Partia Demokratike ka akuzuar ministrin Arben Ahmetaj për abuzim, duke theksuar se ky është një rast i paprecedentë. Deputeti Sherefedin Shehu deklaroi se abuzimi i Ahmetajt është unik, i pa ndeshur më parë as nga krerët e shtetit dhe jo më nga ministrat. Veç kësaj ai tha se Arben Ahmetaj e ka pranuar se ka bërë dhjetëra fluturime çarter, me avionë të vënë ekskluzivisht në dispozicion për të.
Deklarata e plotë
Arben Ahmetaj pranoi dje se ka bërë dhjetëra fluturime çarter, avionë të vënë ekskluzivisht në dispozicion për të. Kështu, rasti i Arben Ahmetajt është një rast i paprecedent ku një ministër shqiptar bën udhëtime të tilla të dyshimta, në fshehtësi, me luks marramendës.
Ky abuzim i Ahmetajt është unik, i pahasur më parë as për krerët e shtetit dhe jo më për ministra. Një fluturim çarter kushton të paktën 40 mijë euro, dhe me shëtitjet e tij prej sheiku, Ahmetaj ka shpenzuar qindra mijë euro. Ky është një rast flagrant abuzimi dhe korrupsioni, dhe Arben Ahmetaj e ka për detyrë të tregojë ku ka shkuar, për çfarë, dhe kush ia ka paguar udhëtimet. Cili koncesion është dhënë, ose cila pasuri e vendit është falur pas këtyre fluturimeve çarter të Ahmetajt.
A kanë lidhje këto çartera me landfillin e Elbasanit, me aferën Skavica apo me koncesionin e TVSH-së? Ky është model dhe korrupsion i përmasave të republikave të dështuara afrikane. Arben Ahmetaj i zhytur në disa skandale përpara fluturimeve me çarter, duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë, dhe nuk duhet lejuar që të marrë një detyrë të re të rëndësishme si ajo e ministrit të Financave.
Asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë ministër të Financave një hajdut të këtyre përmasave, prandaj kërkohet që më pare ai duhet të japë llogari për pazaret e tij.
Emërimi i tij si Ministër i Financave është një sulm, një ofensivë e re, më e babëzitura që Edi Rama ka shpallur ndaj financave publike për t’i zhvatur me një dorë akoma më të rëndë se ajo e Canit. Emërimi i Arben Ahmetajt është reduktimi brutal, pa doreza, i qeverisjes në një punë të vetme: të bëjnë para.
Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re, më e zeza, që Edi Rama u shpall zgjedhjeve të lira, sepse kërkon t’i vendosë që tani në rrethimin e parave të pista. Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re që Edi Rama i shpall opozitës, Partisë Demokratike dhe gjithë shqiptarëve.




