Protestat e studentëve për arsimin janë bashkuar me demonstratat më të gjera kundër rritjes së kostos së jetesës dhe një projekti luksoz ndërtimi të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump
Qindra studentë marshuan të shtunën drejt Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, në ditën e pestë të protestave kundër kostove të larta të arsimimit.
Protesta studentore është bashkuar me demonstratat që zhvillohen prej muajsh kundër kostos së jetesës dhe me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Situata u përshkallëzua shpejt në dhunë, duke paralizuar kryeqytetin shqiptar, Tiranën.
Të shtunën, policia shpërndau grupin e protestuesve ndërsa ai po i afrohej Ministrisë së Arsimit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome. Protestuesit u përgjigjën duke marshuar drejt qendrës së qytetit, në drejtim të Kryeministrisë, ku u përballën me forca policore që përdorën autobotë me ujë dhe hodhën gaz lotsjellës.
Atje shpërthyen përplasje mes policisë dhe demonstruesve, të cilët i vunë flakën një automjeti.
Protesta më të vogla u përhapën edhe në qytete të tjera të rëndësishme shqiptare, përfshirë Durrësin, Korçën dhe Vlorën. Në të gjithë vendin, autoritetet kishin ndaluar më shumë se 167 persona, ndërsa mbi 388 të tjerë ishin proceduar penalisht që prej së martës, sipas zyrtarëve.
Studentët janë zotuar se do të vazhdojnë demonstratat.
Pse po protestojnë studentët?

Protestat nisën të martën, në mbështetje të demonstratave paqësore që po zhvilloheshin prej kohësh kundër një projekti luksoz ndërtimi të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump.
“Pas më shumë se 130 ditësh protestash paqësore në shkallë kombëtare, ne, si studentë, donim të tregonim se kemi edhe shumë arsye të tjera për të protestuar”, tha të enjten Emir Leçini, anëtar i grupit studentor që ndihmoi në nisjen e protestës.
“Sistemi ynë arsimor është i papranueshëm, kostoja e jetesës është e lartë dhe studentët nuk trajtohen me dinjitet.”
Kryeministri Rama, i cili ndodhet në pushtet prej 13 vjetësh dhe ka mbajtur poste të ndryshme në qeverisjen shqiptare që nga viti 1998, është bërë objektivi kryesor i zemërimit. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij.
Pas pesë ditësh, protestat u përshkallëzuan më tej, pasi iu bashkuan grupime tifozësh futbolli dhe grupe të tjera të pakënaqura me qeverinë.
Shumë prej tyre mbanin maska ndërsa bllokonin rrugët, ndiznin zjarre dhe shkulnin kangjella hekuri për t’i përdorur si barrikada. Disa shkulën blloqe betoni nga trotuaret dhe thyen xhamat e ndërtesave të lidhura me qeverinë.
Ata e shprehën zemërimin edhe ndaj bankave dhe institucioneve financiare, duke i goditur me gurë dhe duke shkatërruar bankomate.
Të shtunën, shumë biznese në qendër të Tiranës qëndruan të mbyllura.
Si është përgjigjur qeveria?

Zoti Rama ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në vend të kësaj, ai ka deklaruar se protestat legjitime të studentëve janë marrë nën kontroll nga grupe që synojnë të pengojnë planet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, një nga objektivat kryesore të administratës së tij.
Të shtunën, ai u shfaq drejtpërdrejt në rrjetet sociale nga një dyqan parfumesh që ishte grabitur.
Ai njoftoi krijimin e një platforme të re në internet, përmes së cilës bizneset e dëmtuara gjatë trazirave mund të aplikojnë për kompensim.
“Përgjegjësia ime është më e qartë se kurrë në këto orë të vështira: të mbroj qytetarët tanë dhe të siguroj drejtësi”, tha ai.
Pamjet e policisë që përdor forcën ndaj protestuesve studentë kanë shkaktuar gjithashtu zemërim në opinionin publik.
Të premten, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra dy efektivë, të cilët u panë në një video duke shtyrë një student. Sipas mediave lokale, studenti pësoi një frakturë në shtyllën kurrizore gjatë incidentit.
Policia njoftoi të shtunën se kishte pezulluar edhe pesë efektivë të tjerë për përdorim të tepruar të forcës.
Si është përfshirë familja Trump?

Pakënaqësia publike në Shqipëri fillimisht u përqendrua rreth një projekti të propozuar për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të lidhur me zotin Kushner, bashkëshorten e tij, Ivanka Trump, dhe investitorë nga Gjiri Persik.
Projekti i zhvillimit të zonës bregdetare, kostoja e të cilit pritet të kalojë 4 miliardë dollarë, u miratua pak pasi zoti Trump nisi mandatin e tij të dytë presidencial dhe u promovua nga zhvilluesit si një investim madhor në turizëm.
Por organizatat mjedisore në Shqipëri kundërshtuan ndërtimet pranë fshatit Zvërnec dhe në ishullin kryesisht të pabanuar të Sazanit.
Protestat nisën pasi në internet qarkulloi një video që tregonte roje private sigurie, të cilat më 30 maj tërhoqën zvarrë një burrë që ishte bashkuar me disa dhjetëra banorë dhe aktivistë mjedisorë në një plazh të jugut të Shqipërisë. Zoti Kushner dhe partnerët e tij të biznesit duan që ky plazh të bëhet pjesë e kompleksit të propozuar të hoteleve dhe resorteve.
Të pagëzuara si “revolucioni i flamingove”, një referencë ndaj faunës së pasur të shpendëve në këtë rajon, protestat kishin qenë kryesisht paqësore deri këtë javë, duke i ngjarë një karnavali që zhvillohej çdo mbrëmje në Tiranë.
Zoti Rama deklaroi muajin e kaluar se projekti ishte pezulluar përkohësisht, ndërsa qeveria po vlerësonte ndikimin që ai mund të kishte në mjedisin përreth.
Sipas tij, vazhdimi ose jo i ndërtimit të kompleksit turistik luksoz do të varet nga rezultatet e këtij vlerësimi./New York Times




