Deputetja e LSI ne seancen e sotme parlamnetar ka ngritur zerin ne mbrojtje te teatrit kombetar. Malaj ne fjalimin e saj i drejtoj pyetje mazhorances, qe vetem hesht dhe qe nuk ka pergjigje as per qytetaret as per opoziten. Pse duhet prishur ky Teatër për të bërë tjetrin? Mos vallë numri i qytetarëve që ndjekin Teatrin ka rënë për shkak të vjetërsisë së godinës? Unë besoj se vjetërsia e godinës është vlerë dhe jo antivlerë
I nderuar Kryetar i seancës, Të nderuar kolegë të pozitës,
Fjalën time në këtë seancë, dua ta adresoj drejt jush, për t’ju bërë edhe njëherë thirrje ndërgjegjes suaj, që të reflektoni dhe të keni mirësinë që këtë projektligj, ardhur në këtë seancë, me procedurë të përshpjetuar të mos e kaloni. Ju ftoj që për hërë të parë, vendin e forcës së kartonit, t’ia lini logjikës së mendimit dhe zhvillimit të historisë, thirrjes dhe qëndresës së aktorëve, të cilët duhen falenderuar dhe përgëzuar për atë çfarë ata kanë bërë këto katër muaj, thirrjes dhe qëndresës së qytetarëve dhe intelektualëve të vendit, për atë çfarë ata kanë bërë në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik dhe të poltikës, në mënyrë që nesër kur ta shihni ndërgjegjen tuaj në pasqyrë, në vend që ta pështyni, duhet ta vlerësoni për aktin patriotik të tërheqes suaj dhe mos votimit nga ana juaj, ndaj këtij projektligji mafioz. Në vitin 1938, plot 80- vjet më parë, shteti i ri shqiptar pati vullnetin dhe gjeti mundësinë, për të filluar projektin e Kompleksit Kulturor “Skënderbeu”, ku bën pjesë edhe Teatri Kombëtar, duke hedhur themelet e një historie kulturore, pa shkatërruar ndonjë identitet publik të mëparshëm.
Qëndrimit të Ministrisë së Kulturës, se ky objekt nuk është vlerësuar kurrë për t’u kategorizuar si Monument i Trashëgimisë, do i përgjigjesha duke thënë se ky nuk është një argument, por një turp për këtë Ministri. Është turp për këtë Ministri, që në vitin e shpallur nga vetë kjo qeveri, si “Viti i Skënderbeut”, i vë kazmën një nga objekteve kulturore të ndërtuar në emër të tij.
Unë, jo vetëm si deputete, po edhe si qytetare e përgjegjshme e këtij vendi ndihem e fyer që shteti im më thotë se nuk ka para të restaurojë Teatrin Kombëtar, pasi më ka rritur taksat e tarifat, pothuajse në çdo fushë të jetës. Ndihem e fyer që shteti im më thotë se nuk ka para të restaurojë Teatrin Kombëtar, kur niveli i korrupsionit tashmë ka arritur përmasa të frikshme. Pse duhet prishur ky Teatër për të bërë tjetrin? Mos vallë numri i qytetarëve që ndjekin Teatrin ka rënë për shkak të vjetërsisë së godinës? Unë besoj se vjetërsia e godinës është vlerë dhe jo antivlerë. Teatri Kombëtar është Teatri kryesor në Tiranë, ku gjatë viteve ka sjellë shumë emocione dhe shumë kënaqësi për të dashurit e Teatrit.
Në qoftë se ne flasim për Korifenjtë e skenës kjo godinë është “tempulli” i tyre, që sot disa kërkojnë ta prishin. Korifenjtë nuk u bënë të tillë thjesht nga talenti i tyre, apo nga cilësia e sallës, apo edhe nga materiali i ndërtimit të godinës, por nga fryma dhe morali që përçuan duke farkëtuar breza të tërë me një identitet civil. Ne, as nuk i nderojmë e as mund ta ruajmë këtë frymë, duke prishur “tempullin” e tyre, me një projektligj paçavure, i ardhur nga Ministria e Kulturës, që çdo jurist do ta bënte të skuqej nga turpi nga mënyra sesi është shkruar dhe si u mundua të mbrohej nga Ministra e stafi i saj, që çdo shqiptar e bën të ndjehet me turp nga standardi dhe niveli skandaloz në aspektin porfesional të kësaj Ministrie, për paaftësinë dhe jo profesionalizmin, që kurrë më parë nuk e kishim hasur në jetë në këtë standard, në të gjitha nivelet e tij të përfaqësimit. Që unë pa hezitim do ta quaja një turp të madh (ndonëse e kuptoj se një me mend e profesionist e ka shumë të vështirë dhe gati të pamundur të mbrojë atë që nuk mbrohet dot). Kurrë në historinë njerëzore, në asnjë vend më parë, rilindja e vlerave në shoqëri nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë nga asfalti, xhamat, hekurat, apo betoni e as nga pazaret e mbyllura. Ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar në këtë mënyrë, jo vetëm që po tenton të shkatërrojë në mënyrë të dhunshme historinë kulturore dhe politike të vendit, por po na thellon antivlerat e arrogancës, manipulimit dhe patronazhit. Këto antivlera na kanë futur dhe po vazhdojnë të na fusin edhe më thellë në krizën, në të cilën shoqëria jonë po lëngon kaq gjatë. Ligji për të prishur Teatrin Kombëtar, si për mënyrën se si ka ardhur deri këtu, ashtu edhe për përmbajtjen që mbart në vetvete është një dështim i frikshëm në nevojën që ka shoqëria jonë për të farkëtuar një frymë dhe identitet bashkëkohor europian. A na tregoni dot, në historinë 100 e pak-vjeçare të këtij shtetit tonë, një monument kaq shumëfish historik; të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike etj, si ky monument? Jo një Teatër i ri, po dhjetëra teatro të rinj i duhen Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Jo vetëm për artistët, po më së pari për publikun, i cili ka nevojë për to. Dhe do të isha e para që do të jepja votën time e do të isha në krahë të Qeverisë, për të ndertuar çdo teatër që i mungon këtij vendi dhe për ta bërë shoqërinë të ishte me humane dhe me sociale.
Të nderuar kolegë të pozitës, duke ju bërë thirrje ndërgjegjes suaj, po ju sjellë në kujtese fjalët e Isabelle Huppert, mbajtur në Ditën Botërore të Teatrit: “Pasi që gjendem në Paris, në prag të zgjedhjeve presidenciale, u apeloj atyre që do të marrin pushtetin, të jenë koshient për përfitimet e paimagjinueshme që sjell Teatri. Por, kujdes, pa përndjekje të shtrigave! Teatri për mua paraqet atë Tjetrin, ai është dialog, mungesë urrejtjeje. Unë besoj në bashkësi, në miqësi mes publikut dhe aktorëve, në unitetin e të gjithë atyre që Teatri i bashkon – atyre që e shkruajnë, atyre që e përkthejnë, atyre që e ndriçojnë, veshin, dekorojnë, atyre që interpretojnë dhe publikut. Teatri na mbron, na strehon… Besoj që Teatri na don… aq sa ne e duam atë… Kujtoj një regjisor, me të cilin kam punuar, i cili para se të hapej perdja në mbrëmje, ulëriste: ‘Hapni rrugë për Teatrin!’ ”.
Në mbyllje dhe unë me keto fjalë po ju drejtohem juve kolegëve të mi, mbrojeni Teatrin, mos e votoni këtë pojektligj mafioz, kthejeni dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë për ta bërë Teatrin tonë Kombëtar, tempull të ruajtjes së memories kombëtare. Reflektoni, gjykoni dhe mos e votoni!
Ju faleminderit!




