Pas një statusit në Facebook, ku Rei Manaj përgënjeshtronte fjalët e trajnerit italian të kombëtares, Gianni De Biasi, tani vjen edhe reagimi i nënës së sulmuesit. Eli Gjaci Manaj ka thënë se deklarata është bërë pa dijeninë e djalit të saj, pasi ajo faqe nuk është në menaxhimin e tij. Gjithashtu, ai i del në mbrojtje edhe trajnerit të kombëtares, duke thënë se atij i janë shtrembëruar fjalët nga mediat. “Përshëndetje, ju lutem si prind ta hiqni këtë status, sepse nuk është mendimi i Reit dhe të gjitha këto janë gënjeshtra. Sa për dijeni ky status nuk është shkruar nga Rei, sepse ai nuk di të shkruajë 100 për qind dhe jo sikur është shkruar aty pa asnjë gabim. Po ashtu, mos shtrembëroni fjalët e thëna nga tekniku i kombëtares. I lutem atij që e menaxhon këtë faqe mos të shkruajë gjëra të tilla në emër të Reit”, – ka thënë Eli Gjaci Manaj në profilin e saj në Facebook
Duka: Shifrat mund të na prishin punë me De Biasin
Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, pritet ta rinovojë kontratën e tij aktuale, ndërsa shifrat e reja mund të shkaktojnë edhe probleme. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë dje për “Report TV”, duke folur për rinovimin e kontratës me trajnerin Gianni de Biasi, nuk e përjashtoi mundësinë që shifrat të prishin marrëdhëniet mes palëve. “Nga ana jonë ekziston vullneti për rinovimin e kontratës aktuale. De Biasi kuptohet se jo vetëm pas suksesit, por ai do të vazhdojë të jetë trajner. Është me kontratë deri në qershor të vitit tjetër dhe më tej është vullneti dhe dëshira jonë që të vazhdojë. Mbetet për t’u përcaktuar vetëm numri që do të vendoset mbi letër, që nuk është një faktor i vogël. Pra, mund të na cenojë ndoshta edhe marrëdhënien tonë”. Ndërkohë, De Biasi, pas ndeshjes në Armeni, do të deklaronte se 2-3 milionë euro do të mjaftojnë për kontratën e tij. Kjo deklaratë ishte shaka, kur u përmend shifra prej 12 milionë eurosh që Federata përfiton nga kualifikimi në fazën finale të Evropianit.





