Kryeministri: Humbja dhe vjedhja, në gjendje alarmante. Nisim aksionin aty ku energjia vidhet për arsye fitimi
Gëzim Saliu
Qeveria ngre task-forcë për energjinë elektrike, synimi kryesor i së cilës do të jetë frenimi i humbjeve dhe vjedhjes së saj. Në mbledhjen e parë të kësaj task-force, Kryeministri Rama theksoi dje problematikën në këtë proces ku nënvizoi tri aspekte kryesore ku do të përqendrohet aksioni. “E para gjendja alarmante që bie në shpërndarjen e energjisë. Së dyti ndërhyrja e domosdoshme në një fushë më jetike, që sot është fushë e minuar dhe nesër kërcënon të kthehet në fushën e një fatkeqësie kombëtare në rast se ne sot nuk bëjmë atë që na takon për ta ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë fatkeqësi. Së treti është domosdoshmëria për të ripërtërirë përgjegjshmërinë që mbron dhe zhvillon bashkëjetesën tonë në këtë vend, këto aspekte të ndërlidhura mes njëra-tjetrës sa i takon gjendjes alarmante”.
Mbledhja
Në takimin ku merrnin pjesë ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ai i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i qeverisë bëri të ditur se ekziston një shifër e lartë e konsumatorëve dhe bizneseve që janë borxh me energjinë. “Sot 93% e kontratave të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes. Në tetor të vitit 2012, rezulton e humbur 36% e energjisë së blerë, vjedhja në dhjetor ka kapur shifrën 55.46% e energjisë së blerë. E pra, energjia që duhet të shkonte për shërbimin e ndriçimin e një vendi, qartazi ka shpuar nga të 4 anët xhepat e këtij vendi. Gjendja është përkeqësuar në vijim, gjatë këtij viti dhe krahasuar me një 1 vit më parë, humbja dhe vjedhja janë thelluar”. Në këtë kontekst, Rama theksoi se ndër debitorët më të mëdhenj të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vend janë vetë institucionet shtetërore. “Frenim hajdutërisë në çdo nivel të institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, kompanive të mëdha e të vogla e për të shkuar pastaj tek konsumatori, duke lënë me mirëkuptim ata të cilët janë të fundit që duhet tu kërkohet llogari, njerëzit në nevojë”, – pohoi ai, duke shtuar se qeveria do të bëjë shlyerjen e tij duke e nisur kështu ndryshimin nga vetja. “Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliardë borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliardë lekë, duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore. 13 miliardë lekë që qeveria duhet të kishte paguar për invalidët dhe nuk e ka bërë. Ne mund ta themi se nuk e kemi nisur nga të tjerët, as nga ata të hallkës së fundit edhe nga konsumatorët që janë në gjendje të paguajnë dhe as nga biznesi që është në fajësi të dyfishtë si konsumator që energjinë e vjedh për qëllim fitimi por e kemi nisur nga vetja duke shlyer të gjitha borxhet që shteti i ka sistemit të shpërndarjes”, – tha Rama. Ndërkohë, Kryeministri bëri të ditur se task-forca e ngritur ka detyrimin të vendosë të gjitha strukturat e shtetit në shërbim të misionit për kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes në një grafik me rënie të vazhdueshme. “Historia kush i është nënshtruar ligjit parimit bazë të edukatës dhe të marrë nga të parët në familje, duhet të paguajë gjithnjë e më shumë kush e paguan dhe të vjedhë sa më shumë ai që nuk e paguan do marrë fund. Do ta fillojmë aty ku energjia vidhet për arsye fitimi dhe me shpresën e plotë se jo vetëm prokuroria, por edhe gjykatat do të jenë në krahun e ligjit ashtu sikundër ne këtu jemi në krahun e ligjit dhe me shpresën se çdo vjedhës i energjisë do marrë ndëshkimin sipas ligjit”.
Kreu i task-forcës
Peleshi: Ja si do të funksionojë
Kryetari i task-forcës për energjinë, zv.kryeministri Niko Peleshi, argumentoi mënyrën se si do të funksionojë kjo njësi, duke theksuar se ajo duhet të konceptohet si një punë sistematike, që do të vazhdojë si një kulturë e re e instaluar në institucionet tona. “Për vitin 2013, humbjet në sistemin e energjisë elektrike kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes. 30% e energjisë në Shqipëri vidhet. Niveli i ulët i arkëtimeve për atë pjesë të energjisë që nuk vidhet është një tjetër element i rëndësishëm i punës që na pret. Koordinimi dhe harmonizimi i punës mes institucioneve të ndryshme, përfshirë CEZ-in. Task-forca do të shtrijë aktivitetin e saj në çdo qark, ku do të veprojnë njësitë e drejtuara nga prefekti i qarkut. Aktiviteti do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2014. Rezultatet e kësaj task-force do të maten me një grafik, i cili duhet të jetë në një rënie të vazhdueshme. Raportimi do të jetë mujor dhe do të afishohen edhe përmes grafikeve për publikun. Synojmë rritjen e eficenës në shfrytëzimin e burimeve tona, edhe nëpërmjet zgjidhjeve inteligjente dhe inovacionit”, – theksoi zv.kryeministri.
Reagimi i PD-së
Guxholli: Rama risolli në fuqi faturat aforfe të energjisë elektrike
Partia Demokratike ka reaguar dje pas mbledhjes së grupit task-forcë nga qeveria për energjinë elektrike, ku ka theksuar se Kryeministri në vend që t’u kërkonte llogari administratorëve të tij për energjinë, foli në erë për të shmangur përgjegjësinë nga vetja. “Rama dështoi të shpjegonte pse ndërprerjet e energjisë këto dy muaj te fundit kanë qenë të shpeshta dhe të gjatë dhe pse administratorët mashtrojnë duke thënë që ka defekte teknike. Rama dështoi të shpjegonte se përse risolli të famshmen faturë aforfe në fuqi. Qytetarët duhet të përballen me vjedhjen e energjisë dhe arka e shtetit të mbushet indirekt nga xhepat e zhvatur të shqiptarëve. Rama nuk u tregoi pse nuk i ka paguar detyrimet kur për këtë mori borxh. Rama në daljet e mëparshme me kompetencë ju pretoi shqiptarëve që vjedhjen e energjisë do ta bëjë vepër penale por edhe pse ka katër muaj që është Kryeministër nuk e di qe vjedhja është vepër penale që prej vitit 2008”, – deklaroi Suzana Guxholli. Më tej, ajo theksoi se qeveria ka marrë në dorë një sistem energjetik me rezervën më të madhe energjetike dhe me një strukturë të re sipas modelit të ri të tregut që kërkon investim. “Rama edhe këto gjëra nuk i di ende dhe akoma nuk është ulur të mësojë. Që Rama mori sot në analizë sistemin e energjisë bëri mirë, por në vend që t’u kërkojë llogari administratorëve të tij, foli në erë si gjithmonë dhe nuk tha asnjë gjë, duke shmangur përgjegjësitë nga vetja si Kryeministër i vendit”.




