Ndryshojnë rregullat tatimore, kaos në fasonet dhe biznesin e madh

Ervin Kaduku

 

Plotësohen vetëm dy kërkesa të fasonit, dy të tjera refuzohen: ngrirja e pagës minimale dhe tatim fitimi zero

 Ngërç me pagesat e TVSH-së pas taksave të reja, ankohet biznesi i madh; Ministria e Financave ende nuk ka një projekt për të rregulluar situatën

 

fabrike-kepuce-2143Qeveria shqiptare ka hedhur poshtë kërkesën e biznesit fason (sektori që punon me material porositës) për të ngrirë pagën minimale për të paktën katër vite. Drejtuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë argumentuar se ngrirja e pagës do të krijonte dizavantazh të kësaj industrie në raport me të tjerat.

Në mbyllje të fazës së parë të konsultimeve me grupin e punës të përfaqësuesve të biznesit fason dhe grupit ndërministror të punës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, mblodhi tryezën e diskutimit të propozimeve të marra.

Paketa e plotë me masa lehtësuese dhe incentivuese e fasoneve përmbante gjithsej 34 propozime.

Një tjetër pikë që duket se nuk do të gjejë mbështetjen e qeverisë është ulja në 0 e tatimfitimit për këtë sektor, për shkak të marrëveshjes që ajo ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ne kemi një marrëveshje me FMN, e cila na kushtëzon të bëjmë ndryshime në sistemin fiskal. Për momentin nuk mund t’ju konfirmoj miratimin ose jo të kësaj kërkese, por ju garantoj se do të jetë një çështje që do të diskutohet me Fondin”, – tha ministri Ahmetaj.

Për sipërmarrësit fason, plotësimi i kësaj kërkese ndikon shumë pak në buxhetin e shtetit dhe krijon mundësi të madhe për të tërhequr investitorë të huaj.

“Unë ju kërkoj që ta shikoni me vëmendje këtë çështje, sepse tashmë janë bërë disa takime me partnerë të rëndësishëm të huaj dhe ne e kemi promovuar me një tatimfitimi 10%, prandaj kjo është e rëndësishme për sektorin dhe investime në të”, – argumentoi Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve.

Por dy prej kërkesave janë tashmë të plotësuara, bazuar në vendimet e Këshillit të Ministrave. Më konkretisht, kërkesa për uljen e qirave të objekteve shtetërore në përdorim nga industria fason dhe procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në mënyrë automatike.

 

Ngërçi me TVSH-në

Nga ana tjetër, biznesi i madh po kërkon zgjidhje nga qeveria edhe për “ngërçin” që ka lindur pas rregullave të reja, pas të cilave biznesi i vogël nuk pranon faturat me TVSH, me qëllim shmangien e taksave.

Paketa fiskale 2014, që ka në qendër të saj lehtësimin dhe nxitjen e biznesit të vogël, sapo është miratuar edhe në Parlament dhe së shpejti do të hyjë në fuqi. Por ndërsa ajo “kënaq” sipërmarrësit e vegjël, që janë edhe më të shumtë në numër, bizneset e mëdha e të mesme kanë ende shqetësime. Një nga problematikat më të mëdha për to, që nuk po gjen zgjidhje, është mosmarrja e faturave me TVSH nga biznesi i vogël.

Biznesi i madh, i cili përbëhet kryesisht nga furnitorët më të mëdhenj të produkteve të importuara dhe të prodhuara në vend si dhe shërbimeve e ka shumë të vështirë të shesë “mallin” te biznesi i vogël me fatura TVSH-je.

“Ngërçi”, i cili zgjat prej shumë vitesh, vjen pasi biznesi i vogël nuk “pranon faturë” për të fshehur xhiron reale vjetore, me qëllim mospërfshirjen në biznes të madh, çka do ta detyronte të paguajë më shumë taksa. Kjo rëndon biznesin e madh, që nuk ka se ku të shkarkojë TVSH-në.

Në fakt, gjithmonë lëshimi i faturave të TVSH-së ka qenë shqetësues dhe mund të thuhet se është një nga shkaqet kryesore të krijimit të shmangies fiskale masive me të cilën përballet ekonomia shqiptare. Trysnia e prodhuar nga moslëshimi i faturave me TVSH, shoqëruar me shmangien e qarkullimit, natyrshëm të drejton drejt një shmangieje fiskale, të cilën biznesi i madh është i detyruar ta përballojë. Kuptohet që në kushte të tilla përballjeje mbijetese për biznesin do të thotë ose je i detyruar të ngarkohesh me kosto shtesë, që rrezikojnë të falimentojnë në një të ardhme të afërt si pasojë e konkurrencës së pandershme, ose je i detyruar të hysh në vorbullën e evazionit.

Shqetësimi nuk ngrihet për herë të parë, por zgjidhje përfundimtare nuk ka pasur, pavarësisht se shqetësimet janë marrë parasysh sidomos me përshpejtimin e vendosjes së sistemit të kasave fiskale online si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes. Në fakt, paketa lehtësuese vetëm për biznesin e vogël nuk është zgjidhje për problemin e faturave të TVSH-së. Përkundrazi e vështirëson zgjidhjen sepse trysnia do të jetë në shtim për fshehje xhiro dhe moslëshim faturash.

Në këtë drejtim, qeveria duket se ka vendosur tashmë që hapi i parë i reformës për të formalizuar sa më shumë ekonominë është që biznesi i vogël do të kalojë nën administrimin e Tatimeve. Prej 1 janarit 2014, taksat dhe tatimet e biznesit të vogël do të mblidhen nga administrata tatimore në përpjekje për të rritur eficencën e kontrollit ndaj tyre dhe për të ulur evazionin fiskal. Por, edhe vite më parë këto taksa mblidheshin nga Tatimet. Atëhere? Nëse rezultatet nuk do të jenë “të kënaqshme”, qeveria do të ndryshojë strategjinë e saj, theksojnë ekspertët e ministrisë. “Ne do të shohim ecurinë e kësaj skeme deri në vitin 2015, pra për një vit. Nëse rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme, do të vijohet me planin tjetër, atë të përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH-së”, shtojnë burimet e Ministrisë së Financave.

Për qeverinë nuk është e lehtë që të realizohet shpejt përfshirja e të gjitha bizneseve në skemën e TVSH-së dhe mendohet që të mund të kalojnë fillimisht bizneset me një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë, duke lënë jashtë vetëm sipërmarrësit e vegjël “të kioskave”.

 

Kush është pragu i pagesës së TVSH-së në Shqipëri dhe në vende të tjera (në xhiro vjetore)

 

Shteti Pragu në EUR Pragu në USD
 

Austria

35,000

47,250

Belgjika

5,580

7,533

Bosnja Hercegovina

25,475

34,391

Bullgaria

25,560

34,506

Kroacia

11,760

15,876

Qipro

15,600

21,060

Çekia

37,800

51,030

Danimarka

6,700

9,045

Estonia

16,000

21,600

Finlanda

8,500

11,475

Franca

81,500

110,025

Gjermania

17,500

23,625

Greqia

10,000

13,500

Hungaria

18,300

24,705

Italia

35,000

47,250

Letonia

14,100

19,035

Lituania

29,000

39,150

Luksemburgu

10,000

13,500

Maqedonia

21,170

28,580

Malta

37,000

49,950

Mali i Zi

18,000

24,300

Holanda

1,345

1,816

Norvegjia

5,960

8,046

Polonia

11,800

15,930

Portugalia

12,500

16,875

Rumania

65,000

87,750

Serbia

0

0

Sllovakia

49,790

67,217

Sllovenia

25,000

33,750

Turqia

0

0

Shqipëria

                35,714

47000

 

Burimi: Ministria e Financave

 

 

 

INSTAT: Inflacioni në janar 1.7 për qind, nafta +3.9%

 Çmimi i naftës pas hyrjes në fuqi të taksës së re mbi karbonin u rrit menjëherë me 3,9 % për gazoilin dhe 3,5 % për benzinën gjatë muajit janar, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. E bën të ditur këtë Instituti i Statistikave, i cili paraqiti nivelin e inflacionit për muajin e kaluar. Në muajin Janar 2014 inflacioni në bazë vjetore ishte 1,7 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,7 %. Krahasuar me muajin Janar 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,3 % pasuar nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,8 % etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin ”Komunikimi” me 2,8 % pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,7 %, ”Shëndeti” me 1,3 % etj.

Rritja vjetore në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,04 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e frutave janë rritur me 17,5 % dhe çmimet e zarzavateve me 12,7 %. Rritja e çmimeve të grupit ”Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,3 pikë për qind në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 12,7 %. Çmimet e grupit ”Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar gjithashtu me 0,3 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e materialeve për mirëmbajtjen e shtëpisë u rritën me 2,6 % dhe çmimi i lëndëve djegëse me 0,5 %.

Në Janar 2014 ndryshimi mujor i çmimeve, krahasuar me dhjetorin, është 0,8 %. Rritja mujore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike me 0,6 pikë për qind. Çmimet e zarzavateve u rritën me 6,6 %, frutave me 3,7 %, vezëve me 1,5 % etj. Çmimet e larta të grupit “Pije alkoolike dhe duhan ” ndikuan me 0,1 pikë për qind në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimi i duhanit u rrit me 4,6 %.

 

Share it :