Pas Zvërnecit, dora e pushtetit edhe mbi Aeroportin e Vlorës

Pas Zvërnecit, dora e pushtetit edhe mbi Aeroportin e Vlorës

Pasi fitoi në Gjykatën e Lartë dhe sërish mbeti jashtë kantierit, MABCO po kërkon që SPAK të hetojë nëse Aeroporti i Vlorës është kthyer në një rast të kapjes së drejtësisë

Çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se ansambli i projekteve të mëdha në gjirin e Vlorës, nga ishulli i Sazanit te Zvërneci dhe deri te Aeroporti i Vlorës është një territor ku përplasen interesa të mëdha ekonomike nën hijen e kontrollit të fortë të pushtetit politik.

Por ndërsa Zvërneci është shndërruar në kryefjalë të protestave, një tjetër rast ku grushti i pushtetit po shtrëngohet është ai i Aeroportit të Vlorës.

Kompania MABCO Constructions SA e biznesmenit Behgjet Pacolli, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA është përjashtuar sërish nga kontrolli i kantierit, edhe pse vetëm pak ditë më parë kishte fituar betejën në Gjykatën e Lartë.

Absurdi qëndron në faktin se vendimi që rrëzon Gjykatën e Lartë është dhënë nga një gjykatëse e Shkallës së Parë, Miranda Naka e cila tashmë ka përfunduar në SPAK.

Historia e marrjes së aeroportit, thotë MABCO, po shpaloset tanimë si një operacion i udhëhequr nga “grupet e strukturuara kriminale dhe klanet që veprojnë në kundërshtim me ligjin”.

Përmbysja e vendimit të Gjykatës së Lartë për aeroportin

Në datën 26 Maj, Gjykata e Lartë, instanca më e lartë gjyqësore në vend, i riktheu MABCO-s të drejtat e votës si ortake mazhoritare. Vendimi i hapte rrugë kompanisë së Pacollit që të ndryshonte administratorin e emëruar nga ortaku minoritar Valon Ademi, i cili zotëron vetëm 2% të kuotave.

Por vetëm 24 orë përpara mbledhjes së ortakëve, kur pritej ndryshimi i administratorit, në një nga sallat e Gjykatës së Shkallës së Parë, pa u thirrur palët në proces, gjyqtarja Miranda Naka, mori vendimin që e bllokoi sërish procesin dhe zhbëri efektet praktike të Gjykatës së Lartë.

Në deklaratën që shpërndau për mediat, MABCO shprehet se gjyqtarja ka lëshuar një vendim “kontradiktor, të pakuptimtë dhe në kundërshtim të hapur me dispozitivin e Gjykatës së Lartë”, duke cenuar të drejtën ligjore dhe kushtetuese të ortakut mazhoritar për të emëruar administratorin dhe për të zhbllokuar hyrjen në kantier.

Pikërisht për këtë arsye, kompania ka kallëzuar në SPAK gjyqtaren Miranda Naka, si dhe çdo person tjetër që, sipas saj, me veprime ose mosveprime pengon zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe zhbllokimin e kantierit.

Të gjitha proceset gjyqësore të çojnë në SPAK

Nëse në Shqipëri ka ende kuptim hierarkia gjyqësore, këto zhvillime duhet të alarmojnë SPAK-un, pasi sinjalet e kapjes së gjyqësorit nga interesa okulte janë kudo. Tanimë konflikti ka shkuar përtej përplasjesh mes dy ortakësh.

Fuqia për të neutralizuar një vendim të Gjykatës së Lartë, me një vendim të Shkallës së Parë, në momentin më kritik shkon përtej Valon Ademit, një biznesmen nga Kosova, që po përdoret për të bllokuar investimin prej dhjetëra miliona eurosh.

Çështja tani ka dalë nga kufijtë e konfliktit tregtar dhe është në territorin e drejtësisë penale. Nëse një vendim i Gjykatës së Lartë mund të mbetet pa efekt nga një vendim i beftë i Shkallës së Parë, në fokus është korrupsioni dhe ndikimi i paligjshëm te gjyqtarët.

MABCO pretendon se kjo është pjesë e një skeme më të gjerë. Në deklaratë thuhet se “rreshtimi i disa gjyqtarëve, i MIE-s dhe i organeve të tjera shtetërore nuk mund të trajtohet më si rastësi”. Sipas kompanisë, këto veprime dhe mosveprime “krijojnë dyshime serioze për koordinim në përpjekje për zhveshjen e MABCO-s nga investimi dhe të drejtat e saj ligjore në Aeroportin e Vlorës”.

Ky nuk është episodi i parë kur në rastin e aeroportit të Vlorës rrëzohet hierarkia e gjyqësorit. E njëjta skemë është përsëritur edhe në fund të vitit të kaluar, kur MABCO sapo kishte marrë të drejtën për të kontrolluar aeroportin nga një vendim i Gjykatës së Apelit, por 24 orë më vonë, ende pa u tharë boja mbi letrën e vendimit, erdhi vendimi tjetër ti Shkallës së Parë që bllokoi efektet e Apelit.

Tani historia përsëritet në një nivel edhe më të rëndë. Këtë herë nuk po bllokohet Apeli, por një vendim i Gjykatës së Lartë. Të dyja ngjarjet, si përmbysje të hierarkisë gjyqësore të çojnë drejt një mesazhi: që kemi të bëjmë me një drejtësi të marrë peng.

Kur aksioneri me 98% të kuotave fiton në Gjykatën e Lartë dhe prapë nuk hyn dot në kantier, kur administrimi mbetet te ortaku me 2%, kur policia përmendet si pjesë e bllokimit fizik të hyrjes, kur ministria reagon me vonesë dhe në mënyrë selektive, atëherë shtrohet pyetja: Kush ka fuqinë reale për të përmbysur vendimet gjyqësore në terren?

Ndikimi i qeverisë në bllokimin e aeroportit të Vlorës

Historia e proceseve gjyqësore për aeroportin e Vlorës, tregon se pas aksionerit minoritar me 2% të aksioneve janë njereëz që kanë duar dhe këmbë brenda sistemit.

Në rastin e përmbysjes së vendimit të Gjykatës së Lartë del hapur se në prapaskenë çështja është e kurdisur. Dhe meqë SPAK-u ka nisur tashmë hetimet për Zvërnecit nuk është cudi të zbulojë, që të njëjtat duar që qëndrojnë pas aferës së Zvërnecit, duan të kapin edhe Aeroportin e Vlorës.

Sinjalet janë se në prapaskenë fijet i tërheqin segmente të korruptuara të qeverisë. Situata lidhet drejtpërdrejt me mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe me rolin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kompania thotë se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, në vend që t’i lejohej të ushtronte të drejtat e saj, ajo është përballur me ndalim të përsëritur për hyrje në kantier, me qëndrime të vonuara dhe selektive nga MIE.

Për muaj të tërë, ndërsa kantieri ishte i bllokuar dhe konflikti kontrollohej nga pala minoritare, shteti nuk u duk i shqetësuar. Madje në mbrojtje të vendimeve abuzive u përdor policia e shtetit.

Për disa ditë me radhë qindra policë u përdorën për të mbajtur peng aeroportin, duke bllokuar hyrjen kryesore të tij, ndërkohë që qindra punëtorë, specialistë dhe inxhinierë të huaj nuk lejoheshin të hynin për të vazhduar punën në aeroport, apo për të marrë pajisjet e tyre.

Por sapo Gjykata e Lartë i riktheu të drejtat MABCO-s, lëvizjet e qeverisë u përshpejtuan. Në një konferencë për mediat ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë lëshoi ultimatum prej 30 ditësh për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Në një dalje të dytë brenda pak ditësh, Karakaçi njoftoi papritur se kishte vendosur gjoba për vonesat e punimeve.

Në një vend normal, kjo kronologji do të mjaftonte për të hapur një hetim serioz mbi rolin e institucioneve, mbi veprimet e policisë, mbi qëndrimet e ministrisë dhe mbi vendimet gjyqësore që shfaqen në momentin e duhur për të mbajtur larg aksionerin mazhoritar.

Prandaj kjo dosje është lëndë për SPAK edhe për të kuptuar nëse rreth Aeroportit të Vlorës ka një mekanizëm më të madh që përdor gjykatat, institucionet dhe forcën publike për të prodhuar një fakt të kryer.

Fillimi i procedurave për arbitrazhin

Përplasja duket se po shkon për zgjidhje jashtë kufijve të Shqipërisë. MABCO ka njoftuar qeverinë se ka nisur procedurat për arbitrazh ndërkombëtar, duke u mbështetur në të drejtat kontraktuale dhe në marrëveshjet bilaterale për mbrojtjen e investimeve. Kompania thotë se do t’i drejtohet arbitrazhit për të kërkuar sigurinë juridike, mbrojtjen e investimit dhe rikthimin e administrimit të ligjshëm të VIA-s.

Kjo do të thotë se fatura e një konflikti që sot paraqitet si “mosmarrëveshje ndërmjet ortakësh” mund të përfundojë nesër mbi shpinën e taksapaguesve shqiptarë. Sepse nëse arbitrazhi ndërkombëtar i jep të drejtë MABCO-s, nuk do ta paguajë as gjyqtarja, as ministria, as policia, as ata që sot lëvizin fijet pas perdes. Do ta paguajnë taksapaguesit shqiptare.

Kompania thotë se nuk dëshiron që pasojat financiare të veprimeve të disa individëve të rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë, por shton se zgjidhja e situatës varet nga vullneti i institucioneve shqiptare për të respektuar ligjin, vendimet gjyqësore dhe të drejtat e investitorit ligjor.

Kjo është arsyeja pse historia e Aeroportit të Vlorës nuk mund të ndahet nga klima më e gjerë e projekteve në gjirin e Vlorës. Pas debatit për Zvërnecin dhe pas kontrollit politik mbi investimet strategjike në bregdet, edhe aeroporti duket se ka hyrë në të njëjtën logjikë, ku pronësia, gjykatat, policia dhe ministritë nuk funksionojnë më si institucione të ndara, por si pjesë të një mekanizmi të vetëm pushteti.

Dhe nëse SPAK kërkon një rast ku mund të shohë se si kapet një investim madhor përmes vendimeve, mosveprimeve dhe forcës institucionale, Aeroporti i Vlorës është aty, me emra, data, vendime dhe qindra miliona euro në lojë./Lapsi.al

Share it :