Më 9 prill 2026, kryeministri Edi Rama ishte në Durrës, ku inspektoi punimet në shëtitoren “Taulantia”, i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Gjatë vizitës, Rama u shfaq duke shqyrtuar edhe materialet e projekt-ideve për tre parkime nëntokësore në qytet, të parashikuara në shëtitoren “Taulantia”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe në sheshparkimin e autobusëve te Stacioni i Trenit.
Projekt-idetë u prezantuan gjatë inspektimit të punimeve në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”, por dokumentet e siguruara nga Amfora tregojnë se propozimet shkojnë përtej një prezantimi publik. Për parkimet janë hartuar termat e referencës, ndërsa projekti pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve ka avancuar në procesin e prokurimit të projektit teknik nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Në thelb, projektet synojnë zhvendosjen e një pjese të parkimit nga sipërfaqja në nëntokë dhe lirimin e hapësirave publike mbi to. Bashkia Durrës e lidh nevojën për këto ndërhyrje me rritjen e numrit të automjeteve dhe presionin që sipas saj ka krijuar mbi rrjetin rrugor dhe vendet ekzistuese të parkimit.
“Vetëm numri i autoveturave është rritur nga 54,701 mjete në vitin 2021 në 73,484 mjete në janar të vitit 2026, ndërsa edhe automjetet për transport pasagjerësh (ATP) kanë shënuar një rritje të qëndrueshme”, argumentoi Bashkia Durrës në përgjigjen për Amfora.al
Institucioni e lidh zhvillimin e parkimeve nëntokësore edhe me zgjerimin e sistemit të parkimit me pagesë në qytet, duke parashikuar që në afat të shkurtër një pjesë e konsiderueshme e akseve kryesore dhe hapësirave publike të kalojnë në këtë sistem. Sipas Bashkisë, parkimet e reja do të krijonin mundësi për lirimin e sipërfaqeve, zgjerimin e zonave për këmbësorët, gjelbërimin dhe infrastrukturën e biçikletave.
Por zona si Sheshi “Jorgji Ziu”, tek Mauzoleumi i Dëshmorëve, ku sot parashikohet një prej parkimeve nëntokësore, është studiuar më herët nga arkeologët dhe lidhet me vijimin e lagjes romake, duke e kthyer në të pamundur ndërtimin nëntokësor pa rrafshuar më parë mbetjet arkeologjike, që kategorizohen në banesa të paktën prej priudhës romake.
Ndërsa Bashkia argumenton nevojën për ndërhyrjet, Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmoi se propozimi për parkimin pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve ka ardhur prej saj dhe se FSHZH po vepron si agjenci zbatuese. Ky projekt është pjesë e programit “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit” dhe synon që sipërfaqja mbi parkimin nëntokësor të rikualifikohet për përdorim publik.
“Aktualisht, ky propozim ndodhet në proces prokurimi të projektit teknik dhe në vijim pas përzgjedhjes së subjektit projektues, ky i fundit do të kryejë analizat dhe studimet e detajuara urbanistike, teknike dhe mjedisore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, bëri të ditur FSHZH për Amfora.al
Termat e Referencës tregojnë se kontrata e projektimit parashikon zhvillimin e projektit në katër faza, nga analiza dhe projekt-ideja paraprake deri te përgatitja e projektit për miratimin e lejes së ndërtimit. Për fazat e projektimit janë parashikuar gjithsej 16 javë, pa përfshirë kohën për vlerësimet dhe komentet e klientit dhe institucioneve të tjera.
Pikërisht dokumentet e siguruara nga Amfora tregojnë se ndërhyrja pranë Mauzoleumit është konceptuar në një sipërfaqe rreth 3120 metra katrorë, me tre nivele parkimi nën tokë dhe sistemimin e hapësirës mbi të. Termat e Referencës i kërkojnë projektuesit të analizojë të gjithë zonën dhe të “maksimizojë sipërfaqen e mundshme nëntokë për parkim”, bazuar në kushtet teknike dhe ekonomike. Vlera e parashikuar e investimit në termat e referencës është 500 milionë lekë pa TVSH, ndërsa numri përfundimtar i vendeve të parkimit pritet të përcaktohet gjatë projektimit. Dokumenti kërkon që kapaciteti të jetë “optimal” dhe investimi ekonomikisht fizibël.
Planet për 3 parkime nëntokësore rrezikojnë shtresat arkeologjike
Mbrojtja e nëntokës arkeologjike të Durrësit daton të paktën prej vitit 1961. Me VKM-në numër 172, datë 2 qershor, Këshilli i Ministrave në atë kohë vendosi në “mbrojtje shtetërore të veçantë” pjesën e vjetër dhe nëntokën e qytetit, ndërsa kërkoi hartimin e studimit, projektimit dhe rregullores për administrimin e saj. Mbi këtë territor të njohur prej dekadash për pasurinë arkeologjike, sot janë propozuar edhe tre ndërhyrjet për parkime nëntokësore.
Zona pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, ku sot parashikohet një prej parkimeve nëntokësore, është studiuar më herët nga arkeologët. Në kuadër të projektit shqiptaro-francez “Topografia e Epidamn-Dyrrachium”, kërkimet gjeofizike evidentuan në lulishten e Mauzoleumit mure në thellësi rreth 1 deri në 1.5 metra, ndërsa gërmimet e mëvonshme nxorën në dritë struktura të periudhës romake.
“Tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve kemi rënë në strukturat e një terme të periudhës romake”, deklaronte për Amforën më 16 shkurt 2017, arkeologu Eduard Shehi, bashkëdrejtues i projektit kërkimor.
Në këtë projekt arkeologjik ishte përfshirë edhe Bashkia Durrës. Në intervistën e dhënë, Shehi e rendiste bashkinë mes institucioneve me të cilat ishte bashkëpunuar për realizimin e kërkimeve, krahas institucioneve të trashëgimisë. Dokumentacioni zyrtar i mëvonshëm e ka trajtuar gjithashtu hapësirën pranë Mauzoleumit si pjesë të zonave arkeologjike A dhe B.
Të dhënat e këtyre kërkimeve përballen sot me përmasat e ndërhyrjes së propozuar, në një hapësirë ku strukturat nëntokësore janë evidentuar që në thellësinë 1 deri në 1.5 metra, termat e referencës të siguruara nga Amfora parashikojnë një parkim të zhvilluar në tre nivele nën tokë, që do të sillte rrafshimin total të çdo strukture arkeologjike. Projekti është propozuar për financim nga Bashkia Durrës dhe sipas FSHZH-së, ndodhet në procesin e prokurimit të projektit teknik.
Nga ana tjetër Amfora konstatoi së fundmi rrethimin e pjesshëm të kantierit dhe punimet për testimin gjeologjik të tokës, ku sonda preku në dhjetëra metra nëntokën arkeologjike për të marr kampionet gjeologjike.

Projekti për ndërhyrje të thella pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve nuk është i ri. Që prej vitit 2016, Bashkia Durrës kishte planifikuar ndërtimin e një tuneli nëntokësor, deri në 1.2 kilometra të gjatë, që do të kalonte në zonën e Mauzoleumit, ndërsa në të njëjtën hapësirë ishte parashikuar edhe ngritja e “Pallatit të Drejtësisë”. Projekti për sheshin dhe godinat e drejtësisë më pas dështoi dhe bashkia hoqi dorë prej tij, duke e lënë të paprekur deri më më sot lulishten përpara Mauzoleumit.
Potenciali arkeologjik i kësaj hapësire ishte ngritur si shqetësim nga disa prej arkeologëve më të njohur të Durrësit, tashmë të ndjerë. Moikom Zeqo e cilësonte zonën në atë kohë për “Reporter.al”, si “të dorës së parë” për historinë e qytetit dhe argumentonte se lagjja romake e zbuluar në ish-Lulishten “1 Maji” vijonte drejt Mauzoleumit. “Ky projekt është i gabuar, sepse aty gjendet lagjia romake”, deklaronte Zeqo në vitin 2018, duke paralajmëruar se ndërhyrjet nëntokësore do të preknin shtresa të rëndësishme kulturore të Durrësit.
Edhe arkeologu Fatos Tartari, i cili kishte gërmuar pranë Mauzoleumit që në fillim të viteve ’80, kishte dokumentuar aty mozaikë, afreske dhe pjesë të një banese luksoze romake, të cilat më pas u konservuan dhe u mbuluan. Tartari e përshkruante këtë territor si pjesë të një lagjeje me banesa elitare romake, duke e konsideruar një dëshmi të periudhës së shkëlqimit të Durrësit antik. Paralajmërimet e Tartarit dhe Zeqos, të bëra vite përpara projektit aktual të parkimit nëntokësor, tregojnë se potenciali arkeologjik i zonës nuk është një informacion i ri për institucionet, por një realitet i njohur dhe i dokumentuar prej dekadash.
Ndërsa precedenti i projektit “Veliera” tregoi se ndërhyrjet e mëdha nëntokësore në Durrës mund të përplasen drejtpërdrejt me shtresat arkeologjike dhe të detyrojnë ndryshime të projektit pasi punimet kanë nisur. Zbulimet arkeologjike, pezullimet dhe dëmtimet e regjistruara gjatë zbatimit e kthyen atë në një rast që dëshmoi kostot e një vlerësimi të vonuar të nëntokës. Ky precedent e bën edhe më të rëndësishëm që parkimet e reja të shoqërohen me studime dhe sondazhe arkeologjike përpara projektimit përfundimtar.
Megjithatë, mënyra se si do të trajtohet trashëgimia arkeologjike gjatë zhvillimit të projektit mbetet e pasqaruar në përgjigjet e institucioneve. FSHZH bëri të ditur se pas përzgjedhjes së projektuesit do të kryhen analiza dhe studime të detajuara urbanistike, teknike dhe mjedisore, por në përgjigjen për Amforën nuk përmendi studime apo sondazhe arkeologjike.
Kjo mungesë reflektohet edhe në Termat e Referencës të shqyrtuara nga Amfora. Dokumenti kërkon një sërë studimesh për projektimin, mes tyre rilevimin topografik, studimet gjeologjike, gjeoteknike, hidrologjike e sizmologjike, si dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, por nuk parashikon shprehimisht një studim apo sondazh arkeologjik. Kjo, ndonëse ndërhyrja projektohet në një territor ku kërkimet e mëparshme kanë evidentuar struktura të periudhës romake.

Bashkia Durrës u pyet posaçërisht nëse dispononte të dhëna mbi potencialin arkeologjik të tri zonave, dokumentacion për zbulimet e mëparshme, nëse ishin kryer ose planifikoheshin sondazhe arkeologjike dhe nëse ishin konsultuar institucionet e trashëgimisë kulturore. Këto pyetje nuk u adresuan në përgjigjen e saj.
Në të kundërt, Bashkia argumentoi se pikat e propozuara për parkimet janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së rrjetit rrugor, flukseve të trafikut, aksesit urban, afërsisë me qendrat e shërbimeve dhe lidhjes me transportin publik. Potenciali arkeologjik nuk përmendet mes kritereve që institucioni renditi për përzgjedhjen e zonave.
Gjurmët arkeologjike të dokumentuara nuk kufizohen vetëm pranë Mauzoleumit. Në afërsi të Stacionit të Trenit, ku është propozuar një tjetër parkim nëntokësor, kërkimet arkeologjike kanë dokumentuar gjurmë muresh të një strukture të dëmtuar, të datuar nga materiali i gjetur në shekujt III-II para erës sonë. Funksioni i saj nuk është përcaktuar për shkak të shkallës së dëmtimit. Për këtë zonë, megjithatë, të dhënat e siguruara nuk provojnë se strukturat e zbuluara përputhen me gjurmën konkrete të parkimit të propozuar.
Edhe parkimi i parashikuar në zonën e Taulantias prek një aks me status të dokumentuar arkeologjik. Në vitin 2019, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) trajtoi ndërhyrje ndërtimore në rrugën “Taulantia” duke e përcaktuar vendndodhjen si “zonë arkeologjike B”. Në të njëjtin vit, KKA shqyrtoi edhe një projekt për një godinë me pesë kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë në këtë rrugë, çka tregon se ndërhyrjet në thellësi në këtë aks i janë nënshtruar më parë procedurave të autoritetit arkeologjik.
Në rrugën “Taulantia” ndodhet gjithashtu Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit, për të cilin edhe ndërhyrja për shtesën e ambienteve u trajtua në vitin 2023 nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Kështu, ndërsa për tre parkimet janë hartuar termat e referencës dhe projekti pranë Mauzoleumit ka avancuar në prokurimin e projektit teknik, përgjigjet e Bashkisë Durrës dhe FSHZH-së nuk sqarojnë se si do të trajtohet nëntoka arkeologjike gjatë zhvillimit të projekteve. /Amfora.al




