Rajna Kovaci
Figura e personalitetit të Dora d’Istrias është e një zonje me një kulturë shumë të madhe, e përkushtuar si në politikë ashtu edhe në letërsi, një shkrimtare poliedrike, në bashkëbisedim të vazhdueshëm me bashkëkohësit e saj, por edhe me të kaluarën. Një intelektuale, por edhe një mbikëqyrëse shumë e kujdesshme lidhur me ngjarjet që ndodhën gjatë kohës që jetoi. Ajo studionte si sociologe, duke i vërtetuar dhe ballafaquar dituritë e saj filozofike si dhe reflektimet e saj me letërsinë e jetës.
Duke udhëtuar nëpër të gjitha vendet e Evropës, studioi dhe njohu me vëmendje të veçantë rolin që ka luajtur gruaja si në lëmin historik ashtu dhe në atë social, brenda strukturave tradicionale të popujve të ndryshëm duke vënë në dukje funksionin dhe rolin e tyre brenda secilës hapësirë gjeografike ku ato jetonin dhe vepronin. Duke klasifikuar mendimin e saj femëror mund të jetë i reduktuar, edhe pse Dora d’Istria vepronte duke e njohur elementin femëror, krijoj një lloj parashikimi dhe zhvillimi, që në embrion të filozofisë së brendshme të dinjitetit të barabartë mes dy gjinive, në këtë këndvështrim, e pa dyshim një nga shembujt e parë realë të vëzhguar në një perspektivë gjinore. Figura dhe mendimi i saj qëndronin si një risi e mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit. Për mua çdo paragraf i veprës së Dora d’Istrias është një test dhe një themel për identitetin e teorisë së barazisë gjinore mes gruas dhe burrit.
Duke studiuar Dorën, duke kërkuar në pafundësi veprën e saj në të vërtetë del në përfundimin se ajo nuk niset nga një pozicion kundër gjinisë mashkullore por nga një vizion i veçantë dhe i ri i botës femërore. Pra me Dora d’Istrian evidentohet fryma “antidiskriminuese e emancipimit e krijuar në bazë të idesë së mënjanimit të dallimit gjinor -diferencës seksuale, e krijuar duke e vlerësuar në mënyrë të veçantë gjininë femërore.
Figura e shkrimtares vjen tek ne në optikën e një vështrimi që na e jep ajo për gratë e viteve tetëqind. Në të vërtetë në veprat e saj kushtuar gruas, ajo na paraqet një sërë detajesh për të krijuar mendimin politik të viteve tetëqind si dhe të aspiratave të asaj kohe. Në të vërtetë, Dora d’Istria hyri direkt në kontakt me përfaqësuesit e rilindjes sepse edhe ajo i përkiste rilindjes. Vepra e saj është një shprehje reale e rilindjes me të cilën ajo hyri në debate kulturore, politike. Shkrimet e saj u komentuan dhe u diskutuan nga intelektualët më në zë të asaj kohe, me të cilët Dora konfrontohej në mënyrë të vazhdueshme, sepse kishte një përgatitje të gjithanshme. Por edhe në politikë sepse e njihte me themel jo vetëm politikën kontemporane, por edhe të kaluarën.
Punoj me vendosmëri dhe pasion për krijimin e konceptit të identitetit të barabartë të popujve ju dha prioritet edhe popujve të vegjël duke vënë në dukje identitetin e tyre. Në themel të emancipimit dhe pavarësisë kombëtare të kombeve të vegjël vendoste rëndësinë e arsimimit. Dora d’Istria përpunoi një tezë personale për një politikë të rinovuar në Evropë ku një rëndësi të veçantë brenda saj kishte besimi fetar, paqja, arsimi dhe pedagogjia. Ajo nuk reshti duke e trajtuar në veprat e saj rolin e pazëvendësueshëm që kishte edukimi dhe arsimimi i grave. Sipas saj ato do të bëheshin të afta për tu besuar role të ndryshme vendimmarrëse në shoqëri.
Veprën e saj e përshkon mendimi se për të pasur një shoqëri të zhvilluar së pari duhet të kemi gra të arsimuara.
Një element shumë i rëndësishëm në kulturën evropiane të Dorës kishte njohja e problemeve dhe realiteteve që ekzistonin në gjysmën e dytë të tetëqindës. Njohjet e saj nuk kufizoheshin vetëm brenda Evropës ajo bëri studimet, analizat dhe komente të ndryshme edhe për Amerikën, Azinë, Indinë etj.
Veprat e saj u botuan dhe u përkthyen në shumë gjuhë, duke u përpjekur të hynte në kontakte me eksponentë kryesorë të kulturës, politikës të kohës kur jetoi, mori vlerësime, elozhe, tituj, merita të mëdha nga autoritetet më të famshme të bashkëkohësve të saj. Pas vdekjes së saj, në Firence më 1888, ajo hyri në historinë e njerëzimit si një nga gratë e pakta të shquara të tetëqindës.
Kohët e fundit, për arsye të rritjes së interesit e cila po bëhet një domosdoshmëri për sa u përket studimeve për gruan, Dora d’Istria – bashkë me disa zonja të famshme e të shquara-që dolën nga errësira për ti treguar lexuesit, studiuesit apo lektorit të ditëve tona që gra si Dora kanë vendosur themelet që ne sot të kemi një Evropë pa kufi apo emancipimin e gruas, duke bërë të mundur që lexuesi i sotëm në këtë mënyrë do të ketë reflektimet e veta për të ecur përpara.
Duke studiuar jetën dhe veprën e saj merr një informacion intelektual si edhe rreth autorëve të shquar të ajkës së shoqërisë së atëhershme me të cilët ajo është përballur por edhe është krahasuar. Pra në veprat e saj Dora na jep një panoramë kulturore të qartë të fazave të rilindjes evropiane, në të cilën Dora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm të një vlere shumë të veçantë. Edhe pse e përpunoi apo propozoi një model shteti perfekt apo ideal, Reflektimi i saj drejtohej gjithmonë nga temat politike. Së dyti përpjekjet mbi mendimin e saj duke nxjerrë në pah pikat kryesore të veprave të saj, ndikimin në planin politik dhe pedagogjik, por duke iu referuar edhe dijeve të saj krishterë. Ajo mbetet një lajmëtare për një bashkëjetesë të paqme mes feve të ndryshme.
Ajo i ka kushtua një vend shumë të rëndësishëm në veprat e saj, ku flitet rreth çështjes së arsimimit të gruas, për misionin e saj social sipas karakteristikave të tyre themelore, duke u përpjekur me këmbëngulje të dalë nga materializmi historik, individualizmi liberal për të ndërtuar një politikë relative rrënjosur në themelet ungjillore.
Pra bëhet fjalë për një reflektim – filozofik, politik dhe pedagogjik që ka ende elementë të aktualitetit kështu për këtë arsye meriton të njihet dhe të studiohet.




