncon lidhjet mes zyrtarëve të Policisë së Durrësit, dhe të arrestuarit si i dyshuar për porositjen e vrasjes së biznesmenit Pirro Bare. Në një konferencë nga selia e PD-së, Ristani tha se ekzistojnë fakte të reja që implikojnë Policinë e Shtetit në rrjetin kriminal, të cilësuar si banda e tritolit. “Fakte të reja e tronditëse, të bëra prezent sot në media, po e nxjerrin Policinë e Shtetit të implikuar në serialin e krimeve të rënda që kanë ndodhur kohët e fundit. Shefi i komisariatit të Durrësit, rezulton se për 8 vite, ka qenë shoferi i biznesmenit të arrestuar si i dyshuar për porositje të vrasjes së rivalit të tij. Drejtori i Policisë i qarkut të Durrësit, është mik i ngushtë i po këtij biznesmeni. Tani të gjithë e dimë, se anëtari i bandës së vrasjeve me pagesë, tentoi të bënte denoncim në Policinë e Durrësit për krimet e kryera dhe krimet që do të kryheshin. Policia e Durrësit, nuk e mori parasysh denoncimin e tij, dhe anëtari i bandës që bëri të mundur zbardhjen e rrjetit kriminal që vriste me pagesë, u detyrua të vinte në Tiranë e të shkonte në redaksitë e medias. Sot, është e qartë se anëtari i bandës që vendosi të bashkëpunonte me policinë, ishte në rregull mendërisht, por në rregull nuk paskan qenë dy drejtuesit e Policisë së Durrësit, të dy të lidhur ngushtë me biznesmenin e dyshuar si porositës i vrasjeve. Këto fakte të tmerrshme, që pasojnë gjithë të tjerat që kemi denoncuar përditë, janë arsyeja përse Partia Demokratike është e shqetësuar dhe ngre çdo ditë zërin, për situatën e krimit dhe pasigurinë e krijuar në vend”, – deklaroi Ristani.
Ministria e Brendshme
“Opozita e frikësuar nga rezultatet e Policisë së Shtetit”
Rezultatet e Policisë së Shtetit, sipas Ministrisë së Brendshme, po shkaktojnë frikë e pakënaqësi te opozita. “Ata që deri dje dështuan ta luftonin krimin, sot po ankohen se Policia është rikthyer në krye të detyrës dhe po lufton për rikthimin e shtetit ligjor. Rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e akteve kriminale kanë aq domethënëse sa duket se kanë shkaktuar frikë e pakënaqësi jo vetëm te kriminelët, por edhe te ata që me paaftësinë, korrupsionin dhe inkriminimin e tyre i krijuan terrenin e favorshëm krimit të shtrinte metastazat e tij ngado. Prej dy ditësh, përfaqësues të lartë të opozitës janë duke u përpjekur të përbaltin punën e Policisë së Shtetit. Mashtrimet, shpifjet dhe vreri i opozitës vijnë pikërisht në momentin kur policia po tregon se është në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e papërlyer dhe e pandikuar nga tendencat korruptive. Shembulli më i qartë i kësaj qasje të re të Policisë së Shtetit është aksioni për zbulimin e një grupi me lidhje kriminale nga më të rrezikshmet, ku po arrestohen persona që deri dje dukeshin të paprekshëm nga ligji. PD ka zgjedhur të bëjë politikë me krimin, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin. Politika e PD frymëzon krimin, lufta jonë po e zmbraps përditë krimin. Përpjekja e dëshpëruar e PD kundër Policisë së Shtetit është e destinuar të dështojë, njësoj siç po dështon kundërveprimi i krimit ndaj aksionit energjik e të vendosur të Policisë”.




