Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kthejë në Gjykatë të Lartë dosjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke ia lënë ‘topin’ në dorë Sokol Sadushit për lirimin ose jo të Erion Veliajt.
Mësohet se vendimi për të kthyer dosjen për rigjykim u mor 5 me 3 dhe u bazua në vendimin e Kolegjit të Bashkuar dhe të Opinion të Komisionit të Venecias.
“Në aspektin procedural, u shqyrtua pretendimi për të drejtën e mbrojtjes për kohë të pamjaftueshme për t’u njohur me dosjen, Gjykata konstatoi se nuk ka cenim”,thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të shpallur antikushtetuese masën e parë të “arrestit në burg”, të vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025 masë arresti që u konfirmua më vonë edhe nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë.
Në seancën e 20 majit në Gjykatën Kushtetuese kryebashkiaku i izoluar prej shkurtit 2025 pretendoi se i është cenuar liria individuale dhe se, duke qenë kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është e dyfishtë pasi nuk mund të ushtrojë detyrën.
Po sipas tij, masa nuk është proporcionale, gjykatat e tre shkallëve nuk kanë analizuar ai duhet kriteret e vendosjes së masës së sigurimit dhe se i janë cenuar të drejtat e një procesi të rregullt ligjor.
Përkundër këtij qëndrimi, SPAK pretendon në Kushtetuese se gjykatat më të ulëta kanë vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe se masa është proporcionale.
Sipas Strukturës së Posaçme, duke qenë në detyrë, Veliaj mund të ndikojë tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë. Për SPAK, vendimet gjyqësore ndaj masës së sigurisë së Veliajt, janë konform Konventës së të Drejtave të Njeriut dhe të Kushtetutës.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të.
Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.





