Po ligjëroni terrorin dhe dhunën shtetërore’/ Blushi: Shkelni Kushtetutën, dhunoni të rinjtë dhe kërkoni t’i survejoni

Po ligjëroni terrorin dhe dhunën shtetërore’/ Blushi: Shkelni Kushtetutën, dhunoni të rinjtë dhe kërkoni t’i survejoni

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza ndaj mazhorancës gjatë mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Ligjore, duke deklaruar se nisma ligjore e qeverisë shkel një sërë nenesh të Kushtetutës dhe synon të ligjërojë terrorin dhe dhunën shtetërore.

Blushi akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë dhe ndalime të paligjshme ndaj studentëve dhe gjimnazistëve, duke u shprehur se të rinjtë merren nga rruga, dërgohen në komisariate dhe dhunohen fizikisht.

Pjesë nga fjala e tij:

Ju i keni dhunuar në mënyrën më flagrante, me shkopinj gome, me gaz, me dhunë.

Gjithashtu, neni 15, që ju e shkelni, organet e Kushtetutës gjithmonë, organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet t’i respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ky ligj shkel nenin 18 të Kushtetutës. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkak edhe të bindjeve politike, çka ju po e bëni me këtë. Ky akt gjithashtu shkel nenin 24 të Kushtetutës, pika 3.

Askush nuk mund të ndalohet dhe as të detyrohet të marrë pjesë në një bashkësi dhe të bëjë publike bindjet e tij dhe të dhunohet për shkak të bindjeve të tij. Ky akt shkel nenin 25 të Kushtetutës. Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit, trajtimit jonjerëzor, çnjerëzor dhe poshtërues. Ky është neni 25 i Kushtetutës.

Se normal, ju më pyesni mua, ndërkohë që duhet ta kishit lexuar ju Kushtetutën, ndërkohë duhet të ishte e kundërta, duhet të mbanim ne shënime, por kjo pyetje konfirmon edhe një herë se sa në përputhje me Kushtetutën është ky akt.

Pra, një zëvendësministër që s’ka lexuar Kushtetutën dhe që pyet komisionin, duhet ta dinte përmendësh, por keni ardhur të lexoni atë që ju kanë thënë. Por, në fakt, mirë që e bëni këtë pyetje për t’u treguar gjithë shqiptarëve nivelin dhe seriozitetin e kësaj nisme, që nuk është asgjë tjetër veçse një ligjërim i terrorit dhe dhunës shtetërore.

Ky akt shkel nenin 27 të Kushtetutës, pika 1. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në raste dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj, çka është shkelur. Një nen i cili dhunohet çdo ditë nga ata banditë me uniformë të paidentifikuar të Policisë së Shtetit. Ky akt shkel gjithashtu nenin 28 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kushdo të cilit i hiqet liria ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që e kupton për shkaqet e kësaj mase, si dhe akuzën që i bëhet. Mjafton të shihni denoncimet e studentëve e gjimnazistëve, të cilët rrëmbehen në rrugë, futen në komisariate dhe dalin prej aty o me sy të nxirë, o me kafka të thyera.

I njëjti nen i Kushtetutës i detyron që personi të cilit i hiqet liria duhet të njoftohet që nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin. Është pikërisht edhe ky nen që ka detyruar sot gjykatat që të gjitha arrestimet tuaja t’i shpallin të paligjshme, ose pjesën dërrmuese të tyre. Ky akt shkel gjithashtu nenin 32 të Kushtetutës. Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes apo familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij.

Çfarë ndodhi dy ditë më parë në Spitalin e Traumës në Tiranë? Punonjës pa uniformë të Policisë së Shtetit kishin marrë peng Enean, që tani është kthyer në simbol të dhunës, dhe e detyronin të ndryshonte dëshminë e tij, duke kërcënuar edhe anëtarët e familjes. Ky akt shkel gjithashtu nenin 46 të Kushtetutës. Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara. Ju me këtë akt kërkoni të survejoni llogaritë në rrjete sociale të gjithë të rinjve, përfshirë emailet. Keni filluar të kontrolloni telefonat.

Share it :