Jetmir Olldashi
“Dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit, kolegëve e shokëve të tij”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar në Spitalin e Traumës dy efektivët e policisë, të plagosur në Lazarat. Lideri i opozitës u ka uruar të plagosurve, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj, shërim të shpejtë sikundër ka shprehur hidhërimin për efektivin e policisë së RENEA-s, Ibrahim Basha, i cili humbi jetën dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij. “Në orët e para të mëngjesit kemi ndjekur nga raportimet e mediave zhvillimet në Lazarat, si rezultat i së cilave ka humbur jetën një efektiv i forcave speciale të policisë RENEA, Ibrahim Basha, një efektiv i ri në moshë dhe i ri në repartin e RENEA-s, një humbje për të cilën dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit, kolegëve e shokëve të tij. Jemi thellësisht të shokuar nga kjo humbje. Vizituam dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj të cilët janë me plagë të lehta fatmirësisht dhe jashtë rrezikut. U uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve”. Lideri i selisë blu ka shprehur trishtimin e tij për sulmin ndaj policisë. Ai ka atakuar deklaratën e papërgjegjshme sipas tij të Kryeministrit Rama. Basha ka kërkuar informacion për ngjarjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës për çështjen. “Kemi kërkuar që në orët e para, minutat e para kur ngjarja është bërë publike nga mediat, nga policia të marrë të gjithë masat, për të mos pasur cenimin e jetëve të efektivëve të Policisë së Shtetit dhe popullsisë civile. Kemi kërkuar që autorët të ndalen me forcën e ligjit, kemi kërkuar atë që mungonte deri tani, transparencën për çfarë ndodhi e çfarë po ndodh. Një fakt shqetësues që sapo morëm vesh nga dy të shtruarit është që i gjithë grupi i efektivëve që është goditur nga kriminelët ka qenë në skenën e operacionit me një automjet të papërshtatshëm. Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu, por një analizë e plotë dhe e gjithanshme për humbjen e jetës, plagosjen e vënien në rrezik të efektivëve të policisë por ajo duhet bërë patjetër me objektivitet, pa politizim”. Zoti Basha gjeti rastin të sulmonte deklaratat e kreut të selisë rozë. “Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, Kryeministri i vendit, njeriu që duhet të marrë përgjegjësi të bëjë transparencë për këtë ngjarje, gjeti rastin ta përdorë këtu tek dera e spitalit për të bërë politikë e për të sulmuar opozitën, me një frymë. Është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike që unë e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti kriminal të goditjes së efektivëve të Policisë së Shtetit. Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë, jemi e do të jemi gjithmonë në krahun e çdo efektivi të Policisë së Shtetit në detyrë dhe në zbatim të ligjit. Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh mbrojtjen e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit, jetëve të popullsisë civile, nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencën që mungon në këtë çast, ndaj është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike e me motive të errëta”, – përfundoi deklaratën e tij kryetari demokrat Lulzim Basha.
Berisha: Një akt kriminal i shëmtuar në Lazarat!
Ish-kryeministri Sali Berisha dënon vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit në përplasjen me armë të ndodhur në Lazarat. Nëpërmjet një postimi ish-lideri i selisë blu e ka quajtur një krim të shëmtuar ngjarjen dhe ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e sinqerta familjarëve. “Duke denuar ashper kete krim te shemtuar, shpreh ngushellimet me te thella familjes te efektivit te Policise, te ndjerit Ibrahim Basha dhe ju uroj sherim te shpejt e te plote dy punonjesve te plagosur te Policise. Me kete rast u bej thirrje organeve te zbatimit te ligjit te identifikojne, vendosin e ndeshkojne me forcen e ligjit autoret e ketij krimi te shemtuar! sb”, – ka përfunduar postimin e tij ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, për ngjarjen e rëndë në Lazarat, ku humbi jetën një efektiv i RENEA-s.
Bejko: Policia të tregojë transparencë dhe maturi
Kryetari i degës lokale të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko, ka bërë një deklaratë të shkurtër lidhur me ngjarjen e ndodhur në Lazarat. Pas raportimeve të shumta në media lidhur me deklarata të kreut të PD-së në qytetin e gurtë zoti Bejko është shprehur si më poshtë: “E vetmja gjë që mund të deklaroj në këto çaste është dhimbja e madhe që ndiej për humbjen e policit të vrarë z. Ibrahim Basha në mënyrë tragjike në Lazarat. Zoti u dhëntë forcë familjarëve për të përballuar dhimbjen e madhe për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur. Jam shumë i lumtur që dy efektivët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Kjo është ngjarje shumë e rëndë ! Banorët e Lazaratit ta ruajnë qetësinë, mediat të mos implikojnë në këtë ngjarje të rëndë këdo që është banor i atij fshati”. Kryetari i degës lokale të PD-së i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të reagojë me qetësi dhe të mos tejkalojë përdorimin e forcës mbi banorët e Lazaratit: “Lipset që Policia e Shtetit ta administrojë me maturi e transparencë ngjarjen e atyshme”.
Ambasada Amerikane ngushëllon familjen e efektivit të vrarë
Ambasada Amerikane i ka shprehur ngushëllimet e saj familjes së efektivit Ibrahim Basha, duke reaguar për ngjarjen e ndodhur në Lazarat. Gjithashtu, Ambasada e SHBA-së mbështet përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të dënohen me fuqinë e ligjit. “I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha – anëtar i Forcave Speciale Shqiptare, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan – i cili u vra në Lazarat sot. Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u plagosën në krye të detyrës. Ambasada e SHBA mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, – deklaron Ambasada e SHBA-së.




