Granit Zela
(vijon nga dje)
Ky konkurs, shumëçka nuk e ka bërë mirë, por veç një gjë e ka kryer me një përsosmëri të hatashme, ai ka ndihmuar qysh prej krijimit si i tillë, për lëvrimin e eseistikes letrare, duke ofruar lëndë të parë të jashtëzakonshme me elementet e farsës që ka mbartur në rrugëtimin e vet sizifian drejt rrokullimës. Pos kësaj, vetë këto shkrime bëjnë një “skaner” të “sëmundjeve” që e kapën këtë konkurs, sëmundje që më pas u kthyen në një lëngatë që edhe i solli fundin e padëshirueshëm
Pas publikimit të autorëve kandidatë për “Çmimet Kombëtare Letrare 2012” shkrimtari Kim Mehmeti iu kundërvu këtij shkrimi se Ministria e Kulturës stimulon copëzimin e letërsisë shqiptare, pasi “juria e Ministrisë së Kulturës në Tiranë ka publikuar listën e veprave të autorëve shqiptarë, të botuara në vitin 2012 vetëm brenda Shqipërisë, e që do të konkurrojnë për “Pendën e Argjendtë”. Ja pra, Ministria që do të duhet t’i integrojë vlerat tona kulturore në ato mbarë evropianet, e investon dhe e stimulon copëzimin e letërsisë shqiptare!?” Duke i bërë jehonë një fakti trishtues që Tufa e kishte shprehur qysh në 2003, gjë që herë u mor parasysh e herë u la në harresë, çka dëften se nuk pati “ndreqje gabimesh”.
Në mediet e shkruara shprehu kontestimet e tij kundër mënyrës së organizimit të këtij konkursi edhe shkrimtari Pandeli Koçi, duke i konsideruar ato si çmime letrare që shpërndahen mbi baza miqësie dhe klanore dhe për mungesën në jurinë që ndanë çmimet të një specialisti për letërsinë për fëmijë. Shkrimtari Viktor Canosinaj (fitues në vitin 1996) shprehu shqetësimin për mosleximin nga ana e anëtarëve të jurisë të veprave të reja. Ai, njësoj si Spahiu para dhjetë vjetësh, kishte pyetur anëtarët e jurisë se a e kishin lexuar ata romanin e tij përfshirë në konkurrim dhe anëtarët e jurisë, sikurse juria e para një dekade, i kishte thënë se nuk e kishte lexuar, madje kësohere kryetari i jurisë e kishte garantuar se jo vetëm nuk e kishte lexuar romanin, por as nuk e dinte fare se ky roman ishte në konkurrim, duke e betonizuar kësisoj klimën e mosbesimit ndaj këtyre çmimeve.
Po në vitin 2013, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, bash në ditën që pritej të jepeshin nga Ministria e Kulturës “Pendat e argjendta” shprehej në median e shkruar se çmimet letrare e kanë humbur vlerën që duhet të kishin, kjo pasi “nuk mund të jenë në jurinë shtetërore autorë apo botues apo përkthyes, sepse pavarësisht që ata mund të mos konkurrojnë me tituj të tyre, kanë interesa që i lidhin lehtazi me subjekte botuese apo autorë etj. Në lidhje me njoftimin nga Ministria e Kulturës, thuhej ndër të tjera se juria është këshilluar me botues, me panairin e librit… Ai shprehet se me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë nuk ka kontaktuar askush nga Ministria e Kulturës, as me Panairin e Librit (nënkuptoj me organizatorët) dhe nuk mund të di me cilin nga botuesit. Mendoj se duhet të jetë një nga lapsuset e atyre që kanë hartuar njoftimin”.
Shkrimtari Kujtim Dashi, një nga polemizuesit pas dhënies së çmimeve të vitit 2003, në mbrojtje të këtij konkursi bashkë me drejtorin e drejtorisë së librit në atë kohë, pas dhjetë vjetësh, ka ndërruar mendim dhe në dhjetor 2013 deklaroi se duhej një “moratorium për mosndarjen e Çmimeve Kombëtare Letrare”, pasi ato ishin shndërruar tashmë në një përrallë të përvitshme të listës së kandidaturave për këto çmime. “E marrim të mirëqenë sikur është ngritur juria në mars të këtij viti, u shpreh shkrimtari Dashi, në 2003, ish-nëpunës i kësaj ministrie. Në prill, poeti e shkrimtari Visar Zhiti bëhet ministër. Minimalisht duhet të jepte dorëheqjen nga juria.
Me sa jam në dijeni, në historinë 15-vjeçare të akordimit të këtyre çmimeve është rasti i parë që një ministër të jetë edhe kryetar. Shqetësimi i shkrimtarit vjen për faktin që s’ka ndryshuar asgjë, në krahasim me vitet e tjera, ku dhe pse nuk kanë munguar kritika e vërejtje, që më pas janë mbyllur mjeshtërisht”, – shprehet shkrimtari Dashi.
Pos kësaj, juria e çmimeve letrare 2013, kishte si anëtare të re të jurisë, shkrimtaren e nderuar Flutura Açka. Fenomeni i denoncimit të këtij konkursi dhe më pas bërja pjesë e tij, nuk është se gjen te shkrimtarja Açka shembullin e saj më tipik, por vetë kjo shkrimtare në vitin 2007, në një intervistë për një gazetë kulturore shprehej se “çmimet në Shqipëri janë për vajmedet, njëra dorë lan tjetrën. Më vër këtë vit anëtar jurie të jap çmim, këtë vit unë ty, anasjelltas vitin tjetër. Shpesh çmime politike. Duhet të jesh e një krahu, duhet të jesh e një klani. Juritë janë të dyshimta dhe nga njerëz jo autoritarë. Më e keqja nuk lexojnë as veprat” (shkurt 2007). Meqenëse kishte pasur “përvoja të shëmtuara” me konkurrimet kombëtare, kritikja, shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka shprehet edhe në vitin 2012, pas zvarritjes për disa muaj të dhënies së çmimeve kombëtare në shkrimin e një të përditshme se “vonesat në mbledhjen e jurisë janë të lidhura me kulturës e “punës së kryer” së gjyqtarëve, të cilët takohen në momentin e fundit për t’i rezervuar çmimet për miqtë e tyre. “Nëse e shikojmë me kujdes, do të shohim se personat e njëjtë që një vit ishin në juri, vitin e ardhshëm fitojnë çmime. Njëra dorë pastron tjetrën – dhe të dyja njollosin fytyrën e letërsisë shqiptare”, – u shpreh ajo. Por, pas kësaj vonese, pasi ia “kishte nxjerrë leskrat” këtij konkursi, shkrimtarja u bë vetë anëtare e jurisë së ngritur nga ministria, sikurse kishin bërë aradha e madhe e shkrimtarëve para saj.
Por risia e vitit 2013, ishte epilogu më në fund i një zhvlerësimi të vazhdueshëm dhe të trishtë të çmimeve letrare të fundvitit, gjë që u shpall nga ministrja e Kulturës, dikur vetë anëtare e jurisë së çmimeve letrare e cila deklaroi se vitin tjetër, nuk do të ketë kaq shumë çmime. Ky kumtim publik, ishte le të themi “epitafi” që ky fenomen, zhvlerësimi i çmimeve letrare të fundvitit mori dhe vetëm ministrja u duk sikur deshi të thoshte, “epo mjaft më me “ceremoni të thjeshta, mjaft!, Shqipëri nuk i ka kapacitetet për të mbajtur në supe “barrën” e një grotesku të tillë! Dhe bash këtu qëndron edhe ironia e fundit e kortezhit të ceremonive zyrtare të këtij çmimi, thuajse të gjithë protagonistët e tij, personalitete të letrave të cilët kanë qenë anëtarë të jurisë së këtij konkursi, kanë qenë fitues të çmimeve të këtij konkursi, apo, në fillim kanë qenë denoncues të tij, më pas fitues, ose në fillim fitues e më pas diskreditues ose i kanë pasur të dyja, hem denoncues, hem fitues dhe hem rrënues të mëpasshëm të tij, e kanë denoncuar si një ceremoni-farsë.
Dhe lista e shkrimtarëve që janë shprehur kundër mënyrës së papranueshme të organizimit të këtij konkursi nuk është shteruese dhe nuk mbaron këtu.
Kurorat letrare të shpërndara përgjatë më shumë se një dekade, tashti ngjajnë trishtueshëm si dafina të thara të një konkursi që është kritikuar më së paku në vite nga dhjetëra shkrimtarë, me shkrimet eseistike të të cilëve do të krijohej me të vërtetë një antologji e eseistikes shqiptare të fillimshekullit, antologji e frymëzuar nga grotesku i këtij konkursi, çmim që domosdo do t’u kushtohej protagonistëve të tyre me motivacion “Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk të konkursit letrar kombëtar”. Kjo, sepse krijuesit dhe rrënuesit e këtij konkursi ndër vite nuk kuptuan kurrë një gjë fare të thjeshtë, më shumë se emrat dhe veprat letrare që shquan një konkurs letrar, është procesi ai që ka rëndësi. Procesi i konkurrimit duhet me qenë i besueshëm që nuk ka ndodhur, duhet me qenë transparent, çfarë nuk ka ndodhur, duhet mos me qenë pjesë e klaneve dhe tarafeve, çka nuk ka ndodh, dhe nuk duhet të ketë dyshime për të gjithë procesin e konkurrimit dhe as për mënyrën e funksionimit të tij, gjë që është hedhur poshtë prej vetë protagonistëve të këtyre konkurseve, çka e ka rrënuar katërcipërisht këtë konkurs duke e kthyer në një farsë mediatike.
Veprat fituese të konkurseve letrare kombëtare, megjithëse nuk kanë qenë kombëtare, duhej më së paku të ishin përkthyer në një gjuhë të rëndësishme të huaj me nismë të kësaj ministrie, në mos të gjitha të paktën disa prej tyre. Kjo sa për t’u krahasuar me konkurset e përvitshme të këngës në RTSH, për shembull, ku kënga fituese matet me këngët e tjetra fituese në nivel evropian, çka është edhe një tregues i jetëgjatësisë së një krijimi artistik. Autorët fitues debutues do të duhej të ishin mbështetur për ta zhvilluar talentin e tyre krijues, pse jo me bursa studimi apo mënyra të tjera, për të mos i lënë në harresë, dhe për të mos i përdorur si alibi se talentet u mbështetën dhe politikat kulturore i shërbyen së ardhmes.
Veprat fituese duhej më së paku të ishin futur automatikisht në listën e leximeve që sugjeron Ministria e Arsimit për brezat që ndjekin shkollat e mesme, si një mënyrë për të lënë një shenjë në ndërgjegjen e kohës dhe në ndërgjegjen e këtyre brezave të rinj, në shijen e tyre estetike, gjë që nuk ka ndodhur dhe le ta pranojmë, të gjithë fituesit e pendave të arta apo të argjendta, nuk njihen nga të rinjtë e sotëm më shumë se sa njihet një këngëtare e zakonshme si Tuna dhe “zogu” i saj legjendar. Kjo edhe për faktin se për këngën zhvillohen tri konkurse bujëmëdha dhe me ndikim të pamasë tek publiku, në “TVSH”, “TV Klan” dhe “Top Channel”, kurse konkurset letrare e kanë jetën të shkurtër dhe ndikimin të papërfillshëm.
Por tani, pasi ministrja e kulturës i tha “jo” konkurseve letrare groteske, dhe të shtetëzuara si në kohën e komunizmit, duhet para së gjithash që të shteret burimi i “kuçedrës” që po e helmon letërsinë dhe gjuhën shqipe. Dhe kjo e keqe e ka “burimin” tek panairi i përvitshëm i librit, ku e nderuara Ministre mund të ketë parë fare mirë se si në emër të librit, kësaj mrekullie të njerëzimit, një grup i konsiderueshëm shtëpisë botuese (në dukje) s’janë gjë tjetër veçse një çetë hajdutësh që vjedhin libra të letërsisë botërore dhe shqipe në mënyrë të paligjshme dhe arrogante dhe më pas, bëjnë krimin e dyfishtë, pa pasur askurrfarë personeli me përkthyes, korrektorë letrarë, recensues, redaktorë gjuhësorë etj, japin kontributin e tyre në rrënimin e gjithë sistemit të komunikimit shkrimtar/përkthyes, studiues-botues-lexues, duke masakruar gjuhën shqipe dhe e duke e shprishur shijen estetike të brezave të tanishëm dhe të mëpasëm. Pra, zonja ministre, mbyllini ju lutem të gjitha shtypshkronjat-shtëpi botuese dhe shtëpitë sabotuese që nuk kanë as standardin minimal të cilësisë.
Duhet pasur parasysh që gjendja e procesit letrar në Shqipëri sot, njëzetë vjet pas shkëputja nga diktati i partisë-shtet është shumë i ngjashëm me procesin letrar në SHBA në shekullin e tetëmbëdhjetë, kohë kur shkrimtarët në SHBA nuk paguheshin mirë dhe deri në vitin 1825 shkrimtarët duhej të paguanin vetë për botimin e veprës së tyre, andaj dhe botimi ishte një pasion i të kamurve, sepse të talentuarit e të skamurit nuk e përballonin dot “luksin” e një botimi, ndërkohë që në Shqipëri shkrimtarët jo vetëm që nuk paguhen, por duhet të paguajnë. Në Amerikën e shekullit XIX, kishte shumë probleme në lidhje me botimin klandestin dhe piratesk të librave, gjë që i shkurajonte dhe i izolonte autorët, gjë që ndodh edhe në Shqipërinë e fillimshekullit XXI, dhe që u proklamua edhe në panairin e sivjetshëm të librit ku të gjithë thanë se pirateria po e vret librin e askush nuk tha se si do të ndalohej kjo vrasje. E meqë duhen pastruar “hauret e avgjisë”, le të kthehet procesi letrar më së paku në gjendjen që ishte para dy shekujsh në SHBA dhe le të kthehet gjendja e revistave dhe gazetave letrare në gjendjen e Shqipërisë së viteve 1930, pra në gjendjen e para një shekulli dhe kjo do të jetë një arritje menjëmend e madhe.




