Para Gjykatës, burri: Isha xheloz dhe i dehur, kujtova se më tradhtonte

Durrës

Dhunuan barbarisht dhe i prenë flokët Vosjava Arapit, në burg babë e bir

 Djali dhunues në gjyq: Nuk e kam qëlluar nënën time, vetëm babai

 

babe e bir ne gjykateBabë e bir kërkojnë falje dhe shprehen të penduar para Gjykatës lidhur me dhunimin dhe çnderimin që i bënë Vojsava Arapit, gruas 39-vjeçare të rrahur barbarisht nga familjarët e saj. Burri është shprehur para togave të zeza se ishte xheloz, ndërsa i biri se nuk e kishte prekur me dorë nënën e tij, por ishte i ati ai që e kishte dhunuar. Por, pavarësisht pendesës, faljes nga burri-dhunues dhe mohimit të dhunës nga 17-vjeçari, Gjykata e Durrësit vendosi të caktonte masën “Arrest me burg” dhe t’i lërë në dispozicion të hetimeve dy të arrestuarit. Gjergj dhe Pjetër Arapi akuzohen se kanë dhunuar Vojsava Arapin, duke i qethur kokën dhe rrahur me sende të forta për shkak se u kthye vonë në vatrën familjare.

 

Dëshmia

“Isha xheloz. Kam qenë i dehur, i kërkoj falje gruas, por dyshoja se më çnderonte dhe e kam kryer çdo gjë në gjendje të dehur”, – u shpreh Gjergj Arapi në sallën e gjyqit ku po shqyrtohej masa e sigurisë. Ndërkohë që, 17-vjeçari nuk pranoi se e ka dhunuar nënën e tij. “Jam i pafajshëm, mami u dhunua nga babi, jo nga unë. Flokët mamasë ia preu babi, jo unë. As nuk mund të ndërhyja dot, se nuk i bëja dot gjë babit. Ai është arrestuar 20 herë nga policia, e bën shpesh këtë”, – tha P. Arapi. Por, pavarësisht nga deklarimet e dy të akuzuarve, Gjykata i ka lënë ata në burg, ndërsa gruaja ka deklaruar publikisht se nuk ka për t’ia falur kurrë as të shoqit dhe sidomos të birit dhunën barbare ndaj saj.

 

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e diel. Pasi ka mbaruar punën si çdo ditë, Vojsava është kthyer në shtëpi. Sapo ka hyrë në të, bashkëshorti Gjergj Arapi i ka kërkuar llogari se përse ishte vonuar tri orë. Ai e ka sharë dhe ofenduar 39-vjeçaren duke e quajtur një femër të përdalë dhe më pas e ka rrahur. Të pranishëm gjatë ushtrimit të dhunës kanë qenë edhe dy fëmijët e çiftit. Djali i madh 17 vjeç ka mbështetur të atin dhe për ta ndëshkuar nënën ka marrë një brisk dhe i ka prerë flokët. Pas momentit të tmerrit, 39-vjeçarja ka marrë flokët e prerë dhe briskun dhe ka bërë denoncimin në polici. Policinë e ka njoftuar për ngjarjen edhe djali më i vogël i familjes.

 

 

 

Apel

Caktohet data, më 13 janar seanca për Xhelal Mziun

 Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, pritet të dalë sërish para Gjykatës, kësaj radhe në Apel, ku kërkon ndryshimin e masës. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Apelit, sipas së cilës, kjo çështje do të shqyrtohet në datën 13 janar të këtij viti nga gjyqtarja Zeqine Sollaku. Pikërisht në këtë datë do të merret një vendim për kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, i cili u arrestua në datën 20 dhjetor 2013 për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë pati dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Xhelal Mziun. Ky i fundit nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa ka deklaruar se do të përballet me drejtësinë, pasi është i pafajshëm.

 

Vlorë

Ndërpritet gjykimi, dosja transferohet për në Tiranë

 Pas transferimit të dosjes në Tiranë, Gjykata e Vlorës ndërpreu gjykimin ndaj Shpëtim Gjikës dhe të pandehurve të tjerë. Në seancën e djeshme gjyqësore, kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga dy avokatët mbrojtës. Pak ditë më parë, ka qenë Gjykata e Lartë ajo që ka vendosur pranimin e kërkesës së organit të akuzës për transferimin e dosjes, duke vendosur që Gjika të gjykohet në Tiranë. Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë, me pretekstin se Vlora nuk ofronte kushtet për zhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor, nisur edhe nga prania e madhe e mbështetësve të Gjikës ditëve të gjyqit. Gjika akuzohet për falsifikim të dokumenteve dhe dhënie të lejeve të ndërtimit.

 

Apel

Lirohet gjyqtari Lleshi, hetim në masën “Arrest shtëpie”

 Gjykata e Apelit ka liruar nga qelitë e paraburgimit dhe ka dërguar në shtëpi ish-gjyqtarin e Pukës, Shtjefën Lleshi, i akuzuar për skandalin e gjykatës ku ka qenë kryetar, ku liria fitohej kundrejt shumave të konsiderueshme parash. Në seancën e zhvilluar mëngjesin e djeshëm në Gjykatën e Apelit, gjyqtarja Zeqine Sollaku vendosi të pranonte kërkesën e të akuzuarit dhe avokatit të tij për ndryshim mase nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Pas vendimit, ashtu sikundër deklaroi muaj më parë kur ende nuk ishte arrestuar, Lleshi ka deklaruar se nuk do të largohet nga Shqipëria për t’iu shmangur hetimit. Në vendimin e djeshëm, gjyqtarja Sollaku argumentoi ndryshimin e masës, me faktin se Lleshi nuk përbën rrezik shoqëror dhe për këtë arsye nuk ka pse të qëndrojë në qeli. Kërkesa për lënien në “Arrest shtëpie” për Lleshin ishte bërë nga avokati i të pandehurit, Ardian Visha, ndërkohë që gjatë seancës, prokurori Shkëlqim Kokona ka kërkuar që Gjykata e Apelit të linte në fuqi masën e dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Më herët, në datën 27 dhjetor 2013, Gjykata e Apelit ka liruar 3 nga 6 të arrestuarit e skandalit të Pukës, mes tyre 1 prokuror, dy avokatë, kancelaren dhe sekretaren e Gjykatës së Pukës dhe një sekser.

 

 

 

Share it :