Operacioni antidrogë/ Kimistja Valentina Tufina, ideatore e rrjetit të narkotrafikut

 Anxhela Tato

kokaine ne shpi Prokuroria: Kimistja “pika kyçe”, seleksiononte, përziente dhe caktonte vleftën financiare të drogës në treg

 Ngelet pa akuzë Astrit Bushi, u prangos si person i dyshuar për lidhje me baronin e drogës Gëzim Çela

 Ngelet pa akuza laçiani Astrit Bushi, i cili u prangos mëngjesin e djeshëm si person i dyshuar për përfshirje në rrjetin e drogës të Gëzim Çelës. Ende asnjë informacion nga ana e organit të akuzës që urdhëroi prangosjen e Bushit, personazh me precedentë penal dhe emër i njohur në botën e krimit. Ndonëse dyshimeve se Bushi mund të ketë fije lidhëse me të shpallurin në kërkim Çela, nuk është bërë me dije akuza me të cilën do të procedohet laçiani. Arsyeja e prangosjes së Bushit do të mbetet një “mister” në pritje të daljes para gjykatës, ku do të bëhet me dije nga prokuroria për çka iu vu pas hekurave ky personazh, i cili shumë herë ka arritur t’ia hedhë bluve. Pavarësisht një mega-operacioni për një rrjet të mirorganizuar të trafikut të drogës, emri i Bushit dhe biznesmenit fierak Arjan Shanaj nuk bëhen publike në komunikatë. Ndonëse parimit të ruajtjes së sekretit hetimor dhe fshehtësisë së operacionit, mësohet se aktualisht nuk ka asnjë akuzë për një persona të prangosur si i lidhur me kartelet e drogës. Ndërkohë që për Arjan Shanaj prokuroria ka vetëm një akuzë, atë të armëmbajtjes pa leje. Për të dy të prangosurit ka pasur sinjalizime që mund të lidhin me baronin e drogës “Gëzim Çela”, por ende dosja është në fazën e verifikimeve paraprake. Nga prokuroria është kërkuar zbardhja e tabulateve telefonike dhe kontrolli i banesës së dy të prangosurve. Gjithashtu është urdhëruar edhe bllokimi i aktiviteteve financiare të dy të prangosurve.

 

Arrestimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi dhe arrestojnë dy të paprekshmit, fierakun Arjan Shanaj dhe laçjanin Astrit Bushi. Dyshohen për lidhje me rrjetin e kokainës së Çelës. Policia ka arrestuar në Tiranë dhe Laç dy persona që deri disa kohë më parë konsideroheshin si të paprekshëm nga uniformat blu. Super-operacioni që drejtohej nga prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini dhe zv.drejtori i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, ka futur në rrjetën e tij dy shtetasit Arjan Shanaj nga Fieri dhe Astrit Bushin në qytetin e Laçit. Shanaj është kapur nga shërbimet e komisariatit numër 2 në afërsi të rrugës “Ismail Qemali” në zonën e ish-Bllokut me dy pistoleta në makinë, një “Bereta” dhe një revolver Smith si dhe një sasi fishekësh. Rreth orës 01:00 pas mesnate oficerët e policisë gjyqësore të komisariatit kanë arrestuar Shanajn për akuzën e mbajtjes së armëve dhe municioneve pa leje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime se Arjan Shanaj është i implikuar në trafikun e drogës, së bashku me të kërkuarin si kapo i rrjetit të kokainës Gëzim Çela. Arrestimi i Shanajt që aktualisht administron kompaninë tregtare “ALPAR” sh.p.k., vjen pas super-operacionit të kryer në bashkëpunim me policinë kosovare, duke sjellë çmontimin e bërthamës së dy grupeve që vepronin në Kosovë dhe Shqipëri, duke arritur të trafikonin kokainë dhe heroine nga Amerika Latine, në Evropë dhe në Shqipëri dhe që drejtohej nga Çela. Ndërsa Bushi, i arrestuar në Laç dyshohet nga policia si kontigjent krimi, i proceduar për vrasjen e policit të FNSH Altin Balozi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001. Për këtë vrasje Bushi, u dënua 25 vjet burg dhe më pas është nxjerrë i pafajshëm nga gjykata e Apelit Tiranë, vendim që është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë. Bushi kërkohet nga drejtësia e Spanjës dhe ajo italiane për grabitje vilash dhe mbajtje peng të personave. Në operacionin për arrestim e tij në vitin 2009, Bushi ka qëlluar me armë zjarri ndaj efektivave RENEA. Për arrestimin e Bushit në vitin 2009, në kërkim për grabitjen, dhunimin dhe mbajtjen peng të producentin e njohur spanjoll Jose Luis Morena, vetë ministri i Brendshëm Spanjoll ka përgëzuar forcat RENEA, ndërsa vetë Bushi nuk u ekstradua asnjëherë drejt Spanjës. Vendimi u dha nga gjykata e Lezhës me argumentimin se bashkëshortja e tij nuk i ka mundësitë ekonomike për të mbajtur fëmijën e tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon për një lidhje mes Bushit dhe rrjetit të Gëzim Çelës, në kërkim si organizatori i rrjetit të trafikimit të drogës nga Kosova në Shqipëri, ku vetëm kokaina e sekuestruar ka vlerën e 2.5 mln euro.

 

Roli i kimistes

Valentina Tufina, inxhinierja kimiste, e cila u arrestua gjatë operacionit antidrogë mes Kosovës dhe Shqipërisë, konsiderohet si ideatorja e një rrjeti të gjerë narkotrafiku nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, duke përdorur transit Shqipërinë. 50-vjeçarja me nënshtetësi amerikane, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kishte rol kyç në rrjetin e trafikut, ku krahas verifikimeve të cilësisë së drogave, merrej edhe me përzierjen e tyre, por dhe me caktimin e vlerës në treg të lëndëve narkotike. Gjatë verifikimeve të prokurorisë rezulton, se 50-vjeçarja kishte lëvizur në disa shtete madje edhe në vende të Amerikës Latine, nga ku dyshohet, se buron trafiku i kokainës. Sipas prokurorisë së krimeve të rënda, dyshohet se Amerika Latine është dhe furnitorja e drogave të forta, të cilat pas përpunimit në laboratorin e Prishtinës, dërgoheshin në Fushë Kuqe për të dalë me pas jashtë Shqipërisë. Ndërkohë policia e shtetit dha të tjera detaje, lidhur me operacionin e përbashkët antidrogë, Shqipëri-Kosovë. Nëpërmjet një deklarate policia bëri me dije se në pranga ranë Kujtim Çela vëllai i Gëzim Çelës i shpallur në kërkim, Reald Hysolli si dhe 4 persona në laboratorin e Prishtinës mes tyre dhe kimistja Valentina Tufa. Gjatë operacionit, u sekuestruan 7 kg kokainё, mbi 22 kg heroinё dhe 207 kg marijuanё. Ndёrkohё nё Kosovё u sekuestruan rreth 50 kg droga tё forta, si dhe njё laborator pёr përpunimin e prodhimin e lёndёs narkotike.

 

 Aksioni i policisë/ Sekuestrohen 2 tonë drogë në Greqi dhe Itali, dyshime për shqiptarë të përfshirë në banda

 Sezoni i shpërthyer i kanabisit vë në aksion policitë e shteteve fqinjë, të cilët pothuajse çdo ditë arrijnë të shkatërrojnë rrejte trafikantësh ku përfshihen shtetas shqiptarë. Pavarësisht “shtrëngimit” të masave nga ana e policia dhe ministrisë, është e pamundur bllokimi i kalimit të drogës në forma nga më të ndryshme. Këtë herë në total janë sekuestruar rreth 2 tonë droge në dy aksione të ndryshme të zhvilluara në Greqi dhe Itali. Një ton drogë me vlerë 10 milionë euro është sekuestruar nga policia italiane ditën e djeshme teksa po transportohej me skaf. Policia ka vënë në pranga dy trafikantët e lëndës narkotike një shqiptar dhe një shtetas italian. Droga e sekuestruar është e llojit kanabis sativa. Të arrestuarit janë 24-vjeçari shqiptar me iniciale S. I. dhe 45-vjeçari italian D. C. Skafi është kapur pas një operacioni të përbashkët të Guardia di Finanza dhe policisë së qytetit të Foxhas. Motoskafi i bllokuar është i llojit “Italcraft 35”, i gjatë rreth 10 metra dhe i pajisur me dy motorë të fuqishëm, secili me mbi 270 kuaj fuqi.

 

Greqi

Policia greke ka shkatërruar një rrjet të madh të trafikut të drogës. Në operacione të zhvilluara kryesisht në gadishullin e Eubesë, por edhe në zona të tjera të Greqisë kontinentale, janë arrestuar gjithsej 10 shtetas, tre prej të cilëve ndodhen faktikisht në burgjet greke, ku vuajnë dënime për akuza të ndryshme. Të arrestuarit janë 9 meshkuj dhe dy femra, të moshës nga 25 deri 51 vjeç. Dosja e procesit përmban akuza për gjithsej 49 persona, shumica e të cilëve shtetas të huaj. Qëllimi i organizatës kriminale ishte importimi i sasive të mëdha të drogës nga Turqia, kryesisht kanabis dhe kokainë, që më pas e trafikonin në territorin grek, duke nxjerrë fitime të konsiderueshme financiare. Sipas policisë greke, arrestimet u arritën pas një hetimi që zgjati disa muaj, duke shfrytëzuar gjithë teknologjinë moderne që disponon shërbimi kundër drogës dhe shërbime të tjera të policisë. Hetimet kanë rezultuar se organizata kriminale e kishte filluar aktivitetin e vet, të paktën që nga korriku 2013 dhe fillimisht përbëhej nga 5 persona që tashmë ndodhen në listën e të arrestuarve. Operacioni është zhvilluar nga njësitë antidrogë të policisë greke, Rojet e Marinës, në bashkëpunim me ekspertët amerikanë të Agjencisë Kundër Drogës, DEA. Heroina, që thuhet se kap shifra marramendëse në treg, është sekuestruar portin e Pireut dhe zona të ndryshme të Atikës. Ajo ishte fshehur nëpër kontejnerë, një pjesë tjetër në magazina e më pak nëpër banesa. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se droga hynte në territorin grek nga Turqia dhe disa nga të arrestuarit janë shtetas turq. Hetimet për zbulimin e rrjetit të trafiku vazhdojnë.

 

Mirditë/ Po pastronte çiften, vret aksidentalisht gruan dhe plagos mbesën

 Aksidentalisht vret gruan dhe plagos mbesën gjatë pastrimit të armës së gjahut. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Konaj të Komunës Fan, në Mirditë, rreth orës 03:30 minuta, duke u gdhirë dita e djeshme dhe autor i dyshuar është Ndue Bisaku me origjinë nga Kosova. E vdekur ka mbetur 40-vjeçarja Prena Marku, ndërsa mbesa Rezarta Marku është plagosur. Mësohet se, Ndue Bisaku kishte marrë çiften në dorë dhe në një moment ajo është shkrehur, duke qëlluar bashkëshorten dhe mbesën e saj. Pas këtij momenti ai ka tentuar të vrasë vetën, duke përplasur kokën disa herë në mur dhe më pas ka marrë thikën duke prerë qafën. Kanë qenë familjarët e tjerë, të cilët kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë atij, pasi nga ky veprim ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Rrëshenit nga ku është bërë e ditur se nga plagët e marra ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Pas ekspertizës së kryer policia bëri të ditur se 40-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plagët e marra në gjoks, ndërsa mbesa e saj ka marrë një plagë në këmbën e majtë dhe tashmë ndodhet jashtë rreziku për jetën.

 

Fushë-Krujë/ Grabitja e pikës së skrapit, pranga njërit prej autorëve

 Një nga katër autorët e grabitjes nën kërcënimin e armëve të një pike skrapi në Fushë-Krujë, ngjarje ndodhur mesditën e së enjtes është prangosur sot nga policia e Durrësit. I arrestuari Besnik Pula, u ndalua nga policia në aksin Fushë-Krujë – Durrës teksa udhëtonte me makinën e tij, ndërsa gjatë arrestimit nuk beri rezistence. Besnik Pula u shoqërua nga efektivët e policisë në ambientet e komisariatit të Durrësit, ku edhe është marrë në pyetje. Blutë e qytetit bregdetar kanë nisur punën për ndalimin e tre bashkëpunëtoreve të tij, me të cilët Pulaj një ditë më parë grabiti shumën prej 7 milionë lekësh të vjetra në pikën e skrapit “Shijaku” sh.p.k. Më herët blutë e Durrësit kanë arrestuar vëllain e Besnikut, Dritan Pulën, i cili akuzohet për përfshirjen në grabitjen e një tjetër pike skrapi në Mamurras, ngjarje ndodhur dy javë më parë.

 

Kurbin/ Furnizonte grupet kriminale me municione, pranga efektivit të policisë

 Arrestohet një punonjës policie, i cili dyshohet se grumbullonte armë e municione me qëllim trafikimin e tyre dhe ishte mbështetës i grupeve kriminale në zonën e Kurbinit. Në datën 13 qershor 2014, rreth orës 17:00, sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Lezhë ka kryer arrestimin në flagrancë ndaj punonjësit të policisë: Inspektor Ramazan Guri, 45 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Laç. Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin pas referimit të bërë nga SHKB u krye kontrolli në banesën e punonjësit të policisë Ramazan Guri në Mamurras, ku në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan: 1 automatik mod 56; 7 pushkë automatike; 2 çifte pa leje; 2 pako eksploziv i tipit tritol; Ndezës të unifikuar, fitil zjarrpërcjellës; 8 granata dore; 3500 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në cilësinë e provave materiale u gjetën edhe pjesë këmbimi automjetesh të vjedhura nga pika e bllokimit te mjeteve ne komisariatin e policisë Laç. Ndaj punonjësit të policisë, SHKB ka nisur procedimin, pasi ai dyshohej se po grumbullonte armë e municione me qëllim trafikimi, e po ashtu dyshohet si mbështetës i grupeve kriminale në zonën e Kurbinit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes” “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga neni 248, 134 dhe 278/4 i K. Penal.

 

Share it :