Florenc Drizari
Ivi Kaso: PD, gati paketën ligjore për të shkarkuarit nga puna në administratë
Partia Demokratike pritet të publikojë së shpejti një paketë ligjore për të gjithë të shkarkuarit nga puna në administratën publike. Përfaqësues ligjorë të Partisë Demokratike thonë se paketa ligjore pritet të bëhet publike pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me rrëzimin e aktit normativ të qeverisë për nëpunësin civil. Sipas demokratëve, numri i të shkarkuarve nga puna në administratë ka shkuar në rreth 4 mijë individë, ndërkohë që ankesë pranë zyrave të PD-së kanë bërë rreth 1500 prej tyre. Rreth 200 dosje janë në proces gjyqësore të ngritur nga vetë qytetarët e shkarkuar nga puna në administratë, ndërkohë që pas zbardhjes së vendimit të Kushtetueses, të tjera dosje pritet të shkojnë për gjykim.
Partia Demokratike, subjekti që kërkoi shfuqizimin e aktit normativ për ligjin e nëpunësit civil, deklaron se pavarësisht nga koha kur do të zbardhet vendimi që u ka dhënë të drejtë, të gjitha largimet nga puna të bëra pas datës 1 tetor janë të pavlefshme.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, deklaroi një ditë më parë për mediet se pavarësisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka rrëzuar aktin normativ si antikushtetues, vërehen ende praktika nga administrata për të zbatuar ligjin e vjetër.
Këto nisma, sipas z. Kaso, vazhdojnë e zbatojnë ligjin e vjetër të nëpunësit civil kur vetë akti normativ që e shtyu hyrjen në fuqi të ligjit dhe i zgjati në mënyrë artificiale jetën ligjit të vjetër të nëpunësit civil, është deklaruar antikushtetues.
“Në një shtet normal demokratik kur akti normativ deklarohet antikushtetues, ligji hyn në fuqi në datën kur e ka parashikuar legjislatori. Pra, në datën 1 tetor kemi hyrjen në fuqi të ligjit të ri të nëpunësit civil dhe të gjitha veprimet e kryera pas datës 1 tetor nuk mund të kryhen më me ligjin e vjetër për nëpunësin civil, por duhen kryer në bazë të ligjit të ri”, – deklaroi Kaso.
Sipas tij, Partia Demokratikë është në fazën përmbyllëse të hartimit të paketës ligjore që pritet të shërbejë si udhëzues për të shkarkuarit nga puna në administratë.
Ivi Kaso
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e konsideroi si antiligjor aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil, Partia Demokratike është duke përgatitur një paketë ligjore e cila do të bëhet së shpejti e ditur pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paketë e cila do t’i vihet në dispozicion çdo të larguari nga puna në administratën shtetërore dhe do të shërbejë si udhëzues ligjor për çdo të larguar nga punë në mënyrë të padrejtë nga administrata”, – ka thënë një ditë më parë përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso.
Pak javë më parë, u publikua lajmi se Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues aktin normativ të nëpunësit civil, të miratuar nga qeveria në vjeshtën e këtij viti. Drafti i qeverisë u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila mbështeti argumentet se akti normativ thyente marrëveshjen e sesionit të shkuar parlamentar dhe se vendimi po ndërmerrej për të punësuar militantë partiakë në radhët e administratës publike.
Tejkalimet e planit në dogana, PD: Mashtrim i qeverisë, shqiptarët po zhvaten
Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po mashtron shqiptarët me deklaratat për tejkalim të planit të të ardhurave në dogana.
Deputeti i PD-së, Florion Mima, në një deklaratë për mediet theksoi sot se “teksa dëgjonim ‘paradën e sukseseve’ të agjencisë kryesore të të hyrave publike, me gjoja tejkalime me 28% të planit të ulur të të ardhurave, miratuar me aktin normativ të fundvitit 2013, nuk kishte si mos të të binte në sy se kjo shifër ishte pikërisht ajo që ne paralajmëruam që të ardhurat të mos uleshin dhe të mos borxhohej vendi në mënyrë të panevojshme, por të përvisheshin mëngët dhe të mblidheshin të hyrat që ekonomia reale, jo ajo në krizë e Edi Ramës, prodhonte”.
Sipas deputetit të PD-së, “shqiptarët do të paguajnë edhe për gjoja tejkalimet e të ardhurave. Sasitë dy apo trefish më të larta në zhdoganimin e cigareve dhe karburanteve gjatë muajit dhjetor 2013, për të shmangur regjimin e ri fiskal me taksat e reja që do të hynin në fuqi me 1 janar 2014, përfaqësojnë para qe jo vetëm mungojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por që në të njëjtën kohë u zhvaten atyre paralelisht njëlloj sikur për këto mallra të ishin paguar akciza e re dhe taksa e re e qarkullimit duke aplikuar çmime të rritura ekzaktësisht sa masa e taksave të reja”.
Ndërkohë, pak ditë më parë, drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, deklaroi se “tremujori i fundit i vitit 2013 ka qenë mjaft i suksesshëm për sa i përket mbledhjes së të ardhurave”. Sipas Spiropalit, dhjetori i vitit 2013 mund të konsiderohet si muaji më i suksesshëm në historinë e doganave në mbledhjen e të ardhurave.
“Dhjetori i 2013-ës rezulton të jetë muaji më i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave në historinë e doganës me 16.5 miliardë lekë të arkëtuara ose 165 milionë dollarë. Me një realizim rekord të parashikimit financiar prej 129 për qind. Në dhjetor 2013 ka arkëtuar për shtetin shqiptar 4.2 miliardë lekë më shumë se dhjetor 2012”, – pati thënë Spiropali.
Sipas drejtores së Doganave, këto arritje janë rezultat i një serie masash të ndërmarra në fushën organizative, por edhe në atë të luftës antikorrupsion duke prerë dhe ndëshkuar lidhjet korruptive brenda sistemit doganor.




