Karabinierët në Casal di Principe, pranë Napolit kanë arrestuar 5 anëtarë të një bande grabitësish falë përballjes fizike të një qytetari shqiptar me një prej grabitësve, i cili ishte i armatosur. Banda tentoi të kryente grabitjen e radhës në një supermarket, por nuk arriti pasi qytetari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat italiane, u është vënë pas dhe me njërin prej tyre është përballur fizikisht duke arritur ta çarmatosë. Nisur nga pamjet filmike, por edhe nga përgjimet e telefonatave të tyre policia italiane ka identifikuar 5 persona. Grabitjet i kryenin në biznese, pika karburanti, supermarkete madje edhe banesa. Të gjitha grabitjet kryheshin nën kërcënimin e armëve. Gjatë kontrollit në banesat e tyre, karabinierët italianë kanë sekuestruar disa armë me të cilat kryheshin grabitjet. Po nga këto pamje filmike autoritetet italiane kanë identifikuar edhe shtetasin shqiptar. Guximi i tij dhe vënia në rrezik e jetës është shpërblyer. Për shqiptarin, i cili ishte klient i supermarketit, komanda e karabinierisë së Casal di Principe ka kërkuar një leje qëndrimi të jashtëzakonshme në shtetin Italian për motive drejtësie.





