Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Mat, aty ku kandidonte për kreun e Bashkisë kandidatja e mazhorancës, Adelina Farici, si dhe kandidati i opozitës Nezir Rizvani, me këtë të fundit të përcaktuar fitues.
Megjithatë, pas procesit të numërimit, kandidatja e ASHE-së Farici ka kërkuar pezullimin e procesit të nxjerrjes së rezultatit, duke shtuar në kërkesën e saj edhe ankimimin për 5 kuti votimi, të cilat i argumenton si të parregullta. Farici ka premtuar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore deri në fund për të mësuar edhe zyrtarisht fituesin e postit të kryebashkiakut të Matit, nga një garë që kur kishte mbetur edhe vetëm 1 QV për t’u numëruar, i shihte kandidatët rivalë me vetëm 29 vota diferencë në favor të Adelina Faricit. Rezultatin e ka përmbysur pikërisht numërimi i qendrës së fundit të votimit, që i përkiste njësisë administrative të Bazës.
Ndërkaq në garën për bashkinë e Lushnjes u shpall fitues kandidati i majtë Fatos Tushe përballë kandidatit të opozitës Darien Xhindoli. Tushe i cili u rizgjodh me 25026 vota kundrejt 22912 të kandidatit të opozitës në bashkinë e Lushnjes, shënoi edhe një tjetër arritje. Për herë të parë në 25 vite, asnjë kryetar bashkie në këtë bashki nuk ka mundur të fitojë dy herë radhazi, edhe pse ka pasur disa kryebashkiakë që kanë rikandiduar.




