Florenc Drizari
Ish-zv.ministri i Brendshëm, Ristani: Manipulimi orkestrohet nga ministri, i cili është edhe kryeredaktori i buletineve të policisë
Opozita kritikon qeverinë për manipulime në shifrat e kriminalitetit në vend. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani, filozofia e qeverisë dhe e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj situatës së kriminalitetit është se “po nuk doli në media, nuk ka ndodhur”.
Me këtë orientim, ministri i Brendshëm, sipas deputetit të opozitës, po synon të manipulojë të dhënat e të dhënave me anë të një mekanizmi të mirorganizuar, “që nis me mosregjistrimin e ngjarjeve në terren, dhe më tej akoma me përpjekjen për të ndikuar tek mediet në mosraportimin e lajmeve të kronikës së zezë”.
Duke iu referuar shifrave zyrtare të publikuara në muajin dhjetor, deputeti Ristani deklaroi se kanë ndodhur dy ngjarje të rënda në Tiranë, për të cilat nuk është raportuar nga policia. “Një vendosje tritoli në një biznes në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe një grabitje me armë në zonën e Yzberishtit, të dyja këto ngjarje që nuk janë pasqyruar në buletinet e policisë, ndërkohë informacioni nuk i është dhënë as medies. Gazetarët e kronikës së zezë të gazetave dhe televizioneve po kalojnë periudhën më të vështirë të punës së tyre, pasi deviza e ministrit dhe e qeverisë është të mos konfirmohet informacioni, të mos flitet me mediet, në mënyrë që lajmet të mos botohen. Ka edhe me keq, gazetarëve, sidomos në rrethe, u bëhet presion nga shefat e komisariateve që të mos publikojnë ngjarje të caktuara”, – tha Ristani.
Gjatë një deklarate publike që bëri një ditë më parë, deputeti i opozitës u shpreh se fshehja e krimeve ka pasoja shumë të rënda publike. Ristani tha se qytetarët e dëmtuar ndihen të tradhtuar, kur shohin se ngjarja e rëndë ndaj tyre mbahet sekret. Sipas tij, vetë ministri i Brendshëm, Tahiri, ka ndikuar për manipulimet e shifrave të kriminalitetit.
“Krimi vetëstimulohet edhe më shumë, duke qenë se nuk bëhet publik aktiviteti i tij.
I gjithë mekanizmi i manipulimit të të dhënave orkestrohet nga ministri vetë, i cili është edhe kryeredaktori i buletineve të policisë, në kundërshtim me ligjin. Kjo përpjekje nuk e rrit aspak sigurinë publike dhe nuk e ul kriminalitetin. Në dy ditët e fundit kemi 5 të vrarë. Përplasje me armë e grabitje kudo, më të fundit në Vlorë, në Korçë, në Durrës, ku agresorët kanë pasur edhe makinë me alarm policie”, – deklaroi Ristani.
Deputeti i opozitës vijoi akuzat në drejtim të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, duke thënë se kohët e fundit janë shtuar grabitjet me maska dhe profesionistët e policisë janë zëvendësuar me militantë partie. “Pasiguria e qytetarëve është rritur, – tha Ristani, – sepse ministri i Brendshëm bën shfaqje mediatike dhe në vend të përgjegjësisë, ushtron trukimin e të dhënave”.
Ish-zv.ministri i Brendshëm Ristani foli edhe për çështjen e gjobave të Policisë Rrugore. Ai tha se kohët e fundit gjobat dhe arbitrariteti i policisë ndaj qytetarëve është shtuar.
“Qarkullon një urdhër në radhët e uniformave blu në Tiranë se duhen të vënë çdo ditë 1000 gjoba. Nuk ka rëndësi se sa shkelje ka, si dhe ku lëvizin qytetarët me automjetet e tyre. Qeverisë i duhen 1000 gjoba në ditë. Ky është urdhër. Bravo çuna! Hakmerruni pa ligj e pa rregulla, por deri kur do mund ta bëni këtë?”, – përfundon deklarata e ish-zv.ministrit të Brendshëm, Arben Ristani.
Analiza e policisë, Tahiri: Në dhjetor vrasjet janë ulur me 55%
Pak ditë më parë, Ministria e Brendshme bëri një analizë të aksidenteve me pasojë vdekjen, por edhe të situatës së kriminalitetit për muajin dhjetor 2013 krahasuar me muajin dhjetor 2012. Sipas Tahirit, bashkëpunimi ka dhënë rezultatet e pritshme. Ministri deklaroi se krahasuar me muajin dhjetor 2012 për vitin 2013 treguesit në luftën kundër krimit janë 55% më të lartë sa u përket veprave penale dhe 60% më i lartë për sa u përket personave të proceduar. Treguesi për trafiqet e paligjshme është 167% më i lartë për veprat dhe 168% për autorët. Për sa i përket krimit ekonomik dhe korrupsionit treguesit janë 142% më shumë për sa u përket veprave penale dhe 160% për sa i përket personave të proceduar. Krimet kundër personit janë ulur me 55% në muajin dhjetor 2013. Ndërkohë, është rritur me 29% kapja e personave që kanë kryer këto krime”, – deklaroi ministri.
Statusi, Islami: Refuzimi erdhi si test ndaj qeverisë dhe Ramës
Refuzimi i statusit të vendit kandidat nga pesë vende të Bashkimit Evropian, sipas deputetit të opozitës Kastriot Islami, u bë për të testuar qëndrimet e Kryeministrit Rama në lidhje me integrimin. Sipas z. Islami, kreu i PS-së, Edi Rama, kur ishte në opozitë, ka qenë bllokues i proceseve të integrimit të Shqipërisë dhe me ardhjen e tij në pushtet, vendet anëtare kërkojnë testimin e politikave të mazhorancës.
Islami thotë se qëndrimet e Gjermanisë, Francës, Anglisë, Danimarkës dhe Holandës ishin të qarta, ndonëse komisioneri Fyle, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kishin sugjeruar se Shqipëria “formalisht” i kishte realizuar detyrat.
“Me sa duket, qeveritë e vendeve kryesore të BE-së, që ndjekin me vëmendje e seriozitet prej kohësh zhvillimet politike në Shqipëri kanë gjykuar se mazhoranca aktuale duhet testuar tani që është në drejtimin e vendit, meqë Rama në opozitë kishte qenë qartësisht bllokues i marrjes së statusit për dy herë radhazi. Kryesisht kërkohet progres i qartë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në çështjen e administratës publike dhe në forcimin e drejtësisë. Për çështjen e korrupsionit, kërkohen arritje konkrete, të besueshme, institucionale, larg spektakleve apo gjuetisë së shtrigave me synime politike… duke testuar njëkohësisht edhe sistemin e drejtësisë dhe ndërhyrjen e politikës në drejtësi…
Koherenca kohore e sjelljeve të Kryeministrit aktual, dikur në krye të Bashkisë së Tiranës apo në opozitë dhe aktualisht në drejtimin e vendit, lidhur me çështjen e korrupsionit e të krimit të organizuar do të jenë në kolimatorin e vendeve të BE-së, konkretisht indikatorët përkatës për këto çështje do të vëzhgohen e analizohen me rezolucion shumë të lartë, prej nga do të varet edhe fati i marrjes së statusit të vendit kandidat në qershor 2014”, – ka shkruar në profilin e tij në internet, në “Facebook”, deputeti i opozitës, Kastriot Islami.
Bogdani: As Naimi e Samiu nuk kishin drita, e pse duhet të kemi ne
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ironizoi dje situatën e furnizimit me energji elektrike në disa zona të Shqipërisë, duke e krahasuar vendin me kohën e rilindasve, të vëllezërve Frashëri. Me anë të një komenti në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, deputeti Bogdani shkruan: “Koha për Rilindje!!!… as Naimi e Samiu nuk kishin drita, e pse duhet te kemi ne, sikur të ishte shekulli 21!!!”. Reagimi i deputetit të Partisë Demokratike duket se vjen pas disa shqetësimeve të ngritura në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, por edhe nga situata e djeshme kur në disa zona të Tiranës, janë konstatuar shkëputje me disa orë të energjisë elektrike. Situata me furnizimin e energjisë elektrike në vend ka “përplasur” edhe herë të tjera përfaqësuesit e opozitës me ata të qeverisë. Më herët, deputeti Bogdani ka kundërshtuar ashpër paketën e re fiskale të qeverisë si dhe projektbuxhetin e shtetit për këtë vit. Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë pritet t’i fillojë punimet në javën e katërt të janarit, deputetët e opozitës shpeshherë kanë shfrytëzuar rrjetet sociale si dhe mediat për të shfaqur qëndrimet e tyre politike në raport me vendimet e qeverisë.




