Opinion nga Mimoza Hajdarmataj,
Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
Dy kategori që shtrembërojnë të vërtetat e tregut të sigurimeve!
Në krye të herës dua të veçoj një dukuri negative: dy kategori të caktuara duan t’ia nxinë padrejtësisht imazhin tregut të sigurimeve në vend.
Profesionistët e të ashtuquajturës “avokatia për dëmshpërblimet e siguracioneve” dhe ata që dështojnë të përfitojnë nga kompanitë siguruese më shumë se sa lejon kontrata ligjore. Të dy këto kategori po kultivojnë një mosbesim të padrejtë te tregu shqiptar i sigurimeve.
Secilën prej mënyrave të veprimit të këtyre kategorive do t’i përshkruaj në vijim, por më parë po ndalem në analizën tërësore të tregut të sigurimeve.
👉Tregu shqiptar i sigurimeve
Shqipëria u fut në industrinë e sigurimeve pas kapërcimit nga një vend totalitar në një vend me ekonomi tregu. Koha kur shqiptarët mësuan dobinë e sigurimeve është e shkurtër, vetëm 35-vjeçare.
Sot, tregu është i liberalizuar, klienti mund të marrë produktet e tij në çdo kompani sigurimesh në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe natyrisht do të përfitojë edhe dëmshpërblimin, në përputhje me kontratën.
Vetëm 6-10% e popullsisë kanë të paktën një produkt sigurimi në vend. Këtu përfshihen të gjitha llojet e sigurimeve, segmentet e jetës dhe të jo-jetës.
Megjithëse siguracioni më i përhapur në vend është sigurimi i detyrueshëm motorik, TPL, rreth 20-25% e automjeteve në territorin e Shqipërisë qarkullojnë ende të pasiguruara. Kjo e dhënë interesante ndihmon për të radhitur arsyet se pse kjo industri ende mbetet me penetrim të ulët: mungesë e kulturës së sigurimeve, mungesë përgjegjshmërie, fatalizëm.
Një peshë të caktuar ka edhe kultura etatiste e qeverisjes.
Pas çdo ngjarjeje, fatkeqësie natyrore, në vend që qeverisja të rrisë ndërgjegjësimin shoqëror për më shumë sigurime të risqeve, ajo tregohet përkujdesëse, së paku në premtime.
Rezultati: Shqipëria shpenzon rreth 80-100 euro sigurime për frymë, ndërsa fqinjtë e kanë tejkaluar herët këtë shifër, Sllovenia paguan mbi 1300 euro, vendet e BE-së 3 mijë euro ndërsa SHBA 6 mijë dollarë për frymë.
Sot, si Shoqatë e Siguruesve të Shqipërisë, mund të themi me kompetencë dhe pa mëdyshje: dëmet në Shqipëri paguhen më shpejt se kudo tjetër, më shpejt se çdo vend i Evropës.
👉Dëmtuesit e imazhit të industrisë së sigurimeve
Ne si shoqatë disponojmë studime të hollësishme, pyetësorë të brendshëm që kompani serioze i kanë bërë tregut dhe klientelës vendase.
Statistikisht, 6-10% e popullsisë kanë të paktën një produkt sigurimi. Në pyetësorë të ndryshëm u vërejt se përgjigjeshin negativisht për pëlqyeshmërinë dhe besueshmërinë e kompanive të sigurimeve, qytetarë që nuk kanë patur kurrë një përvojë personale negative me to.
Një pjesë e tyre përgjigjej se nuk kishte pasur kurrë një siguracion. Nga buronte ky perceptim negativ?
Dy burime u gjetën nga kërkimet e tregut. Dy kategoritë që veçova në krye të analizës.
📌Avokatia e dëmeve në siguracione
Problematika vërehet kryesisht te sigurimet motorike, ku dëmet shëndetësore paguhen më ngadalë. Vetëm 10% e këtyre dëmeve përfundojnë në gjykata dhe, nga kjo përqindje e vogël, krijohet një lloj lobimi që keqinformon publikun për tregun e sigurimeve dhe korrektësinë e pagesave. Të parët e interesuar janë profesionistët e avokatisë në siguracione, të cilët në një moment të procesit u ofrojnë klientëve marrëveshje financiare. Klientët, nën presion kohor dhe ndikim propagandistik se mund të mos i marrin paratë, e pranojnë ofertën nga zyra avokatore. Megjithatë, shuma e përfituar është zakonisht më pak se gjysma e asaj që u takon ligjërisht. Kështu, propaganda se “kompanitë nuk paguajnë” ushqen një treg të shtrembëruar me përfitues konkretë. Nëse të dëmtuarit do t’u drejtoheshin kompanive të sigurimit për konsulencë falas, shoqatës apo edhe AMF-së, do të përfitonin 100% të vlerës ligjore, jo rreth 40%. Ky realitet ka dëmtuar ndjeshëm opinionin publik në Shqipëri.
📌Pamundësia për të përfituar më shumë se sa kontrata.
Nga ana tjetër, ky opinion negativ është bërë mjaft i përhapur, sidomos te individë që kërkojnë përfitime shëndetësore në kuadër të lëvizjes së lirë në vendet e Evropës.
Sot, shumë spitale në Itali, Gjermani apo Francë kërkojnë pagesa nga qytetarët shqiptarë, pasi ata kanë kryer trajtime apo ndërhyrje, që nuk mbulohen nga sigurimet që kanë blerë. Shpesh, individët paraqesin siguracione shumë bazike (4–10 euro), të cilat mbulojnë vetëm emergjencat, si sigurime të plota shëndetësore. Kur përballen me faturat reale, pretendojnë se “kompanitë nuk paguajnë”, pa përmendur nivelin minimal të primit apo kufizimet e kontratës, të cilën e kanë pranuar me vetëdije të plotë.
Në fakt, këto sigurime mbulojnë vetëm ndihmën emergjente, transportin në spital dhe trajtimin fillestar, jo ndërhyrje të planifikuara apo trajtime të kushtueshme jashtë këtij kuadri.
Megjithatë, opinioni publik shpesh përforcon këto zëra negativë, duke u bazuar në raste të njëanshme dhe jo në faktet reale.
Në Shqipëri ka kompani sigurimi, të cilat ofrojnë produkte që mbulojnë edhe operacione dhe trajtime të avancuara, me mbulime deri në 1 milionë euro. Këto mbulime kanë të tjera çmime sigurimi dhe të tjera kushte kontratuale.
Dezinformimi dhe keqinterpretimi i qëllimshëm po e dëmtojnë imazhin e tregut padrejtësisht. Në realitet, kompanitë paguajnë sipas kushteve të marrëveshjes, ndërsa abuzimi me pretendime të pabazuara krijon perceptime të gabuara dhe dëmton besimin publik.
Në mbyllje, dua të sjell në vëmendje të lexuesit se tregu shqiptar i sigurimeve, përkundër pretendimeve keqinformuese dhe shpesh të stisura, po rrit vazhdimisht nivelin e pagesave dhe po i kryen ato në kohë mesatare ndër më të shpejtat në Evropë.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 kjo industri pagoi 2.27 herë më shumë dëme krahasuar me një dekadë më parë, në vitin 2015. Në total, u likuiduan rreth 8.3 miliardë lekë dëme gjatë vitit 2025.
Nxirja e imazhit të një sektori që është partner jetik për individët, familjet, bizneset dhe ekonominë në tërësi, si edhe për mirëqeverisjen, është e pabazë dhe kundërproduktive.



