Gëzim Saliu
Takimi me kryebashkiakët e rinj, Kryeministri u heq një tjetër kompetencë vendorëve, lajmëron shkrirjen e policisë bashkiake: Qeveria nuk do t’i ndajë bashkitë në “të kuqe” dhe “blu”
Dy javë nga përfundimi i zgjedhjeve lokale, kur ende nuk kanë marrë certifikimin e mandatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryebashkiakët e rinj të dalë nga vota e 21 qershorit ishin pjesëmarrës dje në takimin e thirrur në Kryeministri nga kreu i qeverisë, Rama. Por ndërsa të gjithë të zgjedhurit e mazhorancës së majtë ishin të pranishëm në takimin e zhvilluar, kryebashkiakët e rinj nga radhët e opozitës bojkotuan takimin. Vetëm krerët e bashkive Përmet dhe Dropull dolën nga rreshti i opozitës dhe iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Kryeministrit. Ndërkaq, kryebashkiakët e tjerë bojkotin e argumentuan me mungesën e një axhende të qartë të takimit, duke theksuar po ashtu se ata ende nuk janë zyrtarizuar nga KQZ-ja si në postin e tyre. Lidhur me këtë bojkot nuk mungoi as ironia e Kryeministrit, i cili kërkoi nga kryebashkiakët e PD-së që të dalin nga ajo që ai e quajti “guaska mbytëse e politikës së verbër”. “Jam i keqardhur që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi lartësinë e atij mesazhi të famshëm të fushatës elektorale “kam frikë se më shohin”, por po ashtu jam i keqardhur sepse është takim me rëndësi të posaçme dhe mungesa e kryebashkiakëve që kishin konfirmuar apo refuzuan të konfirmonin është dëm i drejtpërdrejtë për punën e tyre dhe shërbimin ndaj komunitetit, sepse jemi në kushte të jashtëzakonshme”, – tha ai. Në këtë kontekst, Kryeministri nuk ngurroi të theksonte se nuk do të ketë asnjë lutje nga ana e qeverisë për të bashkëpunuar me kryebashkiakët e rinj, duke i dhënë kështu një mesazh të qartë lidhur me politikën që pritet të ndiqet në vijim nga ekzekutivi. “Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim, sepse ne besojmë që është e drejta e zgjedhjes së çdonjërit nga të zgjedhurit dhe çdonjërës nga të zgjedhurat e 21 qershorit të synojë bashkëpunimin me qeverinë dhe do të mbështesim pa asnjë dallim politik e partiak të gjithë të zgjedhurit vendorë të Shqipërisë, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne”, – pohoi Kryeministri.
Takimi
Në takimin me kryebashkiakët, që zgjati për rreth dy orë, duke përfshirë edhe pjesën pa media, Kryeministri Rama edhe pse nuk kurseu kritikat dhe ironinë për të djathtë që bojkotuan takimin theksoi se qeveria nuk do t’i ndajë bashkitë në blu e të kuqe. “Qeveria jonë do të qëndrojë larg ndasive politike, duke i ndarë bashkitë në “të kuqe” dhe “blu”. Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha bashkitë e vendit dhe do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha kryetaret dhe kryetarët e bashkive të vendit, që do të kenë vullnetin dhe pa dyshim edhe dëshirën, që të bashkëpunojnë me qeverinë”, – deklaroi Rama. Më tej, ai nënvizoi se puna e qeverisjes së re vendore do të përkthehet me reforma të thella, që nisin me atë të ujit dhe sistemin e ri të taksave. “Çdo bashki do bëhet pronare e vetme e sistemit të saj të furnizimit me ujë të pijshëm, të garantimit të ujit për vaditje dhe pjesës tjetër që ka të bëjë me pastrimin e ujërave dhe kullimin. Është një reformë jetike, që duhet të na ndajë me një periudhë afrikane të të trajtuarit të kësaj pasurie të madhe kombëtare dhe të shpërdorimit të pashoq të kësaj vlere të madhe për jetën dhe financat e çdo njësie vendore”.
Shkrihet policia bashkiake
Ndërkaq, një tjetër lajm që bëri të ditur Kryeministri në takimin e djeshëm me kryebashkiakët ishte edhe heqja e një tjetër të drejte të pushtetit vendor. Kryeministri paralajmëroi shkrirjen e policisë bashkiake, duke e cilësuar këtë reformë si një përfshirje të re të 61 bashkive në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjet e rendit publik. “Mendojmë që edhe këtu ka ardhur koha për një reformë të guximshme që duhet të çojë në shkrirjen e policive bashkiake dhe në dhënien për kryetarët e bashkive të së drejtës për të nxjerrë urdhra administrativë për strukturat e Policisë së Shtetit, që kanë të bëjnë me rendin, qetësinë, qarkullimin”, – u shpreh kreu i qeverisë.
-Kryebashkiakët e PD-së që morën pjesë në takimin me Ramën
- Niko Shupuli i Përmetit
- Arqile Deçka i Dropullit
-Kryebashkiakët e PD-së që bojkotuan takimin me Ramën
- Zef Hila-Bashkia Vau i Dejës
- Basir Çupa-Bashkia Klos
- Përparim Shametaj-Bashkia Selenicë
- Fran Frrokaj-Bashkia Lezhë
- Fiqiri Ismaili-Bashkia Vorë
- Bashkim Shehu-Bashkia Kukës
- Eduard Kapri-Bashkia Pogradec
- Nezir Rizavani-Bashkia Mat
- Bledi Nallbati-Bashkia Devoll
- Xhelal Mziu-Bashkia Kamzës
- Besnik Dushaj-Bashkia Tropojë
- Voltana Ademi-Bashkia Shkodër
Projekti i ri për hyrjen e Parkut të Liqenit, PD: Ja si do ta betonizojë Tiranën Rama dhe Veliaj
Hyrja e Parkut të Liqenit të Tiranës do t’i nënshtrohet një shndërrimi rrënjësor. Kreu i qeverisë, Rama, foli dje në çeljen e konkursit ndërkombëtar për hyrjen e Parkut, duke pohuar se projekti parashikon krijimin e një qendre të re për Policinë e Shtetit dhe hapësira në shërbim të studentëve. “Në bashkëpunim midis Universitetit dhe Bashkisë së Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet një pol jete më shumë sesa orët e ditës. Projekti i hap rrugë një poli të ri transformues për të gjithë hartën e re të Tiranës. Projekti përfshin një hapësirë të kufizuar. Është një projekt kyç, sepse do krijojë kushte për të hapur një kantier të madh për Tiranën. Fillimi i punës në fazën e parë është ajo që lidhet me hyrjen në park”, – tha Rama. Në këtë projekt janë përfshirë 11 kompani ndërkombëtare në garë, ku ditën e sotme pritet të shpallet fituesi i konkursit. Në jurinë ndërkombëtare që do të përzgjedhë projektin fitues të Tiranës është pjesë edhe Edi Hila, një ndër personat që ka një marrëdhënie bashkëpunimi të afërt me Kryeministrin Rama. Piktori Hila ishte “dirigjues” i Shqipërisë në “ExpoMilano”, ku vendi ynë pati prezantimin më të ulët. Ndërkaq, ndaj këtij projekti reagoi dje Enno Bozdo, duke e cilësuar projektin si një betonizim të Tiranës. “Me një konkurs fals, Edi Rama prezantoi sot projektin e tij të betonizimit pa kthim të hyrjes së Parkut të LIqenit dhe sheshit “Nënë Tereza”. Atje ku ishte parashikuar gjelbërim, Rama parashikon të ndërtojë, atje ku koncepti i projektit të Bashkisë harmonizohej me hapësirën e gjelbër, Rama parashikon beton, atje ku parashikohej park dhe pemë, Rama parashikon sipërfaqe ndërtimi, atje ku është dhe duhet të jetë parku, Rama do të ndërtojë shumëkatësh”, – u shpreh ai.




