Në Fushë-Krujë /Basha: Vota në themel të karrierës në PD do ta bëjë partinë më të fortë e të besueshme

Gëzim Saliu

Basha ne Fushe Kruje “Një vit pas ardhjes në pushtet, nuk ka asgjë të re, vetëm përkeqësim në çdo fushë”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se vendosja e votës në themel të zgjedhjes dhe karrierës në PD do ta bëjë partinë më të fortë dhe më të besueshme. Pjesëmarrës në kuvendin zgjedhor të degës së Fushë-Krujës, lideri i demokratëve theksoi dje se PD do të vazhdojë të mbetet e lirë, “siç lindi dhe u rrit në stuhitë e përmbysjeve politike të viteve nëntëdhjetë”. Sipas Bashës, në forcën më të madhe të opozitës, liria do të vijë gjithnjë duke u zgjeruar, pasi theksoi ai, nuk ka rrugë tjetër për të shkuar përpara. “Vota e lirë ka qenë në themel të organizimit tonë që ditën e parë që kemi lindur. Dhe duke e përdorur atë me përgjegjësi dhe me zgjuarsi, duke e bërë atë bazën e çdo vendimi sa i përket organizimit dhe karrierës në Partinë Demokratike, ne do të arrijmë ta bëjmë partinë më të fortë, më të konsoliduar, më të besueshme, më të respektuar si karshi qytetarëve ashtu edhe karshi partnerëve ndërkombëtare”, – u shpreh kryedemokrati.

 

Qeverisja e majtë

Në fjalën e tij në kuvendin zgjedhor të degës së Fushë-Krujës, kreu i PD-së analizoi edhe qeverisjen e së majtës, e ardhur në pushtet prej 10 muajsh. Sipas Bashës, gjatë gjithë kësaj kohe pas rrotacionit politike nuk pas pasur asgjë të re e të mirë, por vetëm përkeqësim në çdo fushë, duke nisur nga xhepat dhe tavolinat e qytetarëve. Në këtë kontekst, kreu i demokratëve tha se sot më shumë se kurrë, qytetarët presin nga PD t’u rikthejë shpresën pasi nën qeverisjen e dyshes Rama-Meta, nënvizoi Basha, vihet re veçse përkeqësim dhe pasiguri anembanë vendit. “Në këto 10 muaj zhgënjimi të thellë popullor, me zullumet e dyshes Rama-Meta, ka pasur dimensione të jashtëzakonshme. Mashtrimet, zullumet, përkeqësimet ndihen kudo. Një vit pas rrotacionit politik, asgjë e re, asgjë e mirë por përkeqësim në çdo fushë duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve, duke vazhduar me perspektivën për të nesërmen, me sigurinë e jetës, me demokracinë në vend, përkeqësim në të gjitha fushat”, – u shpreh ai. Më parë në të gjitha takimet në degët e PD-së, kreu i opozitës krahas rëndësisë së zgjedhjeve të brendshme, ka vënë theksin tek situata e rëndë ekonomike, pasiguria për jetën dhe pronën si edhe cenimin e standardeve demokratike nga ana e mazhorancës. Sipas Bashës me qeverisjen e majtë nuk ka dritë në fund të tunelit. “Përkeqësim në rend, përkeqësim në siguri, përkeqësim në ekonomi, mekje, ngricë, asnjë dritë në fund të tunelit. Mungesa e shpresës është togfjalëshi më i shpeshtë në gojën e të rinjve Ku sipërmarrja është në goditje të vazhdueshme të taksave më të larta dhe të pasigurisë ligjore, ndihet në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit dhe po derdh në rrugë të papunë çdo ditë ku numri i vrasjeve, i tentativave për vrasje, i grabitjeve, i sulmeve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve është rritur muaj për muaj krahasuar me muajt pararendës të vitit 2013, vit i vështirë sepse ishte vit elektoral”, – ka theksuar kryetari i demokratëve Lulzim Basha.

 

 Seanca për Presidentin e KE-së/ Berisha: Rama reagoi ndaj Barrosos ashtu siç reagon ndaj meje

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka komentuar mesazhet e dhëna nga Presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso, gjatë vizitës së tij në Shqipëri duke vlerësuar se ai i njohu meritat vendit për ecurinë në reforma. “Të dashur miq, në vizitën e tij të dytë në Shqipëri, Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, do t’u deklaronte shqiptareve se “udhëtimi i Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka qenë madhështor dhe në kushte të vështira”. Në të vërtete kjo është universalisht e pranuar përveçse nga Edvin Kristaq Rama dhe klika e neo-bllokmenëve në pushtet”, – theksoi Berisha në rrjetin social “FB”. Më tej, ai tha se Barroso theksoi në fjalën e tij se vendimi për statusin kandidat për Shqipërinë është një “vendim historik”. “E ardhmja juaj është në BE, angazhimi ynë për këtë të ardhme evropiane është i palëkundur”; për BE-në “pakta sunt servanda”, d.m.th. marrëveshjet duhen respektuar; “ne i mbajmë premtimet tona kur partneret tanë arrijnë progres” dhe se “të gjithë ata që besuan se BE nuk është një partner i besueshëm e patën gabim, nuk patën të drejtë”, tha deputeti demokrat. Sipas Berishës, Barroso i kujtoi Ramës se ai nuk respekton marrëveshjen me kundërshtarët dhe se mashtroi shqiptarët se statusi në dhjetor nuk iu dha Shqipërisë për shkak të shumicës së saj myslimane, ekstremit të djathë, apo euro-skeptikeve. “Fjalën e Barrosos në parlament Rama e përcolli me nervozizëm, grimase dhe mimikë të pakontrolluar njëlloj siç përcjell fjalimet ne parlament!”

 

 

Share it :