Odisea e aeroportit të Lumalasit, si gënjen prej 10 vitesh Raqka i Korçës

 

Pas një dekade në krye të Bashkisë së Korçës, në fushatën elektorale për mandatin e tretë, Sotiraq Filo ricikloi premtimin për ndërtimin e aeroportit në Lumalas.

 

 

‘…Ndërtimi i Aeroportit së shpejti do të jetë një realitet i prekshëm që do t’i japë një shtysë të madhe zhvillimit të turizmit rajonal dhe sporteve të aventurës.’premtonte Filo në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Premtimi shoqërohej me një video 3D e cila tregon se si do të duket aeroporti Turistik dhe Sportiv në Korçë. Disa muaj pas këtij zotimi, Faktoje verifikoi se punimet për aeroportin kishin filluar, por përfundimi kërkonte kohë.

Fakt

Aeroporti po ndërtohet në fshatin Lumalas 7.5 km larg qytetit juglindor. Faktoje u rikthye në Korçë këtë fillim nëntori për të parë nga afër ecurinë e punimeve të projektit 1,1 milionë euro.

Vendi vijonte të ishte i rrethuar nga një gardh me rrjetë dhe sipërfaqja e tokës ishte niveluar. I vetmi ndryshim nga një vit më parë vërehej tek godina e administratës e cila thuajse kishte përfunduar.

Këto ishin të vetmet shenja dalluese të punimeve në Lumalas të premten e 1 nëntorit por që janë shumë larg pamjes 3D që tregonte Filo në fushatë.

Por edhe këtë vit, Bashkia nuk jep sqarime për ecurinë e projektit.

Në lidhje me informacionin mbi fazën e punimeve, kostot, afatet etj, mund t’i drejtoheni Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”, thotë shkurtimisht Bashkia e Korçës, duke ia deleguar përgjegjësinë sërish Fondit Shqiptar të Zhvillimit – si njësi zbatuese e projektit.

Aeroporti në Lumalas është pjesë e projektit ‘Dua të luaj’ në Korçë me vlerë 1,1 milionë euro. FSHZH thotë se punimet kanë nisur në korrik të vitit të kaluar dhe duhet të përfundojnë në shkurt të 2025.

Zbatimi i projektit është drejt përfundimit dhe aktualisht po punohet për lidhjen e rrjetit të ujësjellësit me rrjetin ekzistues dhe lidhjen e energjisë elektrike, instalimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ndriçuesve.”, sqaron Fondi i Zhvillimit.

Sipas FSHZH-së ndërhyrja synon të rikthejë në funksion pistën historike ekzistuese të aviacionit në Korçë, e cila për shkak të pozicionit gjeografik dhe klimës ofron kushte optimale për aktivitete sportive ajrore, për fluturimin e mjeteve ultralight dhe freeflight, në një hapësirë të dedikuar për evente ajrore të natyrave të ndryshme, si festivale, gara, panaire etj.

Një vit më parë, Alket Islami, nga Shoqata e Aeronautikës e shihte me shumë interes realizimin e aeroportit.

“Në nivelin sportiv aty ka mundësi për kryerjen e shumë aktiviteteve të sporteve të ajrit si balloning, ultralight paragliding, aeromodeling etj. Në nivel turistik është një portë hyrëse shumë e rëndësishme në të gjithë periudhën e vitit me turistë që vijnë me avionë të vegjël. Ky aeroport do të funksionojë edhe për emergjencat e ndryshme kombëtare me vend bazimin e mjeteve për këto operacione.”, shprehej Islami për Faktoje.

Përfundim

Prej një dekade, në krye të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ka të paktën dy palë zgjedhje që riciklon të njëjtin premtim. I vetmi ndryshim me zgjedhjet e 2019, është se për vendoret e 2023, Filo iu prezantoi qytetarëve edhe një projekt 3D për Aeroportin.

Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, se aeroporti do të ishte një realitet i prekshëm së shpejti, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur./ ESMERALDA TOPI  / Faktoje.al /

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.