Ngjarja e Lazaratit/ Në burg vëllezërit Aliko, Arbionit i  gjenden 600 euro të fshehura në trup

 

Artan Cena

Në burg vëllezërit AlikoGjatë dhënies së masës së sigurisë, është parë se Arbion dhe Alban Aliko kanë pasur dëmtime të dhëmbëve dhe hematoma në fytyrë. Avokati Fana: Pasoja të shfryrjes së inatit nga policia

Vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko do të rrinë në qeli deri në fund të hetimeve. Kjo ishte masa e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ta, gjatë seancës së zhvilluar mesditën e djeshme. Ndërkaq, avokati i të rinjve, Neshat Fana, ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon klientët e tij. Ndërkaq, gjatë transferimit në burgun 302 në Tiranë Arbion Alikos, gjatë kontrollit të imtësishëm, mësohet se gardianët i gjetën 600 euro. Për 5 ditë më radhë, Arbion Aliko kishte arritur t’i mbante paratë, të fshehura në këpucën e tij, me shpresën se do t’i përdorte në burg. Arbion Aliko u arrestua natën e së shtunës, 20 kilometra larg Lazaratit dhe që atëherë ka qëndruar në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

 

Masa e sigurisë

Arrest me burg, i caktoi masën e sigurisë Gjykata e Krimeve të Rënda, dy vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dyshuar për akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-së Ibrahim Basha. Para gjyqtares Flora Hajredini, dy vëllezërit Aliko dolën veçmas nga njëri-tjetri, duke u njohur me akuzat dhe provat e siguruara ndaj tyre. Mësohet se asnjëri prej vëllezërve Aliko nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen e mëngjesit të 24 qershorit në Lazarat, duke refuzuar t’i përgjigjen pyetjeve të prokurorisë. Ndërkohë, avokati mbrojtës deklaroi para mediave se prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon vëllezërit Aliko në vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha. Ai tha se një pjesë e deklarimeve të dy të arrestuarve, që prokuroria e bazon akuzën e ngritur, është të stisura.

 

Dhuna ndaj Alikove

Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj dy vëllezërve Aliko, ku njëri ka dëmtime të dhëmbëve dhe tjetri hematoma në fytyrë, avokati e cilësoi të kuptueshme dhe një veprim emocional i forcave të policisë në momentin e arrestimit. Avokati i dy vëllezërve Neshat Fana në një prononcim për mediat tha se provat e prokurorisë nuk nxjerrin autorë vëllezërit Aliko.  “Provat e Prokurorisë, nuk vërtetohet të jetë qëlluar me snajper”, – tha Fana.   Më tej ai tha se dëshmitë ndaj vëllezërve Aliko kanë qenë të stisura , duke theksuar se të dyshuar për vrasjen e efektivit të forcave RENEA, Ibrahim Basha janë me dhjetëra persona. “Ndaj tyre duhet të vendosen disa kritere të diferencuar në mënyrë që ata të mos ndërpresin arsimimin. Ajo çka ndodhi sot dhe hetimet e mëtejshme do të tregojnë se kjo nuk ka asgjë të vërtetë. Nëse ata kanë qëlluar me armë zjarri do ta vërtetojmë më vonë. Por ajo që është e sigurt është se ata nuk janë autorë të vrasjes”, – tha avokati Fana.

 

Të pandehurit e tjerë

Nga ana tjetër, prokuroria në sallën e gjyqit, mësohet se i ka paraqitur gjykatës deklarimet e Xhuliano Malos dhe Klodian Selimit, të cilët tregojnë me detaje planin e sulmit ndaj policisë, duke identifikuar edhe organizatorin Arbion Aliko. Ky i fundit, sipas akuzës, kishte porositur edhe qepjen e disa maskave të një rrobaqepëse në fshat. Ndërkohë gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg edhe për dy kushërinjtë Serxhio dhe Devis Shehu, të cilët kanë ndihmuar dy vëllezërit Aliko gjatë arratisjes. Ata kanë pranuar se i kanë dërguar ushqime dhe rroba, pasi ishin shok fëmijërie. Por, për këtë fakt, prokuroria ndaj tyre ka ngritur akuzën e “Përkrahjes së autorit” në bashkëpunim.

 

Mirditë, e zë masivi shkëmbor, vdes minatori 44-vjeçar

 Një 44-vjeçar nga Kukësi me banim në Durrës është gjetur i vdekur pasditen e së mërkurës, pranë vendit të punës në fshatin Shëngjin në Komunën e Fanit në Mirditë. Viktima është identifikuar si Ipsen Elezi, i cili ishte punonjës i hidrocentrali që po ndërtohet nga një firmë Turke në këtë zonë të Mirditës. Ka qenë një punonjës tjetër i cili ka pikasur 44-vjeçarin e vdekur dhe e ka dërguar në Spitalin e Kukësit, ku po i nënshtrohet edhe mjekësisë ligjore. Personi i cili e ka dërguar në spital ka dëshmuar se 44-vjeçari është aksidentuar gjatë punës, duke i sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Në lidhje me ngjarjen Policia e Mirditës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit në punë që i mori jetën 44-vjeçarit Elezi. Nga ana tjetër Inspektorati i Punës në Lezhë i cili mbulon edhe rrethin e Mirditës nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen edhe pse është institucioni kryesor që merret me sigurinë e punonjësve në punë. Kjo është viktima e 4 në harkun kohor të një viti që humb jetën gjatë punës për ndërtimin e HECI-it në Mirditë, kjo për shkak se kushtet ku punohet lenë shumë për të dështuar dhe nuk ka asnjë element teknik për mbrojtjen e jetës së punëtorëve. Edhe pse janë në dijeni të këtij fakti institucionet vijojnë të heshtin, duke pritur ndonjë tragjedi më të rëndë për të vepruar në penalizimin e kësaj firme e cila i përdor punonjësit si skllevër të vërtetë.

 

Droga, megaoperacion i Europolit, 500 persona në pranga, mes tyre edhe shqiptarë

 Më shumë se 500 persona, mes tyre edhe shqiptarë, janë arrestuar në një megaoperacion të Europolit të quajtur “Blue Amber”. Operacioni është shtrirë në 33 vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë gjatë të cilit është bërë i mundur sekuestrimi i 2.8 tonë kokaine dhe 110 kilogramë heroinë. Mes datës 4 maj deri ne 24 qershor, operacioni është zhvilluar në 260 zona në mbarë botën. Nga operacioni janë sekuestruar edhe 390 mjete si edhe 1300 ton metale të vjedhura. Sipas Europolit, kokaina vinte në Evropë nga Amerika e Jugut me avion, ndërsa heroina vinte kryesisht nga Afganistani e Pakistani në rrugë të ndryshme. Lënda narkotike fshihej nga korrierët në veshje, këpucë dhe pajisje mjekësore. Hetimet e Europolit kanë zbuluar se për transportimin e drogës shfrytëzoheshin edhe emigrantët e paligjshëm, shkruan Abc. Krahas trafikut të lëndëve narkotike të arrestuarit ishin të përfshirë edhe në trafikim të qenieve njerëzore, të armëve, falsifikimin e mallrave, emigracionin e paligjshëm dhe krimin kompjuterik.

 

 

Share it :