Në shtëpinë tonë jetojnë dy luftëra

Pjesa e parë/ Sjellim të parin përkthim në shqip pas marrjes së “Nobelit” pak ditë më parë të shkrimtares, gazetares bjelloruse, një tregim i botuar në vitin 2010 në revistën “Internazionale”

 

shtepite e shkaterruara ne kumanove

 

Nga Svetlana Aleksievič 

 

Një shtëpi gri parafabrikate në rrugën Kachovskaja, një prej ndërtesave të shumta me shumë kate, të gjithë të njëjtë, anonimë dhe çdo vit më të errët që e karakterizojnë një pjesë të mirë të Minskut. Hyrja, ku erdha për vizitë, ka diçka të veçantë. “Këtu, tek ne, do të gjeni dy luftëra”,- me këto fjalë më presin tek pragu. Olga Vasilevna Podvisenskaja shërbeu si nënoficere në një njësi të flotës së baltikut. Burri i saj, Saul Genrichovic, ishte rreshter i këmbësorisë. Si gjithmonë fillojmë me fotografitë e familjes. I shfletoj gjatë albumet, të rregulluar me kujdes dhe dashuri, gjithmonë gati në vendin e nderit. Për të ftuarit, por edhe për veten e tyre. Çdo album e ka një titull: Origjina jonë familjare, Lufta, Dasma, fëmijët, Nipërit. Më pëlqen ky kujdes për ngjarjet e jetës sonë. Është një dashuri për jetën e jetuar që ushqehet me dëshmi me fotografi për pranitë e dashura që banuan ty. Nuk më ndodh shpesh të ndeshem me një kuptim të tillë të shtëpisë, të pranisë reale të farefisnisë, të një filli bashkues që e kapërcen kohën, edhe pse kam qenë në qindra shtëpi, në çdolloj familje, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë, në qytet dhe fshat.

Padyshim shpeshmëria e luftërave dhe e revolucioneve që kaluam na detyroi ta humbnim zakonin që ta ruanin lidhjen me të shkuarën, ta endnim me kujdes pëlhurën e gjenealogjisë, ta hidhnim shikimin në thellësitë e së shkuarës sonë dhe të jemi për të krenarë. Përkundrazi nxituam që ta hiqnim nga kujtesa, t’i fshihnim gjurmët, sepse disa kujtime të ruajtura me kujdes mund të transformohen në prova në ngarkim dhe të të kushtonin jetën. Më tej se gjyshi dhe gjyshja askush nuk di gjë dhe nuk i kërkon rrënjët e veta. Ishim të zënë me ndërtimin e historisë, jetonim dita ditës me memorien tonë të shkurtër të ditës. Por këtu është krejt ndryshe. A jam vërtet unë kjo? – qesh Olga Vasilevna dhe ulet pranë meje në divan, duke marrë një fotografi që e tregon me uniform marinare, të dekoruar me medaljet ushtarake. “Sa herë që i shikoj këto fotografi mrekullohem. Sauli ia tregoi mbesës sonë gjashtë vjeçe e cila më pyeti: Gjyshëze, më parë ke qenë djalë, apo jo?

Doja t’ju pyesja për diçka, Olga Vasilevna: ju u nisët menjëherë për në front? Lufta për mua filloi me evakuimin, kur u largova nga shtëpia, nga rinia ime. Gjatë gjithë rrugës karvani u bombardua, u qëllua me mitraloz, avionët zbrisnin në pingul. Më kujtohet një grup nxënësish të një instituti profesional, kërcyen nga vagoni, të gjithë mbanin uniformën e shkollës, të zezë. Një shënjestër ideale! U vranë të gjithë, të goditur nga plumbat e avionëve që fluturonin ulët. Ndoshta ai që qëllonte i numëronte si birrila. Arrin ta marrësh me mend këtë?

“Punonim në fabrikë, vahtet i kishim të siguruara, nuk ishim keq. Por zemrën e kisha zjarr. Fillova t’i shkruaja zyrës së ushtrisë duke i kërkuar që të më rekrutonin. Një, dy, tre herë. Në qershor të vitit 1942 më erdhi thirrja urdhër. Ishim tridhjetë vajza. Që të shkonim në Leningradin e rrethuar na detyruan ta kalonim liqenin Ladoga në Chiatte të hapura, të ekspozuara ndaj plumbave të armikut. Nga dita ime e parë në qytet, nën darën e ndalimqarkullimit, kujtoj dy gjëra: natën e bardhë dhe një repart këmbësorie të marinës, me uniforma të zeza. Atmosfera ishte plot tension, rrugët e shkreta dhe të heshtura, rrezet e dritave të projektorëve si heshta në qiellin bojë qumështi dhe ata marinarë, me plumbat e mitralozave të kryqëzuar në gjoks, si gjatë luftës civile. Më dukej se isha në një film.

Qyteti ishte krejtësisht i rrethuar. Fronti ishte dy hapa larg. Me tramvajin numër tre mund të mbërrije në ofiçinat e Kirovit dhe kështu gjendeshe në vijën e parë. Çdo ditë jo me shumë re, rifillonte goditja me top, me kalibrim të drejtpërdrejtë. Qëllonin pa pushim. Ishin disa anije të mëdha të ankoruara në mole, sigurisht të maskuara, por nuk mund të përjashtohej një sulm i befasishëm. U ndërtua një repart special maskimi me tym, nën komandën e tenentit Aleksandr Bogdanov, komandant i një divizioni të motosilurave. Të pakta ishin vajzat që i kishin përfunduar studimet në institute teknike, dikush e frekuentonte universitetin, kur i kishte vajtur thirrja. Detyra jonë ishte të mbronim anijet me një perde tymi. Sapo topat fillonin të qëllonin, marinarët në bord prisnin që të ndërhynim: “Shpresojmë që vajzat tona të nxitojnë që ta ngrejnë perden, do të ishim më të qetë”. Ndërsa të gjithë vraponin në strehime kundërajrorë, ne dilnim me automjetet tona të pajisura me tymhedhëse. Siç thuhet, kryesisht shërbenim si shënjestër. Gjermanët qëllonin mbi atë që shihnin dhe ata shihnin perden tonë.

Si ushqim kishim ushqimet e domosdoshme, ato që gjendeshin në qytetin e rrethuar, por në një farë mënyre e shtynim. Para së gjithash ishim të rinj dhe kjo do të thotë shumë, së dyti e kishim para syve tanë shembullin e pabesueshëm të banorëve të Leningradit. Sepse kryesisht ne, sado të pakta ishin veprimet, e kishim një minimum jetësor të garantuar, ndërsa ata i shikonim të vyshkur në trotuare, të mbaruar nga uria. Vdisnin duke ecur. Herë pas herë vinin dhe na takonin fëmijë dhe ne përpiqeshim t’u jepnim diçka për të ngrënë, me shpresën që ta rimerrnin pak veten”.

Nuk ishin fëmijë, dukeshin të moshuar të veckël. Mumie të pakta. Na tregonin menynë e rrethimit, nëse mund ta quajmë kështu: supë rripash apo këpucë lëkure, të vjetra dhe të reja, xhelatinë prej ngjitësi të zdrukthëtarit, tigane sinapi. Të gjithë qentë dhe macet e qytetit ishin shterur. Nuk kishte më përreth zogj dhe laraska. Gjuani dhe minj që t’i hidhnin në tigan ose t’i piqnin. Një ditë fëmijët nuk u shfaqën më dhe ne i pritëm gjatë. Ndoshta kishin vdekur. Kur mbërriti dimri dhe Leningradi mbeti pa lëndë djegëse, na dërguan që t’i shembnim shtëpitë në një prej lagjeve të qytetit ku ende kishte ndërtime prej druri. Momenti më i keq ishte kur mbërritëm në një shtëpi të dënuar. U gjendëm përballë një shtëpie të banuar deri pak kohë më parë, qiraxhinjtë kishin vdekur ose ishin nisur, më shpesh kishin vdekur. E kuptonim nga enët mbi tryezë, nga sendet. Ndonjëherë kalonte gjysmë ore e mirë para se dikush ta ngrinte kazmën. E merrni me mend skenën? Rrinim aty të gjithë në pritje të kush e di se çfarë. Vetëm kur komandanti afrohej dhe e ngulte kazmën, fillonim edhe ne që ta shembnim”.

Shembnim pemët, i prisnim drutë, transportonim arka me municion. Më kujtohet se një herë u rrëzova poshtë njërës prej këtyre arkave, peshonte më shumë se mua. Nga njëra anë ishte kjo lodhje për burra, por për ne gratë kishte edhe vështirësi të tjera. Po sjell një shembull. Një ditë ma dhanë komandën e një skuadre. Të gjithë burrat ishin shumë të rinj i kalonim ditët në bordin e një anije patrulluese, një varkë e vogël, pa pajisje sanitare në bash.

Përktheu nga italishtja:

Arjan Kallço

 

 

Share it :