Pensionisti në foltoren e PD-së: Qeveria grabitëse po shkatërron pensionistët dhe ekonominë shqiptare
Në foltoren e PD-së, pensionisti Bedri Gjoni u shpreh se situata e pensionistëve shqiptarë është dramatike dhe e papërballueshme, duke denoncuar pensionin “qesharak” që nuk lejon një jetë normale.
Ai akuzoi qeverinë për vjedhje të taksave dhe premtime të pambajtura, duke theksuar se çmimet dhe pagat sot janë më të ulëta se në 2013.
Gjoni bëri krahasime me pensionet e emigrantëve në Francë dhe SHBA, ku njerëzit marrin shumëfish më shumë pa pasur nevojë të punojnë atje. Ai theksoi se pensionistët shqiptarë mbulojnë vetëm 29% të kostos së jetesës, duke qenë më të varfrit në Evropë.
Pensionisti kërkoi reforma në shëndetësi dhe kompensim për ata që detyrohen të shkojnë në spitalet private. Ai përfundoi me thirrjen që pensionistët të protestojnë dhe të mos votojnë për qeverinë aktuale që, sipas tij, “nuk la gjë pa grabitur në Shqipëri”.
Pjesë nga deklarata:
Unë jam një pensionist me 48 vite pune. Nga këto, 25 vite i kam në Policinë e Shtetit. Sot, trajtohem me një pension qesharak, i cili nuk na mundëson të bëjmë një jetë normale siç duhet.
Të gjitha këto vijnë sepse te ne nuk rriten as pagat, as pensionet, sepse taksat e shqiptarëve vidhen nga qeveritarët, nga hajdutët që na drejtojnë tani 13 vjet me radhë. Në fakt, na u rrit pensioni një herë, nga kryemashtruesi, i cili tha se pensionet do të rriten me naftën e Shpiragut. E në fakt, kjo është një tallje që na bëhet vazhdimisht. Disa herë ka premtuar se do të rriten pensionet, do të rriten taksat, por në fakt sot marrim pensione dhe paga më të vogla se në 2013-ën.
Sepse janë rritur çmimet, janë rritur taksat dhe të gjitha këto taksa i marrin qeveritarët dhe hajdutët e tyre, të cilët janë pasuruar dhe nuk dinë realitetin ku jetojnë njerëzit sot në Shqipëri. Në 2005-ën, kryeministri Sali Berisha i dyfishoi rrogat dhe pensionet. Ka 13 vite që ky mashtrues vetëm rrit taksat, rrit çmimin e naftës, rriten çmimet e produkteve të shportës dhe asnjëherë nuk merret për të parë hallet e qytetarëve, të shtresave në nevojë dhe të pensionistëve. Pse nuk e heq TVSH-në për çmim, për mallrat e shportës? Çfarë e pengon? Ku i çon taksat që i mbledh?
Është buxheti i shtetit më i madhi qysh se ’90-ën. Askush nuk jep llogari ku shkojnë këto taksa që mblidhen. Por ne e dimë ku shkojnë. E dinë të gjithë qytetarët. Sado që të flasin, ata japin statistika të rreme; fakti është ndryshe, realiteti është krejt ndryshe. Po ju marr dy shembuj të thjeshtë. Të gjithë ne kemi njerëz tanë që kanë emigruar jashtë shtetit, për halle, për nevoja, për një jetë më të mirë. Kam një njeri timin në Francë. Në moshën 60 vjeçare ka marrë azilin në Francë. 63 vjeç, kur ka mbushur në Francë, pa punuar asnjë ditë, i kanë lidhur pensionin 1100 euro. Pa asnjë ditë punë. Plus benefite të tjera që i merr për shtëpinë falas, për ujin e paguar, për energjinë e paguar dhe të gjitha të tjerat që i jep shteti francez.
Kam një njeri tjetër që ka shkuar 60 vjeç në Amerikë, pasi ka punuar 40 vjet në Shqipëri. Edhe intelektual, edhe me të ardhura të mira. Ka punuar 10 vjet në Amerikë dhe i ka dalë pensioni katër herë më i madh se i ka dalë në Shqipëri për 40 vite punë. Prandaj ikin njerëzit, prandaj boshatiset Shqipëria, prandaj nuk ka të ardhme këtu dhe njerëzit janë bërë pesimistë.
Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në Evropë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, me të ardhurat që marrin pensionistët, mbulojnë vetëm 29% të kostos së jetesës. Pra, është një statistikë e tmerrshme. Në Evropë, pensionet jo vetëm që mbulojnë kostën e jetesës, por edhe ju teprojnë. S’kemi nevojë, shifni turistët që vijnë në Shqipëri. Të gjithë janë pensionistë. Grupe pensionistash që vijnë, bëjnë pushime dhe edhe kthehen. Ne nuk jemi të zotë të bëjmë pushime vjetore në Shqipëri, sepse nuk na dalin pensionet, po edhe rrogat që i kanë shumica nuk bëjnë dot pushime.
Po jap disa të dhëna të pensioneve të rajonit tonë. Ndoshta po mërziteni për statistika, po Greqia, pensionin mesatar e ka 840-845 euro. Kroacia 620-700 euro. Sllovenia 700-1000 euro. Mali i Zi e ka 500-700 euro, pensionin mesatar. Kosova, që është shtet 15 vjet, e ka më të lartë se ne pensionin mesatar, 220-320 euro. Shqipëria ka në zonën urbane pensionin mesatar 175-200 euro, kurse në zonat rurale e ka 110-120 euro. A mund të jetohet me këtë pension?
Po marrim pensionin e punonjësve të policisë. Greqia ka për policët e thjeshtë, jo oficerët, 900-1400 euro. Kroacia e ka 700-1000 euro. Mali i Zi e ka 600-800 euro. Kurse oficerët mesatarë, te ne në Shqipëri e kemi 350-500 euro; polici i thjeshtë dhe oficeri me gradë mesatare 500-800 euro.
Ose një statistikë tjetër, se mos u mërziteni: në përqindje, si mbulohen kostoja e jetesës te pensionet në rajonin tonë dhe krahasuar me ne. Sllovenia mbulon 90-110% të kostos së jetesës me pensione. Kroacia 75-90%. Mali i Zi 65-80%. Serbia 55-75%. Kosova e mbulon 30-50%, kurse Shqipëria 29%, maksimumi 40%. Pra, këto janë të tmerrshme për të ardhurat që kemi ne.
Doktor, edhe një kërkesë kisha, se kemi besim te ti, që shumë shpejt do vish kryeministri i Shqipërisë. Duhet të përcaktohet për shërbimin mjekësor falas, se na e ka bërë ky zotëria falas. Kemi shpëtuar fare, s’kemi nevojë, vetëm paraqitemi atje dhe e kemi të kryer. Duhet të përcaktohet një çmim për kostot që duhet të trajtohet një i sëmurë në spitalet e shtetit. Dhe aty ku nuk gjendet në spitalet e shtetit për t’u mjekuar dhe shkon në spitalet private, shteti duhet t’ia kompensojë diferencën e shërbimit që kryen në spitalet private. Këtë kisha.
Dhe i bëj thirrje gjithë pensionistëve që të protestojnë, protestojnë, protestojnë dhe mos t’ia japin votën hajdutëve dhe pushtetarëve që nuk lanë gjë pa grabit Shqipërinë.




