Paratë e kok@inës që ndërtuan një perandori betoni në Shqipëri!

232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 12 milionë euro janë vendosur në sekuestro në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme ndaj një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar.

Kompani ndërtimi, biznese, apartamente, toka, 89 makina të llojeve të ndryshme dhe llogari bankare janë sekuestruar mëngjesin e së mërkurës pasi prokuroria dyshon se janë përfituar nga aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria njoftoi se gjatë ditës së mërkurë, më 15 prill 2025, u arrestuan Lulzim Pepa, Florian Marku dhe Anton Kola, ndërkohë që urdhër-arrestime për 4 vepra penale që kanë të bëjnë me krijimin e organizatave kriminale, trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave janë lëshuar edhe për 7 persona të tjerë.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi i strukturuar kriminal dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar tetë episode të trafikut të kokainës me një sasi totale prej rreth 7.5 tonësh. Ngarkesat janë transportuar përmes rrugëve detare dhe kontejnerëve tregtarë, duke përdorur metoda kamuflimi në mallra të ligjshme, me destinacion porte kryesore evropiane, përfshirë Roterdamin.

Grupi që transportoi 7 ton kokainë

Policia duke sekuestruar kokainë në port

Në fillim të vitit 2020, ndërsa pandemia sapo kishte nisur të ndryshonte ritmin e botës, një tjetër rrjet – shumë më i padukshëm dhe më i organizuar – po funksiononte paralelisht në korridoret tregtare mes Amerikës Latine dhe Evropës. Nuk ishte një operacion i vetëm, por një zinxhir i mirëstrukturuar trafiku, ku kontejnerët e zakonshëm të mallrave shërbenin si mbulesë për tonelata kokaine.

Gjatë muajve janar–mars 2020, sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nisën të qarkullojnë drejt tregut evropian. Sinjali i parë konkret për autoritetet erdhi më 21 mars, kur në Amsterdam u sekuestruan 8.5 kilogramë kokainë. Në pamje të parë, ishte një sasi relativisht e vogël, por hetimet treguan se ajo ishte vetëm një fragment i një rrjeti shumë më të gjerë.

Vetëm pak javë më vonë, më 7 dhe 8 prill, në Portin e Roterdamit u zbulua një nga ngarkesat më të mëdha të asaj periudhe. Një anije kolumbiane kishte transportuar nga Peruja një kontejner frigoriferik me lëngje frutash të ngrira. Brenda tij, të fshehura me kujdes, ndodheshin 1,018 kilogramë kokainë. Vlera e kësaj sasie në tregun e zi i kalonte 1.3 milionë euro, duke treguar shkallën e organizimit dhe fitimit të rrjetit.

Fluksi nuk u ndal. Më 6 qershor 2020, një tjetër ngarkesë mbërriti në të njëjtin port, këtë herë nga Guayaquil. Në dokumente figuronte si mall i destinuar për një kompani në Hungari, por në realitet përmbante rreth 2020 kilogramë kokainë. Hetimet zbuluan se një pjesë e kësaj sasie i përkiste të njëjtit grup kriminal, duke konfirmuar ekzistencën e një korridori të qëndrueshëm trafiku.

Megjithatë, jo çdo operacion rezultoi i suksesshëm për rrjetin. Më 26 qershor, në terminalin Muelle Sur, DP World Callao në Peru, autoritetet ndërhynë dhe sekuestruan 516 kilogramë kokainë që ishte nisur drejt Holandës. Ishte një nga rastet e pakta kur ngarkesa u ndal që në origjinë.

Vetëm katër ditë më pas, më 30 qershor, një tjetër kontejner u bllokua në Roterdam. Ai vinte nga Kolumbia dhe në dokumente përmbante konserva me peshk ton, të destinuara për një kompani në Gjermani. Në të vërtetë, brenda tij u gjetën 500 kilogramë kokainë, të fshehura mes mallrave ushqimore.

Muaji gusht shënoi një tjetër fazë të rëndësishme të aktivitetit të rrjetit. Më 7 gusht 2020, autoritetet holandeze ndërhynë në autostradën A2 pranë Abcoude, ku sekuestruan 104 kilogramë kokainë. Por kjo ishte vetëm një pjesë e një operacioni shumë më të madh, i cili llogaritej të përfshinte rreth 1600 kilogramë në total.

Vetëm pak ditë më vonë, më 16 gusht, u zbulua një tjetër ngarkesë e madhe. Një kontejner me banane nga Ekuadori, që kishte kaluar përmes Antwerp përpara se të mbërrinte në Roterdam, përmbante rreth 1100 pako me një peshë totale prej 1238.39 kilogramësh kokainë. Ngarkesa ishte e destinuar për një kompani në Hagë, duke treguar se rrjeti përdorte kompani të ndryshme evropiane si mbulesë për shpërndarjen.

Seria e goditjeve vazhdoi edhe në vjeshtë. Më 1 dhe 2 tetor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 531 kilogramë kokainë në Portin e Roterdamit. Këtë herë, lënda narkotike ishte fshehur në një kontejner me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Të gjitha episodet e zbuluara i tregonin hetuesve një model të qartë veprimi: përdorimin sistematik të kontejnerëve tregtarë, maskimin e drogës në produkte ushqimore dhe krijimin e një zinxhiri logjistik që shtrihej nga portet e Amerikës Latine deri në zemër të Evropës. Sasitë e trafikuara arrinin në tonelata, ndërsa rrjeti shfaqte fleksibilitet të lartë, duke ndryshuar metoda dhe rrugë për të shmangur kontrollet.

Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Posaçme thotë se kemi të bëjmë me një “grup i strukturuar kriminal që ka operuar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha”.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e arrestit për 11 persona, por vetëm 3 prej tyre u ekzekutuan nga oficerët e Byrosë së Hetimit dhe Policia e Shtetit.

Lulzim Pepa, Florian Marku dhe Anton Kola u arrestuan nga Policia e Shtetit, ndërkohë që ndër të arrestuarit është edhe vëllai i Jetmir Pepës, i cili akuzohet si kreu i grupit kriminal.

Pepa është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv të organizuar ‘Cinco Cavalli’ në Parkun Olimpik të Tiranës.

Përveç masave të arrestit, Prokuroria njoftoi edhe sekuestrimin e 232 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e 12 milionë eurove. Sekuestrimet përfshijnë biznese në Tiranë, Lezhë dhe qytetet e tjera të vendit, sipërfaqe toke, hotele, poste parkimi dhe apartamente, si dhe 89 makina të llojeve të ndryshme dhe llogari bankare, që i përkisnin shtetasve nën hetim ose personave të lidhur me ta.

Kompanitë e sekuestruara rezultojnë të jenë në emër të familjarëve të Jetmir Pepës dhe sipas të dhënave nga Open Data bëhet fjalë për kompani aktiviteti i të cilave është ndërtimi i pallateve apo hidrocentraleve, real estate dhe hotelieria.

Perandoria Pepa

Në mesin e 232 pasurive të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme janë edhe aksionet apo pronat e 5 kompanive që zotërohen nga familja Pepa. Prokuroria dyshon se burimi i të ardhurave të këtyre pasurive është aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, për të cilin organet ligjzbatuese ndërkombëtare kanë identifikuar Jetmir Pepën si kreun e grupit kriminal.

Të dhënat e hapura nga regjistri i biznesit tregojnë se biznesi i familjes Pepa nis diku në vitet 2012, për një nga kompanitë e vogla, objekti i së cilës ishte tregtimi i mallrave për arredimin e banesave. Kompania themelohet nga Urim Pepa dhe një vit më vonë krijon kompaninë “Pepa Grup”, me objekt kryesisht atë të ndërtimit.

Vetëm një vit më pas, ai ndërton një tjetër kompani që sot posedon hotelin në qendër të Tiranës, “Oxford Hotel”, dhe kjo në listën e objekteve të sekuestruara nga prokuroria.

Në 6 vite, Pepa ndërtoi 5 kompani si dhe u bë zotëruesi i 33.3% të aksioneve të ndërtimit të një hidrocentrali.

Në vitin 2021, si pasojë e një aksidenti Urim Pepa ndërron jetë dhe kompanitë kalojnë në pronësi të fëmijëve të tij.

Në njoftim zyrtar, prokuroria nuk bëri të ditur lidhjet e kompanive të sekuestruara me personin për të cilin ka ngritur akuzat që kanë të bëjnë me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe krijimin e grupit të strukturuar kriminal. Por themeluesi i këtyre kompanive rezulton të jetë vëllai i Jetmir Pepës, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të zhvilluar mëngjesin e 15 prillit 2026.

Por ndërsa për prokurorinë e posaçme burimi i të ardhurave të këtyre kompanive lidhet me aktivitetin ilegal, kompanitë Pepa rezultojnë ndër më të suksesshmet në sektorin e investimeve në Shqipëri.

“Pepa Group” është një nga subjektet që ka marrë pjesë në kontratat publike të programit të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Sipas të dhënave zyrtare dhe regjistrave të transaksioneve publike të konsultuara nga “spendingdata.al”, kompania ka filluar të përfitojë tendera shtetërorë që nga viti 2015. Në periudhën 2015–2018, “Pepa Group” ka arkëtuar rreth 11.6 milionë lekë nga kontrata publike me institucione shtetërore, ndërsa në vitet pasuese shënon një rritje të ndjeshme të volumit të fondeve të përfituara.

Në periudhën 2019–2023, kompania ka përfituar rreth 762.3 milionë lekë nga tenderat publikë, ku rreth një e treta e kësaj vlere, afërsisht 224 milionë lekë, rezulton të jetë marrë nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.

Gjithashtu, “Pepa Group” është pjesë e bashkimeve të operatorëve ekonomikë që kanë fituar kontrata të rëndësishme në kuadër të programit të Rindërtimit, përfshirë projekte në zonën “5 Maji” në Tiranë, me vlera qindra milionë lekë, si dhe projekte të tjera të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Pepa Group” është përfshirë në një numër të madh procedurash publike, veçanërisht në ndërtimin e shkollave dhe objekteve infrastrukturore në Tiranë dhe qytete të tjera. Ndër projektet kryesore përfshihen shkolla si “Kosova”, “Pjetër Budi”, si dhe shkolla në Sukth të Durrësit dhe në Fushë-Arrëz, ku kompania ka fituar kontrata me vlera që variojnë nga qindra mijëra deri në disa milionë euro, shpesh pas procedurave ku një pjesë e konsiderueshme e operatorëve janë skualifikuar gjatë garës. /Shteg.org

Share it :
Nga WhatsApp-i me Ramën te fondet e qeverisë, Die Zeit zbulon prapaskenat e koncertit të Kanye West Stadiumi ende nuk ekziston, por Klodian Makashi ka vendosur tashmë një pikë orientimi në Google Maps. Aty shkruhet “Eagle Stadium”, i emërtuar sipas shqiponjës, simbolit kombëtar të vendit të tij: Shqipërisë. Dikur këtu të fusnin në burg nëse shpërndaje kaseta hip-hop. Sot, Makashi ëndërron që dhjetëra mijëra njerëz të vijnë për të parë reperin Kanye West, i njohur edhe si “Ye”. Në një stadium që Makashi ende duhet ta ndërtojë. Është një e premte në fund të majit. Makashi qëndron në një truall bosh në periferi të Tiranës. Përreth ka dyqane materialesh ndërtimi, qendra tregtare, lavazhe dhe autostradë. Gjysma e truallit është niveluar, ndërsa gjysma tjetër është ende e mbuluar me kodra dheu disa metra të larta. “Nuk krahasohet fare me para dy javësh”, thotë ai duke buzëqeshur. “Atëherë ishte plot me shkurre, ferra dhe papastërti.” Dy partnerë biznesi nga Berlini kishin vizituar zonën dhe kishin thënë: “Nëse ky është vendi ku do të mbahet koncerti i Kanye-t, atëherë është e pamundur.” Tani kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në koncert. Ai është planifikuar për më 11 korrik dhe kontratat janë nënshkruar. Ndoshta ky koncert do të hyjë në histori. Ndoshta do të përfundojë në katastrofë. Klodian Makashi, 45 vjeç, organizator eventesh nga Tirana, beson fort se ai do të zhvillohet. Në Google Maps mund të shohësh një animacion se si do të duket stadiumi: tribuna me shkëlqim argjendi dhe, në mes të tyre, një glob gjigant – skena e Kanye West. Një reper që është shprehur vazhdimisht në mënyrë antisemitike dhe që për këtë arsye nuk lejohet të performojë në shumë vende europiane. Në Shqipëri, këtë vend të vogël që po përpiqet të afirmohet në botë si destinacion turistik, ai është i mirëpritur. Dhe Klodian Makashi ka tani vetëm gjashtë javë kohë për të ndërtuar një stadium për këtë superyll, i cili po zbret mbi Shqipëri si një kometë. Një artist që i sjell Makashit njëkohësisht ndjenja lumturie dhe ankthi. Po shqetësimet morale? Në fund të fundit, reperi e ka quajtur veten nazist. “Ka thënë vërtet shumë budallallëqe”, thotë Makashi, “dhe ndoshta as vetë nuk i ka kuptuar plotësisht.” Por tani ai beson se Ye “është në rrugën e duhur”. Në janar 2026, Ye publikoi një reklamë në një faqe të plotë të Wall Street Journal, ku foli për çrregullimin e tij bipolar dhe kërkoi falje ndaj komunitetit hebre. Disa javë më vonë, Makashi mori një mesazh në WhatsApp nga një organizator eventesh nga Holanda. “Hej, Klodi, si je me Kanye West?” Makashi mendoi: “Mos po tallesh me mua? Ai është shumë i madh për ne.” Por miku i tij i shkroi se njihte një kompani që ishte në kontakt me menaxhmentin e Kanye-t dhe që dëshironte të organizonte koncerte në Europë. Kompania ndodhej në Berlin. Megjithatë, dukej e paimagjinueshme që një artist, i cili kishte publikuar një këngë me titull “Heil Hitler”, të performonte në kryeqytetin gjerman. Edhe Britania e Madhe, Polonia dhe Zvicra nuk e ftuan reperin të performonte. Kështu, një koncert në Shqipëri u bë edhe më realist. Makashi ka organizuar shumë koncerte. Që nga viti 2009 ai merret profesionalisht me këtë punë. Ai thotë se ndihet krenar dhe i lumtur kur, si vitin e kaluar në koncertin e Scorpions, shikon nga tribuna VIP mijëra fansa të lumtur. Por Kanye West është diçka tjetër. “Ky do të jetë historik”, thotë Makashi. Vetëm se këtë herë gjithçka është shumë më sfiduese, madje edhe e rrezikshme. Para së gjithash, qeveria duhet të nënshkruajë një letër ftesë. Kjo ishte një kërkesë e menaxhmentit të Kanye-t, tregon Makashi. Ai i shkroi një mesazh në WhatsApp kryeministrit Edi Rama. Rama i kërkoi të shkonte ta takonte. Kur dikush i thotë Makashit se në Gjermani nuk do të ishte kaq e lehtë të takoje kancelarin Friedrich Merz, ai përgjigjet: “Është një vend i vogël. Të gjithë njihen me njëri-tjetrin.” Klodian Makashi lindi në vitin 1980, në një vend ku muzika e huaj ishte e ndaluar. Ishte 11 vjeç kur në vitin 1991 ra diktatura dhe u hapën kufijtë. Jo vetëm komunizmi u shemb, por edhe martesa e prindërve të tij. Babai emigroi në Greqi për të punuar. Makashi kaloi vitet e adoleshencës në Athinë. Dëgjonte Backstreet Boys dhe Britney Spears. Punoi si kamerier, shitës perimesh dhe tapicier. Në vitin 2002, thotë ai, dëgjoi një zë të brendshëm që i tha: “Kthehu në Shqipëri!” Fillimisht punoi në fushën e IT-së, më pas me call center dhe marketing SMS, derisa përfundoi si organizator koncertesh. Më 10 mars, tregon Makashi, ai shkoi në zyrën e Edi Ramës së bashku me mikun holandez dhe dy përfaqësues të kompanisë gjermane organizatore Street Life International. Rama nënshkroi letrën, por me një kusht: Qeveria nuk do të jepte asnjë financim. Katër burrat iu përgjigjën se nuk kishin nevojë për para publike. Rrezikun financiar do ta merrte përsipër kompania nga Berlini. Kompania e Makashit, Red Cloud, është partneri lokal dhe do të përfitojë dhjetë për qind të fitimit. Gjashtë javë për globin e Kanye-t Tani Makashit i duhej të zgjidhte një pyetje themelore: Ku do të zhvillohej koncerti? Stadiumi më i madh i futbollit në Shqipëri ishte shumë i vogël për globin e Kanye-t, i cili është 12 metra i lartë dhe 26 metra i gjerë. Makashi nisi të kërkonte në Google Maps, duke përdorur pamjen satelitore, për një sipërfaqe prej të paktën 40 mijë metrash katrorë. Kështu ai u njoh me Mark Lulin, një sipërmarrës ndërtimi, Mercedes-i i të cilit ndalon këtë të premte në fund të majit në kantierin plot pluhur. Luli zbret nga makina me një çantë të vogël jeshile në dorë. Së shpejti, në atë truall do të ndërtohen pallate. Përpara se të fillonte ndërtimi, ai gjithsesi do të duhej të pastronte mbeturinat dhe shkurret. Makashi e bindi që ta fillonte këtë punë disa muaj më herët. Stadiumi do të ndërtohej vetëm për koncertin dhe më pas do të çmontohej. Luli thotë se po e nivelon terrenin “pro bono”, sepse është “një patriot shqiptar”. As qira nuk i kërkon Makashit. “Unë besoj te Zoti”, thotë Makashi. “Këto gjëra nuk ndodhin rastësisht.” Po atë ditë ai udhëton rreth 1.000 kilometra drejt Stambollit. Në WhatsApp ai dërgon një video të filmuar nga një lozhë gjatë një koncerti të Kanye West, me pamje nga skena dhe globi gjigant. “Është një sfidë”, dëgjohet të thotë Makashi në video, “dhe, për të qenë i sinqertë, ajo që pashë më trembi.” 120 mijë fansa festojnë në stadiumin Atatürk. Makashi ka ende vetëm gjashtë javë kohë dhe vetëm një truall bosh. Makashi tregon se u takua me ekipin menaxhues të Kanye West. Ata kishin kërkesa shumë specifike: Dyshemeja e stadiumit duhet të jetë plotësisht e zezë. Në backstage duhet të ketë një dhomë të zezë. Duhet të ketë një dhomë lojërash me tavolinë pingpongu dhe kosh basketbolli. Duhet të organizohet edhe një shfaqje me lazer, për të cilën Makashi duhet të marrë leje nga autoriteti i aviacionit civil, pasi rrezet mund të verbojnë pilotët. Kur ai kthehet në Shqipëri, vendi nuk është më i njëjtë. Mijëra njerëz protestojnë kundër ndërtimit të një resorti luksoz ku pritet të investojë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Në thelb protestat janë kundër vetë qeverisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, pikërisht njeriut mbështetja e të cilit i duhet Makashit për koncertin. Dhe pikërisht tani mbaron seria e fatit të tij. Është mesi i qershorit, më pak se katër javë para koncertit. Sipërmarrësi i ndërtimit, Mark Luli, e ka përfunduar pjesën e tij të punës. Por mungon gjëja më e rëndësishme: tribunat. Të hënën thuhet se ato kanë mbetur të bllokuara në doganë. Të mërkurën thuhet se do të mbërrijnë të nesërmen. Të enjten Makashi shkruan: “Është bërë shumë. Jam pranë momentit ta hedh telefonin dhe të largohem.” Në atë moment, sipas tij, ishte shitur rreth gjysma e biletave, pak më shumë se 30 mijë. Një numër shumë i madh për një stadium që ende nuk ekzistonte. Por shumë pak për të mbuluar shpenzimet që vazhdonin të rriteshin. Makashi shpreson se më shumë bileta do të shiten sapo njerëzit të shohin stadiumin e përfunduar. Më 23 qershor, vetëm 18 ditë para koncertit, më në fund mbërrijnë kamionët e parë në kantier. Por janë vetëm dy nga njëqind. Tribunat, ndryshe nga sa ishte planifikuar fillimisht, nuk vijnë nga një furnizues i vetëm, por nga Kroacia, Polonia dhe Rumania. Makashi shan anulimet dhe çmimet e fryra. Pse e merr përsipër gjithë këtë? “Para 35 vitesh njerëzit në këtë vend vuanin për bukë,” thotë ai. “Askush nuk mendonte për argëtimin apo artin.” Ai dëshiron të bëjë të mundur diçka që vetë nuk e pati gjatë fëmijërisë. Ai dëshiron ta përdorë globin e Kanye-t për ta bërë Shqipërinë të njohur në botë. E hënë, 6 korrik – edhe pesë ditë deri në koncert Tribunat më në fund po montohen. Por ende mungojnë gjeneratorët për të realizuar provën e zërit. Mungojnë gjithashtu kullat ku do të vendosen projektorët. Backstage përbëhet vetëm nga paleta druri, panele kompensate dhe një tendë. “Nuk i shoh dyert të hapura të shtunën”, i tha një prej amerikanëve të ekipit të Kanye-t, tregon Makashi. Në Instagram tashmë qarkullojnë kode zbritjeje për biletat. Organizatori nga Berlini e pyet Makashin nëse mund t’i drejtohet edhe një herë qeverisë për mbështetje financiare, ndonëse më parë kishin premtuar se nuk do ta bënin. Përndryshe, koncerti mund të anulohej. Kështu e tregon Makashi. 4,2 milionë euro nga shteti Është e martë, 7 korrik. Edhe një herë një Mercedes ndalon në kantier. Këtë herë shoqërohet nga policë dhe truproja. Nga makina zbret një burrë i gjatë me atlete të bardha dhe syze dielli. Është Edi Rama. Ai ka ardhur për të xhiruar një video për Instagram. Ndoshta kjo do të ndikojë në rritjen e shitjes së biletave. Pasi përfundon xhirimet, ai qëndron në hijen e një tribune ende të papërfunduar dhe flet shkurt me gazetën Die ZEIT. “Në fillim isha skeptik”, pranon ai. “Klodi më dukej si një njeri me qëllime të mira, por edhe si dikush që ndonjëherë ëndërron pak më tepër seç duhet.” “Por vendosa t’i jap një shans.” Po për Kanye-n? “Ai ka kërkuar falje. Çdokush ka të drejtë të bëjë gabime”, thotë Rama. Sipas tij, koncerti e çon Shqipërinë “në një nivel të ri” dhe është koncerti më i madh në historinë e vendit. Pastaj largohet. Pa përmendur se vetëm pak orë më vonë do të shpërthente një debat i madh. Pak më pas, ekipi i tij publikon videon nga kantieri. Në të, Rama përmend pothuajse në mënyrë kalimtare se qeveria do të investojë 4,2 milionë euro për koncertin. Deputetët e opozitës zbulojnë se fondet janë marrë nga një fond i posaçëm i destinuar për fatkeqësitë natyrore. Kjo i shton edhe më shumë protestat. Në një video në Instagram i bëhet thirrje Kanye West të anulojë koncertin, në vend që të pranojë “paratë e të varfërve”. Në rrugët e Tiranës shfaqen postera me mbishkrimin: “Fuck Ye Rama.” Edi Rama përgjigjet me një tjetër video në Instagram. Çfarë duhej të bënte qeveria, pyet ai, kur përballë kishte zgjedhjen mes financimit ose anulimit të një koncerti për të cilin dhjetëra mijëra të huaj kishin blerë tashmë bileta? A duhej të lejonte që Shqipëria të turpërohej para botës? Ashtu si në debatin për resortin luksoz të Jared Kushner, edhe këtu lind akuza se qeveria po vendos një personazh të famshëm amerikan mbi interesat e qytetarëve të saj. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Kompania organizatore Street Life International gjithsesi do t’ia paguante Kanye West honorarin e tij, që sipas raportimeve arrinte në rreth gjashtë milionë euro. Me ose pa ndihmën e Tiranës. Në rast dështimi, humbjet do t’i mbante vetëm kompania gjermane. Pra, a e shpëtoi shteti shqiptar një kompani gjermane organizimi koncertesh? Die ZEIT kërkoi pa sukses një intervistë me kompaninë. Edhe pyetjeve me shkrim nuk iu përgjigj askush. Në WhatsApp erdhi vetëm një mesazh: “Nuk jemi të interesuar për një bisedë.” Edhe Ministria e Kulturës nuk dha përgjigje. E shtunë, 11 korrik Në orën 21:00 të mbrëmjes më në fund dëgjohet basi, aq i fuqishëm sa mund ta ndjesh fizikisht. Globi ndriçon. Të rinj me pantallona të shkurtra Adidas, kanotiere dhe çanta të vogla në bel vrapojnë drejt globit gjigant, ndërsa nxjerrin telefonat për të filmuar. Pastaj, në majë të globit hapet një kapak. Prej tij del një figurë e vogël e veshur me lëkurë. Është Kanye West. Ai është i lidhur me një litar sigurie, që të mos rrëshqasë nga globi. Ai nuk thotë as “Përshëndetje”, as “Mirupafshim”. Nuk thotë asgjë për Shqipërinë. Asgjë për protestat që po zhvillohen njëkohësisht në qendër të Tiranës. Thotë vetëm fjalitë e zakonshme të një koncerti: “Ngrini duart lart!” Të nesërmen, Makashi hap derën e zyrës së tij dhe kërkon falje që për disa ditë kishte qenë i paarritshëm. “Kam kaluar nëpër ferr”, thotë ai. Pastaj nis të tregojë për problemet e fundit. Për vinçin gjigant që qëndroi deri në momentin e fundit në kantier, sepse askush nuk gjente çelësin për ta lëvizur. Për naftën e gjeneratorëve, e cila mbërriti vetëm në sekondat e fundit. Për momentin kur, pak para fillimit të koncertit, të gjitha sistemet e kondicionimit në backstage u dogjën njëherësh. Gruaja e tij, tregon ai, shpërtheu në lot pak para fillimit të koncertit. Ishin lot lehtësimi. A ia vlejti? Financiarisht jo, thotë Makashi. Ai nuk fitoi para. Por në fund kjo nuk kishte më rëndësi për të. Ajo që kishte rëndësi ishte ta çonte projektin deri në fund. Kur qëndroi në tribunën VIP dhe pa mijëra njerëz përpara tij, e pushtoi sërish e njëjta ndjenjë lumturie. “Zot i madh… ia dolëm.” Kanye West nuk arriti ta takonte kurrë. Mes gjithë atij kaosi, Makashi nuk mori as një leje hyrjeje për backstage. Avioni privat i reperit u ngrit nga Tirana pa u takuar asnjëherë me njeriun që kishte ndërtuar stadiumin për të. As gazeta Die ZEIT nuk arriti të zhvillonte një intervistë me Kanye West gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Një natë para koncertit ai u shfaq papritur në një hotel me pesë yje në Tiranë. Gazetarja i dorëzoi truprojës së tij një letër me numrin e saj të WhatsApp-it. Por përgjigjja nuk erdhi kurrë./ Die ZEIT