Pagesat për koncesionet arrijnë në 1 miliard euro, 440 milionë shkuan për kontratat nën hetim

Pagesat për koncesionet arrijnë në 1 miliard euro, 440 milionë shkuan për kontratat nën hetim

Për periudhën 2017-2025 buxheti i shtetit ka paguar në total 98 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard euro, për 12 kontrata koncesionare: Rruga e Arbrit, skanimi, sterilizimi, laboratorët, Inceneratori i Tiranës, check-up, dializa, mirëmbajtja e rrugës Milot–Morinë, infrastruktura arsimore, Inceneratori i Fierit, rruga Orikum–Dukat dhe Inceneratori i Elbasanit. Sot, gati gjysma e kësaj shumë është nën hetim, ndërsa nuk ka përgjegjës për arkitektët e këtij abuzimi masiv! Teksa shumë nga këto koncesione po shkojnë drejt fundit nuk ka asnjë analizë se çfarë i sollën ekonomisë (përveç abuzimeve, ndoshta) dhe sa eficiente ishte (sh)përdorimi i parave të taksapaguesve në të ashtuquajturat skemat të partneritetit publik privat.

Pas vitit 2015, qeveria e zgjeroi me shpejtësi praktikën e dhënies me koncesion të një sërë shërbimesh dhe projektesh publike, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat (PPP).

Në ndryshim nga koncesionet e mëparshme, kur jepej në përdorim shërbimi, apo pasuria natyrore dhe shoqëritë i gjeneronin të ardhurat nga aktiviteti apo tarifat, përmes PPP-ve shteti merrte përsipër të paguante çdo vit nga buxheti.

Kjo politikë vijoi pavarësisht kundërshtimeve të hershme të institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që çdo kontratë të paraprihej nga një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve.

Në vitin 2015 u dhanë koncesioni i sterilizimit dhe ai i kontrollit shëndetësor bazë, i njohur si “check-up”. Në vitin 2016 u miratua koncesioni i dializës, ndërsa në vitin 2019 ai i laboratorëve, të gjitha kontrata në sektorin e shëndetësisë.

Në të njëjtën periudhë nisi edhe praktika e koncesioneve për trajtimin e mbetjeve. Kontrata për inceneratorin e Elbasanit u dha në vitin 2015, më pas u shtua ajo e Fierit në vitin 2017 dhe, në vitin 2019, koncesioni i Tiranës.

Në vitin 2017 u dha me koncesion mirëmbajtja e rrugës Milot–Morinë, ndërsa në vitin 2018 u miratua kontrata për Rrugën e Arbrit. U rishikua gjithashtu koncesioni i skanimit, i miratuar në vitin 2013 nga qeveria e atëhershme në ikje. Me synimin për të lehtësuar barrën financiare mbi bizneset, qeveria mori përsipër të paguante përmes buxhetit një pjesë të kostos së shërbimit.

Të gjitha këto kontrata përfituan pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Rritja e detyrimeve financiare nga koncesionet e detyroi qeverinë, pas presionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të vendoste një rregull fiskal për kufizimin e tyre.

Sipas këtij rregulli, shuma totale e pagesave vjetore neto të kryera nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që burojnë nga kontratat koncesionare ose Partneritetet Publike-Private, nuk duhet të tejkalojë 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm buxhetor.

Në rast të tejkalimit të këtij niveli, Këshilli i Ministrave duhet të marrë masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme për rikthimin brenda kufirit të lejuar gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Ky kufi nuk është tejkaluar deri tani, teksa të ardhurat tatimore janë rritur dhe numri i kontratave me pagesa direkte nga buxheti nuk është zgjeruar më tej, pas presionit të lartë ndërkombëtar. Në vitin 2025, pagesat për kontratat koncesionare përbënë vetëm 2% të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2024, nga 2.22% një vit më parë.

Megjithatë, niveli i ulët në raport me kufirin fiskal nuk dëshmon domosdoshmërisht eficiencën e këtyre shpenzimeve. Realiteti ka treguar se një pjesë e konsiderueshme e kontratave ka rezultuar joeficiente në kosto, ndërsa disa prej tyre janë tashmë objekt hetimi zyrtar nga SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të dhënat e Ministrisë së Financave për buxhetet faktike të periudhës 2017-2025, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se buxheti i shtetit ka paguar në total 98 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard euro, për 12 kontrata koncesionare:

Rruga e Arbrit, skanimi, sterilizimi, laboratorët, Inceneratori i Tiranës, check-up, dializa, mirëmbajtja e rrugës Milot–Morinë, infrastruktura arsimore, Inceneratori i Fierit, rruga Orikum–Dukat dhe Inceneratori i Elbasanit.

Pagesa më e lartë është kryer për Rrugën e Arbrit, me 22.6 miliardë lekë. Më pas renditet koncesioni i sterilizimit, me 14.8 miliardë lekë, skanimi me 13.7 miliardë lekë dhe Inceneratori i Tiranës me 8.4 miliardë lekë. (Shiko tabelën e plotë: Pagesat faktike nga buxheti i shtetit për koncesionet, 2017-2025).

Nga 12 koncesionet e financuara nga buxheti, për gjashtë prej tyre – tre inceneratorët, check-up, sterilizimin dhe laboratorët – është hapur një hetim zyrtar ose kanë nisur procedurat nga SPAK-u, me akuza që përfshijnë korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Për këto gjashtë kontrata, buxheti i shtetit ka paguar gjatë periudhës 2017-2025 gjithsej 44.4 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro. Kjo shumë përbën 44% të të gjitha pagesave të kryera nga buxheti për koncesionet.

Nga totali, gati 15 miliardë lekë janë paguar për projektet e inceneratorëve. Më shumë se gjysma e kësaj shume ka shkuar për koncesionin e Tiranës.

Ndërkohë, rreth 29.6 miliardë lekë janë paguar për tre koncesionet e shëndetësisë që janë nën hetim ose procedura nga SPAK-u. Gjysma e pagesave për këto koncesione ka shkuar vetëm për sterilizimin.

Edhe vetë Financat kanë shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërmjet shtetit dhe privatit, që janë instrumente të detyrueshme.

Së fundmi, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka publikuar projektin “Për miratimin e rregullave për përmbajtjen dhe formën e regjistrit elektronik të koncesioneve dhe Partneritetit Publik-Privat”, i cili synon të krijojë një bazë të unifikuar të dhënash për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të koncesioneve në ekonomi.

Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, aktualisht informacioni mbi kontratat e koncesioneve dhe PPP-ve administrohet në mënyrë të fragmentuar nga autoritetet kontraktuese, pa ekzistuar një sistem i vetëm kombëtar që garanton standardizimin e informacionit, përditësimin periodik të të dhënave dhe monitorimin në kohë reale të kontratave.

Kjo situatë krijon vështirësi në monitorimin institucional të kontratave, në analizimin e angazhimeve financiare të shtetit, në evidentimin e ndryshimeve kontraktore, si dhe në përgatitjen e raporteve për organet mbikëqyrëse dhe auditimin.

Aktivitetin e koncesioneve po e merr gradualisht shteti

Partneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve, një nga modelet që tërhoqën shumë sipërmarrje, për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit, po dalin gradualisht nga lista e më të mëdhave pas përfundimit të kontratave.

Pjesën më të madhe të tyre po e merr sërish shteti, teksa realiteti po tregon se ato nuk sollën ndonjë vlerë të shtuar, apo përfitime në kosto për publikun.

Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundoi në datën 31 dhjetor 2024, pasi ishte zgjatur edhe me dy vjet në janar 2023. Nga janari 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave kryhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

Një tjetër koncesion që ka përfunduar është ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Kontrata 10-vjeçare përfundonte më 1 gusht 2023, ndërsa qeveria vendosi ta shtyjë edhe me një vit. Në vitin 2024, i fundit i aktivitetit, shoqëria raportoi të ardhura prej 296 milionë lekësh, me tkurrje 37% me bazë vjetore.

Më 31 korrik 2023 përfundoi dhe kontrata me “Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë. Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, shoqëria i ka kaluar Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të koncesionit, mjediset e koncesionit dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.

Kompania shtetërore, që e kryen tashmë këtë shërbim “Identitek”, ka hyrë prej dy vitesh në listën e “Monitor 200”. Në vitin 2025 raportoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh, me rënie 3.8% me bazë vjetore.

“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, në vitin 2025, raportoi të ardhura prej 1.44 miliardë lekësh, në të njëjtin nivel me vitet e mëparshme.

Koncesionet e formës PPP, pagesat arritën rekord në 2025-n, katër koncesione përfundojnë këtë vit

Pas vitit 2018, qeveria ndoqi strategjinë e projekteve të Partneritetit Publik – Privat, ku kompania private angazhohet të kryejë një shërbim, përkundrejt pagesave vjetore nga buxheti i shtetit.

Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2025 rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Pagesat faktike për vitin 2025, në total arritën në 13.35 miliardë lekë, me rritje minimale vjetore prej 0.5%, duke shënuar nivelin më të lartë historik që prej vitit 2017, kur ka filluar raportimi.

Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, katër koncesione parashikohet të përfundojnë në vitin 2026, nga të cilat tre janë të sektorit të shëndetësisë, sterilizimi, kontrolli mjekësor (check up) dhe dializa. Koncesioni i katërt është ai për infrastrukturën arsimore në Tiranë.

Për të katërta koncesionet, pagesat në vitin 2025 ishin 4.4 miliardë lekë, ose 33% e pagesave totale.

“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).

Kompania raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh në vitin 2025, me tkurrje të fortë prej gati 39%, duke qenë një tjetër dalje e koncesioneve nga lista e “Monitor 200”.

Të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e përdorimit të rrugës në vitin 2025 janë 1.85 miliardë lekë, me rritje 12% me bazë vjetore.

Trafiku i rrugës Durrës-Kukës po rezulton më i lartë se parashikimet fillestare. Sipas raportit të aktivitetit, në kontratën e koncesionit është parashikuar që, në rast se shuma e të ardhurave nga tarifa e përdorimit të rrugës tejkalon kufirin e parashikuar në kontratë, 60% e këtij tejkalimi do t’i kthehet autoritetit kontraktues.

Shuma e përllogaritur për vitin ushtrimor, në bazë të kësaj kërkese të kontratës, është rreth 338 milionë lekë, nga 277 milionë lekë vitin e mëparshëm.

Sipas raportit vjetor, shoqëria ka 48 punonjës të shërbimit të mbledhjes së tarifës, 22 punonjës teknikë dhe operatorë të shërbimeve të mirëmbajtjes dhe të operimit të autostradës, si dhe 12 punonjës të tjerë administrate.

“SaniService” fitoi në vitin 2015 koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Kompania deklaroi të ardhura prej 1.56 miliardë lekësh në vitin 2025, pothuajse njëlloj me vitin e mëparshëm, duke mos hyrë në renditjen e “Monitor 200”.

Për këtë koncesion kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.

Sipas tabelës së koncesioneve të Ministrisë së Financave, ky koncesion përfundon në vitin 2026. Në maj 2026, sipas të dhënave të ekstraktit, kompania ka mbyllur adresat në mbi 30 njësi.

Që nga fillimi i aktivitetit, në vitin 2015 deri në 2025, shoqëria ka marrë gjithsej nga buxheti i shtetit 13.8 miliardë lekë, duke qenë deri tani koncesioni i dytë më i madh i formës PPP, pas Rrugës së Arbrit.

Kjo shumë është gati 40% më e lartë se kontrata fillestare e koncesionit të sterilizimit që ishte përllogaritur në 10 miliardë lekë, por kostot e pritshme u rishikuan më pas ndjeshëm në rritje, për shkak të numrit më të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe pagesës sipas shërbimit.

Shërbimi tashmë i ka kaluar shtetit. Në janar 2026, qeveria krijoi një shoqëri aksionare me kapital 100 për qind shtetëror “Operatori i shërbimeve të integruara të sterilizimit” SH.A. për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit.

Shoqëria e re shtetërore do të marrë përsipër të gjithë zinxhirin e shërbimeve të sterilizimit, nga furnizimi me instrumente kirurgjikale sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, deri te menaxhimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, trajtimi i mbetjeve spitalore me rrezik biologjik dhe digjitalizimi i procesit.

Të gjitha tarifat e këtyre shërbimeve do të arkëtohen nga vetë shoqëria, e cila do të financohet nga të ardhurat e saj dhe burime të tjera të ligjshme, duke ruajtur formalisht karakterin e shërbimit publik.

Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic”, raportoi të ardhura prej 731 milionë lekësh, në të njëjtin nivel me një vit më parë, sipas pagesave nga Ministria e Financave (kompania nuk e ka dorëzuar ende bilancin).

Aktiviteti kryesor i biznesit të shoqërisë përfshin paketën e shërbimit të kontrollit mjekësor për moshat 40 – 65 vjeç, për një periudhë prej 10 vjetësh, siç parashikohet në marrëveshjen e koncesionit nënshkruar ndërmjet “3P Life Logistic” sh.p.k. dhe Ministrisë së Shëndetësisë, më 7 janar 2015. Edhe për këtë koncesion, kanë nisur hetimet nga SPAK-u.

Edhe ky koncesion përfundon në fund të vitit 2026. Kontrata e Check-Up u pezullua nga marsi 2020 deri në shtator 2021 për rreth 17 muaj, si rrjedhojë e masave kufizuese në lëvizje për parandalimin e virusit.

Afati i pezullimit shkoi si shtyrje automatike që i lejon kompanisë ofrimin e shërbimit edhe për dy vite të tjera nga viti 2025.

Që nga fillimi i aktivitetit në vitin 2025, koncesioni ka marrë 6.7 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, raportoi në vitin 2025 rreth 937 milionë lekë të ardhura, me rritje 4.3% me bazë vjetore.

Kompania merr financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që ajo ofron prej disa vitesh në disa qytete të vendit. Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.

Edhe ky koncesion përfundon në vitin 2026, sipas tabelës së Ministrisë së Financave. Që nga fillimi i aktivitetit në vitin 2016, shoqëria ka marrë rreth 5.8 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit.

“Laboratory Networks” ofron me koncesion shërbimin laboratorik. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, arritën në nivelin më të lartë që kur filloi zbatimi i tij, në shifrën e 2 miliardë lekëve, me zgjerim 10% me bazë vjetore.

Ky është dhe koncesioni që po merr pagesat më të mëdha në fushën e shëndetësisë të cilat kanë dalë përtej parashikimit për shkak të projeksioneve të gabuara për nevojën për analiza.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019.

Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Edhe ky koncesion është në hetim nga SPAK-u. Shoqëria në vitin 2025 kishte 217 laborantë dhe 45 mjekë.

Inceneratorët

Inceneratorët mbeten ndër koncesionet më të debatuara në vend, për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve të konstatuara gjatë hetimeve të SPAK-ut. Të tria kontratat janë vendosur nën masa bllokuese ose sekuestroje, ndërsa hetimet kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e dhënies së tyre, përdorimin e fondeve publike dhe realizimin faktik të investimeve.

Koncesioni për trajtimin e mbetjeve në Elbasan, i zbatuar nga kompania “Albtek Energy”, kishte një kosto totale të parashikuar prej 5.3 miliardë lekësh dhe, sipas kontratës, kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë mbetje në ditë.

Kontrata u pezullua nga SPAK-u në mars të vitit 2022. Përpara bllokimit, kompania kishte përfituar financimet e parashikuara nga buxheti. Gjatë viteve 2022 dhe 2023 nuk u kryen pagesa të reja, ndërsa në periudhën 2017-2021 nga buxheti i shtetit u disbursuan në total 2.4 miliardë lekë.

Inceneratori i Fierit, i administruar nga “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, kishte kosto totale prej 3.97 miliardë lekësh dhe kapacitet të deklaruar përpunimi rreth 180-200 tonë në ditë.

Edhe ky koncesion u pezullua nga SPAK-u në mars 2022. Për atë vit, Ministria e Financave pagoi 376 milionë lekë, rreth 45% më pak se një vit më parë. Në total, gjatë periudhës 2017-2022, nga buxheti i shtetit u paguan rreth 4 miliardë lekë për këtë kontratë.

Projekti i tretë është ai për trajtimin e mbetjeve në Tiranë, i dhënë kompanisë “Integrated Energy B.V.” sh.p.k. Kostoja totale e kontratës përllogaritet në 40 miliardë lekë, ndërsa kapaciteti i parashikuar i përpunimit është rreth 550-800 tonë mbetje në ditë.

Pas një procesi të gjatë hetimor, në gusht 2023, Prokuroria e Posaçme vendosi masën e sekuestros preventive mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.”, zotëruese e koncesionit të Tiranës, si dhe mbi pasuritë e regjistruara në emër të saj.

Akuzat përfshijnë “mashtrimin me pasoja të rënda”, të kryer në bashkëpunim, “shpërdorimin e detyrës”, “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrimin e produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”.

Në vitin 2025, kompania deklaroi të ardhura nga përpunimi i mbetjeve prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie 10% me bazë vjetore sipas raportit të aktivitetit. Rënia e të ardhurave lidhet ndër të tjera nga riklasifikimi i të ardhurave nga interesat e klientëve si të ardhura financiare dhe nga ecuria e sasive të trajtuara.

Gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar mbetje nga bashkitë e qarkut dhe operatorë privatë me kontratë; sasia e trajtuar gjatë vitit ishte rreth 492,935 tonë, sipas të dhënave zyrtare. Shoqëria kishte 117 punonjës.

Koncesioni i mbetjeve në Tiranë i ka marrë rregullisht pagesat nga buxheti i shtetit, edhe pasi u vu në sekuestro, dhe ndonëse ai kryen vetëm shërbimin e menaxhimit të mbetjeve dhe nuk e ka kryer investimin e parashikuar për ndërtimin e inceneratorit.

Në vitin 2025, shoqëria mori 913 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa që nga viti 2017 ka marrë gjithsej 8.4 miliardë lekë.

Megjithatë, kompania thotë në raportin vjetor se grafiku i investimeve të kontratës koncesionare mbetet i parealizuar në afat; mënyra dhe afatet e realizimit të investimit të mbetur varen nga ecuria e procesit të administrimit dhe nga marrëveshjet me autoritetin kontraktor.

Gjatë vitit 2025, vlera e investimit në impiantin e trajtimit të mbetjeve, ku shoqëria është sipërmarrës dhe investitor sipas kontratës koncesionare, arriti 215 milionë lekë, nga 239 milionë lekë në vitin 2024.

Hetimet për të tre inceneratorët nxorën më qartë në pah se kontratat nuk sollën përmirësimin e pritshëm në menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kostot për buxhetin mbetën të larta. Inceneratori i Elbasanit funksionoi vetëm për një periudhë të kufizuar, ai i Fierit përfundoi së ndërtuari, por nuk u vu asnjëherë në funksion, ndërsa ndërtimi i inceneratorit të Tiranës nuk ka nisur.

Sipas hetimeve të SPAK-ut, shkeljet nisën që në procedurat e dhënies së koncesioneve dhe vijuan me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime të rreme dhe pagesa për punime të parealizuara.

Hetimi evidentoi gjithashtu përdorimin e skemave fiktive të pagesave për të fshehur origjinën dhe destinacionin e shumave monetare, si dhe faturime të rreme që dyshohet se janë përdorur për të fryrë shpenzimet dhe për të ulur detyrimet tatimore./ Monitor

Share it :