Pano: Bashkia e Tiranës arkëton 170 mln euro nga ndërtimet, çmimet e apartamenteve vijojnë rritjen

Pano: Bashkia e Tiranës arkëton 170 mln euro nga ndërtimet, çmimet e apartamenteve vijojnë rritjen

I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, Anëtari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Jonathan Pano, denoncoi atë që e cilësoi si një mekanizëm që po ushqen rritjen e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet.

Pano solli në vëmendje të ardhurat e larta të Bashkisë së Tiranës nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, duke deklaruar se vetëm në 8-mujorin e parë është realizuar 178% e planit vjetor, me rreth 16.5 miliardë lekë të ardhura.

Ai u shpreh se për sa kohë vijojnë ndërtimet dhe në treg qarkullon kapital i konsiderueshëm, përfshirë atë që ai e cilësoi si “para gri”, kërkesa për banesa mbetet e lartë dhe çmimet nuk kanë arsye të bien

Pano ngriti pikëpyetje mbi rolin e institucioneve në kontrollin e burimit të parave që investohen në sektorin e ndërtimit.

Pjesë nga intervista:

Në Shqipëri ne kemi një rritje të ofertës në treg në mënyrë massive dhe shikojmë nga krahu tjetër një rritje të çmimeve.

Unë e shikoj shumë të pamundur për këtë 10-vjeçarin e ardhshëm pjesën e uljeve të çmimeve, për dy arsye.

E para, nëse dhe ti do ishe ndërtues, flas, nuk të intereson fare nga vijnë lekët, për aq kohë sa ti po shet apartamente. Shteti nuk duhet të merret me ty si ndërtues, por me atë që ka lekët e pista. Dhe për aq kohë sa vjen ai të blen 3, 4, 5 kate, ti patjetër që do rrisësh çmimet, sepse ti nuk po merresh me 50 klientë, ti po merresh me 1 klient që ty po të rrit kërkesat.

Dhe e dyta, për t’u kthyer te Bashkia e Tiranës, taksa e ndikimit në infrastrukturë, vetëm në 8-mujorin e parë, pati një realizim 178 për qind të planit vjetor.

Kemi të ardhura 16.5 miliardë lekë, pra 170 milionë euro, që kemi vetëm nga taksa e infrastrukturës. Për aq kohë sa ndërtimet nuk ndalojnë, për aq kohë sa paraja qarkullon dhe fluksi monetar që hyn në Shqipëri, që kemi këtë paranë gri, siç e quajmë, shkon dhe rrit kërkesën për banesa, pjesa e çmimit në ndërtim nuk ndalon.

Faza e parë kjo. Faza e dytë, nëse kjo ndalon, do të kesh amnistinë. Faza e tretë, pastaj Shqipëria të futet në Bashkimin Europian, këto çmime mund të jenë akoma më atraktive për persona dhe për qytetarë.

Nëse ti je një ndërtues dhe do tjetri të të marrë 3 kate, ti nuk do merresh me 50 veta, do merresh me një person.

Share it :