Durrës
Policia e Durrësit arreston 7 persona, 2 shpallen në kërkim. Origjina e lëndës narkotike, Lazarati, ndërsa destinacion Italia
Një operacion antitrafik ka vënë në pranga 7 persona në Durrës, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e qytetit bregdetar. Këtyre personave u janë kapur dhe sekuestruar rreth 115 kg marijuanë dhe 2.56 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Burime policore bëjnë me dije se destinacioni përfundimtar i drogës ishte shteti fqinj i Italisë, konkretisht qytetet e zonës veriore Milano e Bergamo. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në pranga ranë shtetasit Saimir Zotkaj, 27 vjeç; Ismir Plaku, 22 vjeç; Gazmir Baruni, 27 vjeç; Viktor Shkurti, 27 vjeç; Geris Agasi, 22 vjeç; Orges Shqopa, 28 vjeç, dhe Francesko Selishta, 19 vjeç, të gjithë banues në Durrës. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit me inicialet K. B., 25 vjeç, banues në Durrës dhe E. D., 32 vjeç, banues në Elbasan. Paraprakisht, sipas burimeve, lënda narkotike e sekuestruar, në tregun italian mendohet se kapte vlerën e 120.000 eurove.
Operacioni
Dy net më parë është finalizuar nga policia e Durrësit operacioni antitrafik i koduar “Start”, me objekt goditjen e grupeve të trafikimit të lëndëve narkotike nga qyteti i Durrësit drejt Italisë, me destinacion final qytetet e Bergamos dhe Milanos. Policia bën me dije se hetimet për operacionin në fjalë kanë filluar që prej dy muajsh. Në kuadër të këtij operacioni u krye arrestimi në flagrancë i 7 shtetasve dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Ndërkohë që, nga ana e policisë u sekuestrua sasia prej 115.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa dhe 2.56 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Nga hetimet e ndërmarra u arrit të dokumentohet se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ku pasi kryenin blerjen, me anë të 4 automjeteve e transportonin drejt Durrësit, për ta depozituar në dy banesa në zonën e plazhit; konkretisht banesat e shtetasve Geris Agasi dhe Orges Shqopa. Në këto banesa kryhej edhe paketimi i lëndës narkotike në pako 1 kg, të cilat më pas, me anë të mjeteve të rënda të transportit të mallrave përcilleshin drejt Italisë, më konkretisht drejt dy qyteteve të destinacionit për t’iu dorëzuar atje grupeve të tjera për të cilat hetimi po vijon edhe nga pala italiane. Gjatë ndërhyrjes së kryer nga policia, kapja e lëndës narkotike u bë e mundur në dy automjete “Volkswagen Polo” dhe “Peugeot”. Në realizimin e këtij operacioni është bashkëpunuar ngushtë edhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë. Materialet procedurale të përpiluara iu kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, i mbetur në tentativë”.
Sekuestrimi
Në funksion të dokumentimit të veprimtarisë kriminale lidhur me hetimin ndaj grupeve të trafikut të drogës, nga policia u sekuestruan edhe një sërë provash materiale. Sipas burimeve zyrtare policore, u sekuestruan automjeti “Volksvagen Golf 4” me targa AA 562 GK; automjeti “Volkswagen Golf 5”, me targa AA 251 IE; automjeti “Volkswagen Polo”, me targa AA 355 GG, në pronësi të Orges Shqopës; automjeti tip “Peugeot 206” me targa AA 120 CX; mjet i marrë me qira nga Geris Ahasi; 35 telefona celularë; sasia e lëndës narkotike prej 115 kg kanabis dhe 2.56 gramë heroinë. Gjithashtu, në funksion të hetimit u ndërmorën edhe një sërë kontrolle banesash, verifikimesh etj.
U arrestuan
Saimir Zotkaj, 27 vjeç
Ismir Plaku, 22 vjeç
Gazmir Baruni, 27 vjeç
Viktor Shkurti, 27 vjeç
Geris Agasi, 22 vjeç
Orges Shqopa, 28 vjeç
Francesko Selishta, 19 vjeç
Në kërkim
K. B., 25 vjeç
E. D., 32 vjeç
Vlorë
Familjarët përkujtojnë 10-vjetorin e tragjedisë së Karaburunit
Si dje dhjetë vjet më parë, një ngjarje në përmasat e tragjedisë u përfol se kishte ndodhur në Karaburun, ku në tentativë për të udhëtuar drejt Italisë, u mbytën 20 persona, ndërsa 8 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Gomonia me 36 persona në bord u nis nga gjiri i Palasës në Vlorë në orët e vona të natës drejt brigjeve të Italisë në 9 janar 2004, por për shkak të dallgëve që shkonin 5-6 ballë gomonia pësoi defekt në ujërat e gadishullit të Karaburunit duke u fundosur. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës. Të mbijetuarit ishin tre skafistët që drejtonin gomonen dhe 6 emigrantë që kishin paguar për të shkuar në Itali. Për tragjedinë e 9 janarit janë dënuar si përgjegjës 5 persona ku Nazmi Hykaj, është dënuar me 25 vjet burg, Cukal Delija me 25 vjet burg, Zef Marku me 25 vjet burg, Elton Tafili me 20 vjet burg dhe Altin Belulaj me 20 vjet burg. Dje familjarët kanë përkujtuar të afërmit e tyre që humbën jetën në tragjedinë e 9 janarit 2004. Në 10 vjetorin e tragjedisë së Karaburunit, shoqata “9 Janari” vazhdon të këmbëngulë që të rihapet dosja për gjetjen e 8 trupave të humbur.
Delvinë
Digjet i gjallë në banesë 67-vjeçari, shkak dyshohet cigarja
Një 67-vjeçar është djegur i gjallë në banesën e tij, ndërsa dyshohet se shkak është bërë harrimi i cigares së ndezur. Bëhet fjalë për shtetasin Kostandin Thoma Pilo. Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Buronjë-Mavropull të Komunës Finiq në Delvinë. Edhe pse fqinjët tentuan ta ndihmonin, duke shuar më pas ata zjarrin në banesën njëkatëshe, por me vonesë, pa mundur ta shpëtonin dot nga flakët që përpinë shpejt banesën. Pasi policia mbërriti në vendngjarje, ngriti dyshimin se shkak i zjarrit mund të ketë qenë cigarja e ndezur dhe dremitja e të ndjerit. Banorë të fshatit bëjnë me dije se viktima Konstandini jetonte i vetëm në banesën e tij.




