Në Kryeministri/ Rama me krerët e institucioneve të pavarura: Ndëshkim zyrtarëve të korruptuar

Gëzim Saliu

 

Kryeministri, takim me Llallën, Ajazin, Cefën, Xhukën e Lleshin

 “Shkëmbim informacioni për rritjen e forcës ndëshkuese ndaj korrupsionit”

 

Rama me kreret e insitucioneve..Bashkëpunim efikas për të garantuar shkëmbimin e informacionit dhe rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli. Kjo ka qenë kërkesa e Kryeministrit Edi Rama në takimin e zhvilluar dje me krerët e institucioneve të pavarura në vend, ku në qendër të diskutimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes tyre dhe koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. “Qeveria së bashku me institucionet e pavarura duhet të ndërmarrin veprime në unison për të adresuar probleme kyçe të axhendës evropiane me qëllim anëtarësimin e afërt në BE”, – tha Rama.

 

Takimi

Pavarësisht nga klima e krijuar mes mazhorancës dhe disa prej krerëve të institucioneve të pavarura në vend, të cilët janë kritikuar e madje ka pasur edhe kërkesë për shkarkimin e tyre, Kryeministri Rama së bashku me koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, i thirrën dje në Kryeministri në një takim me synim koordinimin e bashkëpunimit mes palëve. Në takimin ku merrnin pjesë kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i SHISH-it Visho Ajazi, kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi, nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa, si dhe kryeinspektorja e ILDKP-së Zana Xhuka, Kryeministri theksoi rëndësinë e pasjes së një bashkëpunimi sa më efikas për të garantuar një proces të konsoliduar të shkëmbimit të informacionit dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli. Ndërkohë, Çuçi theksoi nevojën për strukturimin sa më të mirë të marrëdhënies midis koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit dhe institucioneve të pavarura, në mënyrë që të rritet efikasiteti i luftës kundër korrupsionit. “Ka vend për bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve, por gjithsecili duke mbajtur pozicionin e tij të pavarur e kushtetues”, – u shpreh ai. Ndërkohë, nga të gjithë krerët e institucioneve të pavarura u shpreh mbështetja e plotë në punën dhe objektivat e qeverisë dhe të koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, ku u ra dakord për ngritjen e bashkëpunimit në nivelin e duhur, si dhe ndërmarrjen e një serie veprimesh konkrete dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në Shqipëri. Vetëm dy ditë më parë u zbardh i plotë raporti i grupit të kontrollit të Kuvendit i përbërë nga tre deputetë të mazhorancës së majtë në ILDKP, ku në përfundim kërkohej shkarkimi i kryeinspektores Zana Xhuka. Po ashtu, mazhoranca ka kërkuar me ngulm kërkon me ngulm rishikimin e skemës së funksionimit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pak kohë më parë, Kryeministri Rama paralajmëroi në seancën parlamentare reformimin tërësor të këtij institucioni. “Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ‘98, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lypset një reformë tërësore, ligjore edhe organizative, e cila ka filluar, siç ka filluar edhe strategjia e re e Sigurimit Kombëtar”, – u shpreh ai.

 

 

Eurokomisioneri

Füle shtyn vizitën në Tiranë. Zëdhënësi i KE-së: Takimi, në një datë tjetër

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle, e ka shtyrë vizitën e tij në Tiranë, të parashikuar për në datën 13 shkurt. Zëdhënësi i tij, Peter Stano, bëri të ditur dje se situata e vështirë në Ukrainë kërkonte prezencën e eurokomisionerit Füle, i cili është detyruar të shtyjë vizitën në Tiranë për një tjetër ditë. Zëdhënësi Stano tha se komisionari Füle do të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. “Do të vendosim një datë tjetër, që do jetë e përshtatshme me partnerët shqiptarë. Komisioni Evropian dhe komisioneri Füle personalisht mbeten të përkushtuar për të vazhduar dialogun me Shqipërinë, duke përfshirë dialogun e nivelit të lartë për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit në BE”, – u shpreh Stano. Komisioneri Stefan Füle pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do zhvillojë takimin e dytë pas atij të zhvilluar në nëntor për ecurinë e reformave në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe për administratën publike. Po ashtu këtë vizitë, pritet që eurokomisioneri ta shfrytëzojë për të bërë të mundur vendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës për realizimin e reformave, ku të djathtët kanë bërë të ditur se nuk marrin pjesë në Komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale pa u rikthyer konsensusi dhe njëkohësisht u garantuar deri në fazën e fundit të këtij procesi. Në këtë kuadër, vizita e komisionerit të KE-së pritet të përqendrohet në gjetjen e një bashkëpunimi, i cili konsiderohet si kyç për realizimin e disa prej reformave dhe implementimin e rekomandimeve të BE-së. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Füle do të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës.

 

 

Takimi

Gjosha me ministrin e Jashtëm suedez: Tur në rajon e BE për reformat e integrimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje në një takim delegacionin suedez, të kryesuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, z. Ola Svenningson. Në këtë takim, ministrja i njohu të pranishmit me reformat që po ndërmerr qeveria, duke theksuar se momentalisht po punohet fort me dy reforma të rëndësishme, siç është ajo në drejtësi apo reforma territoriale-administrative. “Kemi ftuar opozitën të jetë pjesë e këtyre reformave. Siç e dini mazhoranca ka votat në parlament për të kaluar të gjithë nismat ligjore, por kur vjen puna në çështje me rëndësi madhore për vendin ne opozitën duam ta kemi në tryezë, në mënyrë që të shkëmbejmë idetë dhe alternativat. Duhet vullnet i përbashkët”, – tha ajo. Po ashtu Gjosha theksoi se në fund të shkurtit do të nisë turin e vizitave në vendet e rajonit dhe në një pjesë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të dëshmuar mbi punën e qeverisë në funksion të procesit të integrimit. Nga ana e tij, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Suedisë theksoi se vizita e tij është një mesazh i qartë inkurajues për mbështetjen që Suedia i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. “Duhet të vazhdoni me reformat sepse realizimi i tyre ju jep besueshmëri tek vendet anëtare, por në radhë të parë te qytetarët tuaj. Keni mbështetjen tonë për të gjitha këto hapa që po ndërmerrni”, – tha Ola Svenningson. Në këtë kontekst, ministrja e Jashtme shqiptare pohoi se plan-aksioni për 5 prioritetet është i rëndësishëm për të zhvilluar më tej vendin.

 

 

 

 

Share it :