Pas rrëfimit të të penduarit / Arrestohet biznesmeni i dyshuar si porositës për vrasjen e Piro Bares

Sonja Caka

Julian Sinanaj: Jam paguar 120 mijë euro për vrasjen e biznesmenit durrsak. Andon Mëhillaj më tha se e ka porositur biznesmeni Ilir Karçini

Reagimi i biznesmenit Bare: E dija, e prisja. Le ta vendosë drejtësia zbardhjen dhe ndëshkimin e autorëve

 

Arrestohet Ilir Karcini, qe porositi vrasjen e biznesmenitZbardhet emri i personit të dyshuar si porositës i vrasjes së biznesmenit të hidrokarbureve, vrasja e të cilit u parandalua falë ndërhyrjes në kohë dhe arrestimit të vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj. Marrja në pyetje, zbërthimi para prokurorëve i dy vrasësve me pagesë Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona çoi në emrin e personit të dyshuar si porositës i vrasjes së biznesmenit për çështje konkurence. Bëhet fjalë për Ilir Karçnin, biznesmen në fushën e hidrokarbureve me seli në Patos të Fierit, i cili, sipas të penduarit Sinanaj ka paguar 120 mijë euro te dy kushërinjtë Andon e Gentian Mëhillaj për heqjen qafe të biznesmenit tjetër të hidrokarbureve nga Durrësi, Piro Bare. Kanë qenë mosmarrëveshjet mes dy vrasësve me pagesë, tashmë me statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, që ka i shpëtuar jetën e biznesmenit Bare dhe ka vënë në pranga ditën e ekzekutimit vetë ekzekutorët.

Arrestimi

Ilir Karrcini, biznesmen i njohur në fushën e hidrokarbureve është vënë në pranga paraditen e djeshme në zonën e Komunës së Parisit ku banonte, pasi nga skuadrat speciale është ekzekutuar masa e arrestit marrë në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ai u vu në pranga pas hetimeve të kryera nga Krimet e Rënda dhe marrjes së dëshmisë nga dy të penduarit, sidomos asaj të Sinanaj. Sipas të penduarit, Karçini mësohet të ketë paguar 120 mijë euro Juljan Sinanaj, nëpërmjet dy kushërinjve Andon e Gentian Mëhillaj, për të vrarë biznesmenin Piro Bare me të cilin kishte konflikte të vjetëra. Mësohet se biznesmeni nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave të skuadrës speciale që ekzekutoi urdhërin e gjykatës, ndërkohë që mesditën e djeshme u shoqërua për në drejtorinë e policisë për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Biznesmeni është pyetur në prani të avokatit të tij, ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku dhe mësohet se ka mohuar implikimin e tij në këtë ngjarje. Lidhur me këtë arrestimin dhe atentatin ndaj tij, biznesmeni Bare, i cili ndodhet jashtë territorit shqiptar, ka deklaruar se ia ka lënë drejtësisë zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin e autorëve. “Nuk mund të jap asnjë lloj komenti, le të vendosë drejtësia. E kam ditur para ca kohësh, e prisja”- tha biznesmeni.

Zbulimi

Pak ditë më parë, përmes një konference për shtyp, kreu i Policisë së Tiranës Ardian Çipa bëri me dije se policia mundi të parandalonte vrasjen e një biznesmeni emri i të cilit nuk u bë publik, një vrasje kjo e porositur, e cila ishte marrë përsipër të kryhej nga Juljan Sinanaj, Marion Mitro dhe Ndriçim Gjokona. Ky i fundit është dhe personi i penduar i bandës që bashkëpunoi me prokurorinë dhe zbardhi gjithë zinxhirin e vrasjeve me pagesë dhe shpërthimeve me tritol. Ka qenë pikërisht Gjokona pengesa e ekzekutimit. Ai pati një përplasje me ekzekutorin Sinanaj dhe mori edhe vetë kërcënime për t’u vrarë. Për këtë arsye shkoi dhe denoncoi planin e vrasjes së biznesmenit Bare në policinë e Durrësit më 17 janar, duke bërë që policia e qytetit bregdetar bashkë me atë të Tiranës të viheshin në lëvizje dhe të mbanin nën vëzhgim 31-vjeçarin Sinanaj. Ky i fundit u arrestua nga policia në 25 janar të këtij viti. Sipas Sinanajt, biznesmeni nga Durrësi do të vritej pikërisht në datën 25 janar kur u arrestua, ndërsa me vete kishte armët me të cilat do të kryente krimin dhe po studionte kohën kur do e realizonte atentatin. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna nëse ka apo jo prova të tjera që provojnë implikimin e Karçinit në këtë ngjarje, veç dëshmisë së të penduarit Sinanaj, i cili ka vepruar nën urdhërat dhe me ndërmjetësinë e Andon Mëhillit.

Rrëfimi

Julian Sinanaj, i akuzuari si vrasës me pagesë, ka rrëfyer se biznesmeni për eliminimin e të cilit ishte paguar 120 mijë euro, është Piro Bare, pronar i kompanisë “Romano Port” me 99,8% të aksioneve. Piro Bare është biznesmeni që ka marrë me koncension “Romano Port”, por gjithashtu kishte dhe monopolin e importit të gazit. Por përveç kësaj, nga ky rrëfim policia ka arritur të mësojë edhe porositësin e vrasjes së biznesmenit të hidrokarbureve. Sipas të penduarit, porositësi, i cili kishte paguar 120 mijë euro për vrasjen e Bares, është Ilir Karçini, biznesmen gazi. Arrestimi i biznesmenit të gazit u bë pas marrjes së dëshmisë nga Juljan Sinanaj, i cili ka zbardhur një sërë vrasjesh me pagesë. Karçini është aksioneri i vetëm i firmës së gazit “Prima Gaz”. Mësohet se para dy vjetësh në makinën e biznesmenit Bare është vendosur një sasi eksplozivi. Nga shpërthimi Bare dhe familja e tij shpëtuan pa lëndime. Në 12 gusht 2011 mësohet se biznesmeni Karçini i është drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për të marrë masa ndaj “Romano Port”.

Konflikti

Konflikti midis Ilir Karçinit dhe Piro Bare për shkarkimin e anijeve me gaz të lëngshëm për djegie nga Primagas e Karçinit në 11 prill 2012 ka përfunduar në Autoritetin e Konkurencës. Mësohet se Karçini paditi Baren te ky autoritet se pa të drejtë nuk lejonte kompanitë Primagas dhe Mareoil të shkarkonin anijet në Durrës duke i detyruar të zbrazeshin në Vlorë. Në këtë mënyrë duke i rritur kostot kompanisë së Karçinit, i cili edhe pse fitoi mbi padinë e ngritur, nuk arriti të shmangë konfliktin me Baren. Autoriteti i konkurencës pranoi se shoqëria Romano Port kishte abuzuar në tregun e shërbimit të shkarkimit të gazit, por nuk pati ndonjë ndryshim. Përplasjet mes dy biznesmenëve vazhduan gjatë këtyre dy vjetëve me të njëjtin intensitet.

Somario

Sipas të penduarit Sinanaj ka paguar 120 mijë euro te Andon Mëhillaj për heqjen qafe të biznesmenit tjetër të hidrokarbureve nga Durrësi, Piro Bare

Vrasësi me pagesë dëshmoi se biznesmeni nga Durrësi do të vritej pikërisht në datën 25 janar te Liqeni Artificial

 

Pragatentati

Vrasësi me pagesë studioi dy muaj lëvizjet e biznesmenit Bare

Julian Sinanaj: Andon Mëhilli më tregoi në një lokal te Kodrat e Liqenit kush ishte biznesmeni që do vrisja. Më tha që e ka porositur vrasjen Ilir Karçini, do merrja 120 mijë euro

Sonja Caka

Dy muaj ka studiuar me detaje çdo lëvizje të biznesmenit nga Durrësi Piro Bare. Kush do ishte objekt i atentatit ia ka treguar personalisht një nga dy ndërmjetësit, Andon Mëhillaj. Madje jo nëpërmjet fotos por në një lokal ku pinte kafen zakonisht Bare, te Kodrat e Liqenit. Të gjitha këto detaje i ka rrëfyer për hetuesit vetë i penduari Julian Sinanaj, madje duke rrëfyer edhe emrin e porositësit. Sipas tij, kjo porosi për eliminimin fizik të Bares u ishte dhënë ndërmjetësve Mëhillaj nga një tjetër biznesmen hidokraburesh, i cili 120 mijë euro kishte paguar vetëm vrasësin me pagesë, pa llogaritur shumën që u paguhej atyre që e bënin të mundur gjetjen e vrasësit. “Ilir Karçini është porositësi” ka deklaruar për hetuesit Sinanaj, ndërsa këta të fundit iu drejtuan gjykatës për firmosjen e urdhër-arrestit ndaj biznesmenit nga Fieri, me banim në Tiranë.

Ndjekja 

Pas marrjes së kërkesës për vrasjen e biznesmenit Piro Bare, nisi puna për krijimin e terrenit të vrasësit me pagesë për kryerjen e “punës” së radhës. Fillimisht, ka qenë ndërmjetësi Andon Mehilli ai që ia ka prezantuar në distancë Sinanajt biznesmenin që duhej vrarë, e ndodhur kjo në një kafene pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Pas kësaj, 31-vjeçari ka nisur përgatitjen e planit të ekzekutimit. Gjatë muajve dhjetor dhe deri më 25 janar, Sinanaj kishte bërë studimin e të gjitha lëvizjeve të biznesmenit durrsak, lëvzijet nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, duke fiksuar edhe fotografi të tij, për të mos gabuar shënjestër. Për kamuflazh dyshohet se përdorte të dashurën e tij me inicialet D.C. Vrasja e biznesmenit të hidrokarbureve, Piro Bare, ishte parashikuar të kryhej në datën 25 janar pranë Kodrave të Liqenit Artificial por u parandalua falë arrestimit nga policia e Tiranës, po atë ditë të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Somario

Ka qenë ndërmjetësi Andon Mehilli ai që ia ka prezantuar në distancë Sinanajt biznesmenin që duhej vrarë, e ndodhur kjo në një kafene pranë Liqenit Artificial në Tiranë

Kush është biznesmeni Ilir Karçini

Ilir Karçini është pronari i “Prima Gas” me qendër në Patos të Fierit, i dyshuar si porositësi i vrasjes me pagesë të kolegut-biznesmen të tij Piro Bare, Drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes “Romano Port” SH.A, me të cilin mendohet se ka pasur një konflikt pikërisht në fushën e tregtisë së gazit. Ndërkohë që emri i Ilir Karçinit nuk është aspak i panjohur për median. 7 vjet më parë, kur  Theodhori Sollaku ka qenë kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, sot avokat i biznesmenit të akuzuar, është vënë në akuzë nga mazhoranca e djathtë në atë kohë për tjetërsimin e një kompanie greke miliona euroshe që tashmë është shndërruar nga “Viakel Gas” i Georgios Vourvachis në “Prima Gas”, të cilën e zotëron tashmë Ilir Karçini.

Atentati me tritol ndaj Bares dy vjet më parë

Dy vjet më parë, në gusht të vitit 2011 vetëm e paralajmëruan duke i vendosur tritol në makinë e tij ku gjendej bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Tashmë, biznesmeni duhej eleminuar. Vrasja e tij vetëm për ekzekutorin vlente 120 mijë euro, pa llogaritur mijëra euro-t që do përfitonin ndërmjetësit. Biznesmeni nga Durrësi, Piro Bare, administron një sipërfaqe të madhe në Porto Romano me depozita gazi, pa llogaritur numrin e madh të karburanteve në gjithë vendin. Në gusht të vitit 2011, fuoristrada që drejtohej nga bosi i naftës shpërtheu në kohën që ai po udhëtonte në afërsi të Urës së Dajlanit, në qytetin bregdetar, bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Asnjë prej personave që ndodheshin në makinë nuk u plagos nga ngjarja. Madje Policia tha në atë kohë se sasia e eksplozivit të telekomanduar që ishte vendosur në makinën e tij ka qenë e vogël, aq sa për ta paralajmëruar dhe jo për ta vrarë.

Përplasja mes biznesmenit Karçini dhe ish-ortakut grek në gjykatë

Biznesmeni grek Georgios Vourvachis, kreu i shoqërisë “Viakel –Sa”Central Greece Industrial Gases me seli në Lamia Greqi kërkoi në shkurt të vitit 2006 anulimin e vendimit nr 3, datë 27.01.2003 të Asamblese së Aksionerëve të shoqërisë “Viakel Gaz “ sha, ku biznesmeni grek ishte përjashtuar si ortak dhe shoqëria mbetej me dy aksionerë, Ilir Karçini dhe Skënder Amoniku. Biznesmeni grek kërkonte deklarimin si të pavlefshëm të titujve ekzekutivë, si kontrata  e shitjes së aksioneve me nr 676rep dt 13.02.2003, copë dy kontrata në emër të të paditurve si blerës të aksioneve, anulimin e regjistrimeve përkatëse në Rregjistrin Tregtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Tiranë; si dhe sigurimin e padisë. Biznesmeni grek dhe shoqëria greke “Viakel –Sa”Central Greece Industrial Gases kishin 70% të aksioneve deri para shitjes së bërë në mbledhjen e asamblesë së ortakëve, ku vetë drejtori nuk ishte i pranishëm. Në atë kohë, Karçini bleu aksionet e grekut Vourvachis ndërsa Skënder Amoniku ato të kompanisë mëmë që kishte 50% të aksioneve, duke nxjerrë në këtë mënyrë jashtë loje aksionerët me shumicë aksionesh. Vendimi është regjistruar në gjykatë në vitin 2003 nga gjyqtarja Zeqine Sollaku, gruaja e ish-kryeprokurorit në atë kohë, ndërsa sot ky i fundit avokat i biznesmenit Karçini.

 

Share it :