Gëzim Saliu
Grupi parlamentar zgjedh kryesinë e grupit, ku përfshihen kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi, si edhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare
Pas zgjedhjes së 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, tashmë PD ndodhet në fazën kulmore të ristrukturimit të saj në nivelet e larta drejtuese. Zgjedhja e Kryesisë së re të PD-së, pas ndryshimeve të statutit, përbën hapin e radhës së reformimit të Partisë Demokratike, ku ky forum i rëndësishëm për vendimmarrjet gjatë aktivitetit politik ka pësuar një zgjerim, duke u shndërruar në një organ më shumë kolegjial. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se pas pak ditësh Këshilli Kombëtar, me propozim të kryetarit të partisë, Basha, do të zgjedhë mes dy kandidaturave për nënkryetarët e partisë, sekretarin e përgjithshëm, drejtuesin e departamenteve dhe sekretarët funksionalë. Ndërkohë që grupi parlamentar zgjedh kryesinë e grupit, ku përfshihen kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi, si edhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin në Parlament forcës më të madhe opozitare. Ndërkaq, pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike janë edhe kryetarët e organizatave partnere si Forumi Rinor dhe Organizata e Grave.
Ndryshimet e Kryesisë
Me ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike ka ndryshuar edhe forma e Kryesisë së kësaj force politike. Kështu, në bazë të ndryshimit të nenit 39 të statutit, Kryesia e partisë bëhet nga: a) Kryetari i partisë; b) Nënkryetarët e partisë; c) Sekretari i përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar; d) Kryesia e grupit parlamentar, ku përfshihen kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi; e) Kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket grupit parlamentar të PD; f) Kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin grupit parlamentar të PD-së dhe g) Kryetarët e organizatave partnere. Ristrukturimi i posteve të funksionarëve të lartë drejtues të Partisë Demokratike përbën një garë më vete në PD, duke marrë parasysh se Kryesia si edhe nënkryetarët e partisë apo sekretari i përgjithshëm luajnë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje përkrah kryetarit të partisë. Kryesia, me ndryshimet në statut, do të ketë tashmë 25 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, ku do të përfshihen edhe kryetarët e nënkryetarët e PD-së në komisionet parlamentare. Në dy ditë punimesh, Kuvendi Kombëtar i PD-së, krahas paraqitjes së analizës së humbjes për zgjedhjet e 23 qershorit, votoi emrat e 150 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar si edhe votuan ndryshimet në statutin e PD-së. Sipas përfaqësuesve të lartë të PD-së, ndryshimet në statut sjellin shumë risi në mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike si çelës i suksesit të një force politike.
Debati në tryezën me Fülen/ Ristani: Rama, fjalor të rëndë pas shpine. Kryeministria: Shpifje nga një i dënuar për korrupsion
Pas incidentit mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së Arben Ristani, ndodhur dy ditë më parë në sy të komisionerit të BE,-së Stefan Füle, gjatë tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, ditën e djeshme kanë vazhduar debatet mes palëve politike. Përmes një deklarate nga selia blu, deputeti Arben Ristani tha se kryeministri që shohin shqiptarët para kamerave nuk është i vërteti, ai është i shtirur dhe i pabesueshëm në realitet. Në këtë kontekst, ai theksoi se Rama i vërtetë është ai që të shan pas shpine dhe që ulet në një tryezë me opozitën sa për sy e faqe. “Unë po i adresoja komisionerit Füle shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e institucioneve dhe gjendjen e rëndë të demokracisë në vend. Teksa unë flisja, Edi Rama kthehet pas shpinës sime dhe më sulmon me një fjalor të padenjë për secilin qytetar të vendit, sigurisht krejt të padenjë për një kryeministër. Etika nuk na lejon që të riprodhoj këtu shpërthimin banal të Edi Ramës. Me qëndrimin e djeshëm, Edi Rama thjesht tregoi se ai gjendet sa për sy e faqe në një tryeze më opozitën, pasi në të vërtetë, vlerësimi i tij për Partinë Demokratike është krejt tjetër, është ai që shprehu nëpër dhëmbë dhe pas shpine”, – u shpreh ai. Lidhur me këtë deklaratë, reagoi Kryeministria, e cila nëpërmjet drejtorit të Komunikimit, Endri Fuga sqaroi situatën e ndodhur. “Nuk është qëllimi i kësaj deklarate të tregojë edhe njëherë tjetër kush është zoti Arben Ristani. Çdo shqiptar e njeh sepse është bërë personazh mediatik qoftë si i dënuar me burg për korrupsion, qoftë si vjedhës votash në krye të KQZ-së, por edhe qoftë si një folës përgjithësisht i dehur që merr përsipër të lëshoje “të fortat” e opozitës nga foltorja e Kuvendit ose e partisë. Kryeministri jo vetëm nuk iu drejtua për asnjë çast zotit Ristani në sesionin e djeshëm, po përgjatë gjithë ndërhyrjeve të tij në të katër sesionet e DNL ka qenë plotësisht etik me opozitën, ashtu siç kanë qenë të gjithë anëtarët e qeverisë të pranishëm në tryezë. Si sharjet dje edhe shpifjet sot flasin në të vërtetë për gjendjen e dehur të një opozite që shan të tjerët pse i merren këmbët”. Në këtë debat nuk mungoi edhe reagimi i deputeti demokrat Halimi, prezent në tryezën e dy ditëve më parë, i cili pohoi se Kryeministri Rama përdori fjalor fyes ndaj deputetit Ristani. “Në momentin që z. Ristani filloi të fliste për shkeljen e Kushtetutës dhe shqetësimet e opozitës për kriminalizimin e Parlamentit me deputetë që kanë firmosur për shkarkimin e anëtarëve të KLD, kthehet pas shpinës së tij dhe e sulmon me të njëjtin fjalor vulgar që ai përdor gjithnjë në Parlament. Një fjalor të padenjë për secilin qytetar të vendit, sigurisht krejt të padenjë për një kryeministër”, – u shpreh ai.
Konferenca/ Ambasadorët e BE-së: Luftoni krimin e korrupsionin. Bregu: Shqipëria, në situatë anormale
Përfaqësuesi i BE-së në vendin tonë, Clive Rumbold, tha dje se pavarësisht se në 5 vite nuk do të mund të ketë zgjerim në BE, Shqipëria duhet të garantojë qëndrueshmëri dhe të dyfishojë përpjekjet për reformat. “Për 5 vite nuk ka anëtarësime të reja në BE, pasi Juncer ngriu zgjerimin e BE. Shqipëria duhet të punojë fort për realizimin e reformave. Duhet të sigurohet qëndrueshmëria në vend që të shkoni drejt BE, të përmbushen kërkesat e KE, të dyfishoni përpjekjet. Vërtet nuk do të ketë zgjerim, por do të shikohet si do ecë Shqipëria në këto vite. Duhet ta ketë vëmendjen tek reformat dhe prioritetet që ajo të ecë përpara. Me rëndësi është reforma në sistemin gjyqësor si dhe lufta ndaj krimit e korrupsionit”, – tha Rumbold më tej. Ndërkaq, ministrja e Integrimit, Gjosha, e pranishme në konferencën “Një kapitull i ri për integrimin”, vuri theksin tek rëndësia e ndërtimit të një procesi integrimi të shëndetshëm, mbarëvajtja e reformave, konsensusi politik brenda vendit dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal, në funksion të perspektivës së përbashkët evropiane të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, theksoi se më shumë se gjithçka sot Shqipëria duhet të bindë ndërkombëtarët se reformat i ka të besueshme. Në këtë kontekst, ajo theksoi se aktualisht Shqipëria është në një situatë anormale. “Nuk mund të mos përmend dy gjëra shumë të thjeshta, sot Shqipëria nuk është në një situatë normale politike, dje e kam quajtur një situatë krizë politike. Ne nuk jemi në Parlament. Dialogu politik nuk është një reformë që e fut në një kuti dhe e quan të kryer dhe nuk i kthehesh më. Stabiliteti politik ka rëndësi por në Shqipëri kane qenë të shumta situatat kur ka pasur destabilitet politik, dhe të gjithë për këtë kemi dijeni. Sot ka nevojë për stabilitet, gjithëpërfshirje. E përsëris, nëse vendosim interesat personale përpara integrimit, atëherë dyshoj se ky proces do jetë shumë i gjatë”, – u shpreh deputetja e PD-së.




