Pa titull

 

images (8)

Esmerina Zalli

…….

Ka nji copë herë që rri n’ballkon, tue vrejtë

kto re tekanjoze që idhnueshëm kacafyten ndër veti,

e tue dashtë me zotnue fronin e qiejve mbikresë,

ma kanë zhubrosë edhe hanën e qiellit tim.

Asht ba kaq terr në natën time,

sa nuk e di si ka me e gjetë rrugën me mbërri

dita e të nesërmeve.

Po ai diell mardhun vetmije,

thue ka me m’ndihmue me e çilë nji rreze të lirë

n’qiellin tim t’pahanë ?

…

Tue pritë për nji përgjigje, shtëllungat e territ më ngatërrojnë ndër veshë veç nji ulurimë të largët ujku.

Po hyj mbrendë ma mirë.

Pa kenë krejt e bindun për arsyen, tash që me fshehjen e dritës

çdo za e zhurmë ditësore i asht kthye prap vedit, tash që nata më nep leje me ndigjue atë që s’e shof dot, erdh e m’u ul në zemër nji mall amnor.

Në fakt, nuk do doja kurrësesi me ia nis kryerradhëve me nji pjesëz

mohore po të mos bahej fjalë për nanën. Me e kqyrë prej jashtë, e di, mbase edhe mundet mos me tingëllue pranëvënie e arsyetueshme ndonjifarësoj, por nse prej teje lypet me rrëfye dimnin e saj ma të gjatë, e nse të kërkohet që këtë t’përpiqesh me e ba me fjalë… Që për me kenë e drejtë me vedin qysh pa ia nisë, duhet pranue se në krejt vrundujt e fjalëve që ti je tue rrëmue me nxjerrë ndonjigja e cila meriton me kenë e “ndëshkueme” me randesën e nji rrëfimi të atillë, në rastin ma fatlum ia mbërrin me gjetë veç ndoca rranjë të brishta ironie, t’pazonja me mbi kurrkund. Paksa ma andej duhmë fjalësh t’nji gjuhe të tjetërsueme nga myku i heshtjes dhe… pjesëza mohore, – oh sa shumë mundesh me gjetë nga këto të fundit!…

Sidoqoftë e ngutshme në këtë mes, që me fillue disi me e nda peshën e atij dimni, të duhet me sajue nji mënyrë sesi me i përdorë krejt këto në vend të fjalëve që s’gjen. Mirë, nse sforcohem paksa ma tepër, mbërrij me kuptue se ajo çka veçanërisht s’e shkulë kujtesash atë “dimër në mohore”, nanës (sidomos asaj!), përveçse i pat mbërthye shtatin tue e zanë ne befasi, mes duerve të ngrieme i pat vendosë edhe nji bosh t’mbushun me kufinj e ndalesa.

Ajo, pa pasë kohë me e kuptue (nëse këto gjana duhen kuptue, sigurisht!) e as ndonji vendndalim sa me ripërtëri frymët e turbullueme, krejt rininë e saj të hershme duket të jetë përpjekë si e si me gjete nji mënyrë me e kthye atë bosh andej kah ia zvogëlonte mundësinë me ia prekë zemrën akoma të njomun me shpresë.

Sa më përket mue, rrekem të besoj që duhet të kem fillue me e ndi aromën e tij veç atëherë kur kam mësue me ia përgjue sytë nanës.

Andaj sa herë që zihet në gojë ajo stinë e ashpër që i ka parapri

ardhjes time në Këtu, para se me guxue me thanë ndonji gja të ndrequn e të stolisun me diell e forcë rinore, më duhet me u sigurue që ajo akoma vazhdon të përpiqet me i rigjetë shkëndijat e mbrame të shpresës në thellësi të syve të vet.

Nuk po due me e lëshue zemrën ndër trazime nostalgjike, jo! Druej që në nji orë si kjo, asht diçka pothuejse zanafillore ajo që po më thërret me iu kthye nanës si kurrëtjetërherë. Kështu, duhet me pas kenë mueji shtator i vjetit 1990 kur ajo ka lindë amësinë e vet të parë nëpërmjet meje, e edhe unë të parën rrahje të zemrës nëpërmjet pulsit të saj. Por nga mundesha me e ditë se atëbotë nana ime sa ish kthye nga ajo stinë mohimesh, gjatë të cilës se nga kishte gjetë shteg me u përzie me ajrin edhe njifarësoj hiri i pangjyrë e i paformë? Hi po e quej unë, se ajo duhet t’ketë kenë nji diçka e pakenun që s’kuptohej sesi mbërrinte që perveç syve t’u hidhej edhe zemrave, dashnive e ngado ku vërehej mundësia e gjallimit të ndonji përmase matanë fizikes…(A mos thue pa dashtë jam tue folë me za shumë të naltë?)

Prej në vogëlinë e hershme, të gjithë nanat që kishin përjetue atë “dimën ne mohore”, anipse secila në mënyrën e vet, më dukeshin të ngjanin disi të pakuptueshme e misterioze.

Pajtoheshin e s’bëzanin ndaj gjendjesh për të cilat duhej luftue për të kundërtën ngase përditshmënia e kalbun ia kishtë zhveshë imagjinatën e ngri dëshirat, e sidomos heshtnin…oh, e zgjedhonin heshtjen edhe në kohët ma të pamuejtuna, tue permbysë gramatikën e krejt gjuhëve të botës!

Më kujtohet mirë edhe kur kam fillue me ndje sesi hovnin me vrull dëngje të tana pyetjesh t’ngatërrueme me njena-tjetrën dhe sapo shikimi më rrëshqiste në portretin e lodhun të nanës, ndodhte që edhe unë të gjeja menjiherë domosdosshmërinë me i heshtë ato pyetje, para se të nisnin me lëshue shtat e me shpërthye n’filiza.

Pra meqënëse kujtimi i diçkaje thuajse asnjiherë nuk mjafton që të hidhet mbas shpinde veç tue mendue per të metat e asaj gja, ashtu edhe masa e turbullt që la në fund të enës ajo stinë, me sa duket nuk u asgjësue dot me aq vetëbesim sa ç’pritej nga të mbijetuemit.

Tue u rritë vërej, unë doja gjith’herë e ma fort me ditë pikërisht për gjana që asokohe në shtëpinë tonë akoma nuk ishte ba zakon me u thanë me za të naltë, si përshembull; për Zotin. Ose thanë në nji mnyrë ma të kuptueshme për gjuhën e thartë të asaj stine: për ish- Zotin!

Porse sa herë merrja zemër me e çilë temën, kisha frikë se nuk kam me ditë si me e ndërtue nji pyetje të saktë që mbrendësonte ketë fjalë të përçudnueme…Mandej si për me dashtë me e mbështetë hezitimin tim, gati çdo herë e çdo ditë, njerëzit e shpisë ose ishin të zanun me diçka, ose nga forca e zakonit harronin me u ndalë. Siç dukej, lufta për mbijetesë ia kishte gjymtue aftësinë me kërkue përtej asaj që u ishte dhanë me racion prej kur mundnin me mbajtë mend.

Kurse nevojat shpirtnore, mbasiqë ngopen me gjana që nuk mundet t ndahen e paketohen në racione, themeluesit e “dimnit”, pa humbë shumë kohë,dukej që ishin kujdesë me i shpallë të pakenuna e madje të damshme për largpamësinë e “ecjepërpara-dashësve”, e sigurisht në mbështetje emocionale të kësaj, hapësinat kudo ku ndodheshin, në vend të tri përmasave tradicionale i kishin përmbledhë krejt estetikisht në horizontalen e qëllimeve të kthjellëta!

Nanës (sidomos asaj!, m’duhet me përsëritë…), pjesën dërrmuese të herëve unë nuk ndjeja nevojë me i shkue afër që me e kuptue nse kishte ardhë çasti i duhun me folë për ato “ish-gjanat e ndalueme”. Këtë mundja ta shqueja fort mirë edhe prej në qoshen ku isha e ulun e hiqesha sikur isha zhytur në leximin e ndonji libri. Çdo veprim i saj, çdo bisedë e ngutshme sipërfaqësore, ndjeshmënia e lëndueshme e madje edhe toni i ashpërsuem i zanit, dëshmonin që zemrën e kishte akoma të mpime. Po, krejt të mpime me durim.

Ajo që më trishtonte ma së tepërmi, nuk ishte gjendja në të cilën isha e detyrueme të kaloja vitet ma të njoma duke u përballë me mangësi e mungesa thelbësore, por ishte pikërisht kjo nanë e heshtun me të cilën njihesha rishtazi sa herë më duhej me u rritë.

Sa e sa netë duhet të kem harrue nevojën për gjumë nga nevoja me mësue se çka pëshpëriste ajo gjate “dimnit në mohore” kur gjendej ngjitë me të fshehtën e shpirtit të vet, kujt i thërriste aty ku njerëzit s’mbërrijnë dot, kujt i blatonte mirënjohjen e falenderimin… Thue a arrinte dot ma ta ndjente këtë nevojë, kur pjesën ma të madhe të kohës gjithçka ajo përpiqej me e fjalëzue mbetej pezull nëpër psherëtima që s’lejohej me u ba fjalë, e as (mos qoftë e thanë!) me u ba lutje.

Njimend, çka pëshpëriste nana sa herë i mbyllte sytë me zbritë në zemër? Ndoshta shumë vonë, thuejse ngjitë me lindjen e dritës së re, gati si ngushëllim i mezipritun më erdhën në kujtesë dy vargje ku poeti shkruen brishtë: “Psherëtimat janë ninulla për dashurinë që fle Për t’u zgjue në nji kohë ma të mirë”

Sikur edhe veç për nji moment të ishte në dorën teme, do doja me ba gjith’ çka të mundja veç që nanat (ah, sidomos ato!) me e rigjetë atë lutje të humbun gjurmëve te Zotit të ndaluem…Por mbi të tana, me kenë të lira së paku me ia ndi mungesën asaj kange të zanafillës.

Diçka si ngazëllim më shtyn me besue që nji nanë e lirë ban të tillë çdo gja që vjen me të e nëpërmjet saj, ashtuqë krejt njerëzimit me ia lehtësue rrugën mallplotë drejt Shtëpisë.

E nse kjo ndodhë, atëherë ajo “kohë ma e mirë” t’cilën dashnia e pret për me u zgjue, mundet me kenë pikërisht ky çast. Ku me e ditë.

Tekembramja lutja e nanës, a s’duhej të qe ajo diçka që të ndërmendë drithërimën e kredhjes në kullueshmërinë e nji lumi, i cili paprâ rrjedhë vetveten kah Burimi?

Fundshtator i vjetit 2015, n’Stamboll

 

 

 

 

 

Share it :