OBSH inspekton spitalin COVID 2 në Shqipëri, dr. Menne: Rritje të testimeve

Drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Bettina Menne, ka vizituar spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohen të infektuarit me Covid-19. Përmes një postimi në facebook, OBSH-ja në Shqipëri thekson se drejtoresha është takuar me drejtorin e këtij spitali dhe është informuar në hollësi mbi punën e spitalit, sfidat që stafi i tij përballon si edhe mbi nevojat që shtrohen.

Drejtori i Spitalit, Prof. Dr. Kapisyzi i shpjegoi përfaqësuesve të OBSH-së sesi kjo njësi ja ka dalë të rrisë numrin e shtretërve, hapësirat e nevojshme, kapacitetet e shërbimit dhe stafin, tërësisht të dedikuar për rastet me Covid-19.

Menne pyeti hollësisht për menaxhimin e rasteve klinike dhe të protokolleve të përdorura për pacientët. Në takim u diskutuan edhe nevojat për burime njerëzore, planet e kapërcimit të gjendjes, mundësitë për rritjen e kapaciteteve të testimit dhe pajisjeve të tjera diagnostike të disponueshme në spital. Ekipi i OBSh-së vizitoi gjithashtu edhe pavionin e Covid-19 si dhe njësinë e terapisë intensive.

Share it :