Anxhela Tato
Nis verifikimi i akuzave ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe 4 ish-zyrtarëve
Kallëzimi, abuzimi në shumën e 1.2 mln eurove për spote publicitare për Forcat e Armatosura
Regjistrohet procedimi penal ndaj Arben Imamit dhe katër ish-zyrtarëve për abuzimin në shumën prej 1.2 milionë eurosh. Dosja i ka kaluar organit të akuzës nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme pas vendimit të kryeprokurorit për nisjen e verifikimeve. Hetimi do të drejtohet nga anëtarët e task-forcës së Prokurorisë së Tiranës. Pas kallëzimit penal nga ministrja Mimi Kodheli, dosja ishte dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Por pas verifikimeve të rastit, kjo dosje është deleguar për moskompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Hetimet do të bëhen me qëllim për të parë nëse në këtë dosje ka elementë të veprës penale, atë të shpërdorimit të detyrës. Nëse gjatë hetimit prokurorët do të konstatojnë vepër penale në ngarkim të ish-ministrit, Arben Imami, ky i fundit do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila do të kërkojë edhe heqjen e imunitetit si deputet që është. Ndërkaq, zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen nga ana e Prokurorisë së Tiranës.
Abuzimi
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimit Publik dhe Drejtorisë Juridike të kësaj Ministrie janë dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës. Materiali voluminoz është përpiluar nga një grup ekspertësh të Ministrisë së Mbrojtjes dhe tashmë i është dorëzuar për hetime të mëtejshme zyrës së njësisë hetimore task-forcë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ia kaloi për verifikim Prokurorisë së Tiranës. Objekt-padia bën fjalë për rreth shtatë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë shkelur ligjin në rastet e shitjeve të pronave të ushtrisë, shitjen e 3 nëndetëseve dhe 4 anijeve siluruese, përdorimin e rezervave të naftës së ushtrisë për makinat gjatë fushatës elektorale, si dhe keqmenaxhimin e fondeve publike, lidhur me spotet televizive për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Bëhet fjalë për anëtarë dhe kryetarë të komisioneve tenderuese, që pritet të hetohen si dhe vetë ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zyrtar ky që është përfolur shumë për afera korruptive në ushtri, gjatë kohës kur PS ishte në opozitë. Materiali kallëzues është referuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazinë në tender dhe ankande publike.
Rasti i spoteve në TV
Rast tjetër flagrant lidhet edhe me shumat financiare që janë shpenzuar për spotet publicitare në televizione për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një shumë 1.2 milionë euro që është shpenzuar në këtë drejtim, duke përdorur argumentit e futjes së ushtrisë shqiptare në aleancën e madhe të NATO-s. Të gjitha spotet janë kryer duke pasqyruar arritjen e ushtrisë shqiptare, përfshirë këtu edhe futjen e saj në NATO. Duke përdorur emrin e kësaj organizate politiko-ushtarake, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë abuzuar me fondet e spoteve televizive, ku në shumicën e rasteve këto spote u janë dhënë për transmetim televizioneve qeveritare.
Rasti i nëndetëseve
Një shkelje tepër e rëndë është konsideruar nga zyrtarët aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes shitja për skrap e 3 nëndetëseve të bazës së Pashalimanit, 4 anijeve siluruese në Bisht-Pallë si dhe dy depove me silurë dhe mina detare. Sipas kallëzimit të Ministrisë, për kthimin në skrap të flotës detare ish-ministri me një urdhër të tij, ka ngritur një grup pune me ekspertë ekonomikë, juristë dhe një specialist detar, ku kanë bërë verifikimin në teren të pajisjeve motorike detare dhe dy depove që përmbanin municione të tipit silurë dhe mina detare. Ky grup personash ka përcaktuar vlerën e shitjes për 1 kg hekur të mjeteve lundruese, ku sipas kallëzimit të Ministrisë në këtë rast është përdorur një shitje me dy çmime të ndryshme, pasi vlera e një kilogram hekuri mbi ujë është blerë me 34 lekë, ndërsa skrapi nën ujë, 18 lekë për kg, duke argumentuar këtë çmim me faktin se pjesa e hekurit që kishte qëndruar nën ujë ishte konsumuar nga ndryshku.
Shoqërimi
Miku i Dajtit, 20 min në polici: Formë presioni që të mos marr pjesë në gjyq
Shoqërohet në komisariat për vetëm 20 minuta një ndër miqtë e të pandehurit Dritan Dajti. Verifikimi i dokumenteve të automjetit mësohet se ka qenë shkaku, me të cilin efektivët e patrullës së policisë i kanë kërkuar Bledar Musait që t’i ndiqte për në komisariat, duke i thënë se kanë urdhër ndaj tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur disa minuta pasi kishte përfunduar seanca e djeshme gjyqësore. Për gati 20 minuta, Bledar Musai është marrë në pyetje në komisariatin e policisë nr. 3. Objekti i bisedës ka qenë dokumentacioni i automjetit, sipas të cilit makina është në pronësinë e një personi tjetër, por në përdorimin e mikut të Dajtit. Gjatë gjithë qëndrimit në polici Bledar Musait i është bërë pyetje për arsyen pse automjeti nuk figuronte në emrin e tij. Ndërsa ai i është përgjigjur se është lëshuar një prokurë e rregullt ligjore, që i jep të drejtë të përdorë makinën. Një pikë tjetër ku është përqendruar pyetësori i policisë ka të bëjë me targat e makinës. Sipas policisë, i shoqëruari nuk duhet të mbante targat e Elbasanit, për sa kohë që është nga Durrësi, me banim në Tiranë. Të shoqëruarit i është kërkuar informacion për motivin që vazhdon ta mbajë automjetin me targë EL. Bledar Musai është përgjigjur se nuk paraqet asnjë problem ligjor ose shkelje rregullash nëse makinën nuk e mban me targat e vendit ku po jeton aktualisht. Ndërkohë, vetë Bledar Musai nuk e ka ende të qartë arsyen e shoqërimit për dokumente, të cilat janë hartuar brenda kritereve ligjore dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi me automjetin. Ai shprehet se kjo është thjesht një formë presioni që të mos marrë pjesë në seanca gjyqësore. “Është formë presioni kjo që bëhet nga policia, për të cilët unë jam i afërmi i Dajtit”. Ndërkohë, sipas policisë, të tilla shoqërime realizohen në kuadër të operacionit për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe është një procedurë rutinë, por në asnjë moment nuk qartësohet motivacioni i marrjes në pyetje së mikut të Dajtit, ndonëse ka rezultuar se dokumentacioni i automjetit ka qenë i rregullt dhe jo me shkelje.




