Opozita kërkon rikthimin e komisionit hetimor në polici/ Basha, qeverisë: Në Evropë nuk shkohet kundër opozitës

Florenc Drizari

 

 “Aleati ynë i madh strategjik i kërkon qeverisë të gjejë shpejt bashkëpunimin me opozitën”

 

Mbledhja_e_Grupit_Parlamentar_te_PD-sePartia Demokratike i kërkoi qeverisë që të rikthejë miratimin e komisionit hetimor në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, tha se opozita nuk tërhiqet nga rrëzimi i kërkesës që u bë në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve. Basha citoi edhe deklaratat e fundit të bëra nga zyrtarë të lartë amerikanë, duke vënë theksin tek bashkëpunimi me opozitën nga ana e qeverisë, si një kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Basha gjithashtu i kujtoi Kryeministrit Rama se jo gjithmonë i ka mbështetur hapat për integrimin në BE kur ishte në opozitë dhe se aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, ShBA, i kërkoi këto ditë qeverisë shqiptare të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën. “Dhe ka njëfarë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo dhe aq shumë. Pra, duhet vepruar sa më shpejt”, – ishte mesazhi sipas kreut të PD-së.

Para deputetëve demokratë, Basha paralajmëroi kreun e ekzekutivit dhe atë të Kuvendit të Shqipërisë për rolin që ka opozita në çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian “Rama dhe Meta duhet ta dinë se nuk shkohet në Evropë me arrogancë, duke goditur konsensusin, duke goditur ligjin dhe Kushtetutën, duke goditur institucionet e pavarura, duke hedhur në erë urat e bashkëpunimit me opozitën. Nuk shkohet në Evropë kundër opozitës. Shkohet me të”, – ka theksuar Basha.

Duke folur për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për emërimet e bëra në Policinë e Shtetit, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ky është komisioni i dytë që shumica parlamentare i rrëzon opozitës, pas mosvotimit të kërkesës për hetim parlamentar në serverët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

“Hiqni dorë, tërhiquni, hapini rrugën komisionit hetimor të kërkuar nga opozita, merrni pjesë në komisionin hetimor të kërkuar nga opozita, hetoni dhe ju bashkë me ne, kërkoni dhe ju bashkë me ne të kthehet ligjshmëria në Policinë e Shtetit, si kusht sine qua non për rikthimin e rendit në parametrat e normalitetit”, – ishte mesazhi i kryetarit të opozitës ndaj krerëve të mazhorancës, Rama-Meta.

 

Për rendin publik

 Duke folur për ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vend dhe rendin publik, kreu i PD-së, Basha, akuzoi përfaqësuesit e qeverisë për prishjen e strukturës drejtuese në policinë e shtetit.

“Zhdukën me një të rënë të lapsit gjithë kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, çfarë nuk kishte ndodhur kurrë më pare. Eliminuan struktura të tëra të ngritura në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Hoqën me urdhra të paligjshëm qindra profesionistë. Sollën militantët, sollën numëruesit e partisë, sollën klientelën. Sollën edhe individë me precedentë penalë dhe me rekorde në fushën e krimit, duke dhënë përmes tyre mesazhin ogurzi se policia nuk është më vendi ku krimi luftohet, por ku krimi punësohet. E panë rendin si një vend për të shpërblyer militantët, për të vënë para. Dhe ja ku kanë janë tani me kupolën politike të policisë së tyre, që vjen vërdallë jo duke e luftuar, por duke u xhiruar nga krimi dhe pasiguria e përgjithshme”, – deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Rrëzimi i kërkesës së PD-së në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve nga shumica parlamentare pritet të sjellë debate këtë të enjte në seancën plenare, ku opozita pritet të ngrejë shqetësimin e emërimeve në Policinë e Shtetit dhe mohimin e të drejtës për hetim parlamentar. Nga ana e përfaqësuesve të qeverisë, rrëzimi i kërkesës së opozitës u bë me argumentimin se më parë nuk ishte ngritur një komision i ngjashëm në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

Basha-Lidington: Fushata antiligjore e qeverisë, shqetësim mbarëpopullor

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim ministrin për Çështjet Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington. Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, kreu i opozitës, Lulzim Basha, dhe David Lidington diskutuan për marrëdhëniet midis të dyja vendeve, integrimin evropian të Shqipërisë, zhvillimet politike në vend si dhe për forcimin e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Partisë Konservative. Në këtë takim, “Basha e njohu ministrin Lidington me shqetësimin tashmë mbarëpopullor për fushatën antikushtetuese, antiligjore dhe në kundërshtim të hapur më parimet e shtetit ligjor që qeveria dhe mazhoranca po intensifikojnë dita ditës në vend që filloi me shkeljen e paprecedentë të konsensusit dhe sulmin për zhbërjen e administratës publike profesioniste dhe zëvendësimin e saj me militante dhe po vijon me: Uzurpimin dhe politizimin e Policisë së Shtetit në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet e një policie profesioniste; zhbërjen e njësive profesioniste të luftës kundër krimit e korrupsionit dhe përdorimin e policisë në tejkalim të kompetencave ligjore çka ka sjellë një rritje drastike të krimit në vend, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve për jetën, lirinë dhe pronën e tyre. Moszbatimin e vendimeve të gjykatave si në rastin e INSTAT; sulmin primitiv ndaj institucioneve të pavarura si ILDKP, AMA, SHISH; presionin e paskrupullt ndaj gjyqësorit; vjedhjen e votës së lirë të shqiptarëve në zgjedhjet vendore në Korçë; grabitjen përpara kamerave të miliona të dhënave konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, nga ndërhyrja e paligjshme në serverin e tatimeve. Në kundërshtim flagrant me parimet demokratike dhe traditën parlamentare në vend, mazhoranca Rama-Meta me dy vendime haptazi antikushtetuese ka shkelur të drejtën e opozitës dhe të zgjedhurve të sovranit për ngritjen e komisioneve investigative parlamentare”, – u shpreh Basha, njofton zyra e shtypit e Partisë Demokratike.

 

Share it :