Florenc Drizari
Berisha për deklaratat e drejtores së Tatimeve: Ajo është një mashtruese ordinere edhe më vjen keq që e them këtu. Ajo është përgjegjëse zyrtare pas ministrit
Pas publikimit të një videoje në media, në të cilën shfaqen persona që hyjnë në serverët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke e quajtur një skandal të rëndë. Sipas Berishës, është vjedhje e të dhënave financiare të një vendi për 20 vjet me radhë. Ai tha se në këta serverë është vjedhur çdo deklaratë e qytetarëve shqiptarë gjatë viteve të fundit dhe çdo e dhënë financiare e tatimeve. Ish-kryeministri bëri përgjegjës direkt për këtë akt Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave Shkëlqim Cani.
“Qëllimi i këtij akti të paimagjinueshëm e di Edi Rama me Shkëlqim Canin, që e kanë organizuar. Aty është dërguar në kundërshtim me çdo ligj, çdo rregull këshilltari i Edi Ramës, që është një maniak për kontrollin e email-eve. E ka marrë Rama t’u hapë email-et punonjësve të vet dhe këshilltari i Shkëlqim Canit, një haker i skeduar nga vendet partnere, si një njeri, si një pirat që bën pirateri në fushën dixhitale dhe ky i dyti duke bërë hakerin është futur në sistem, para se të vijë në audit. Siguria e sistemeve është problem kryesor jo vetëm këtu, por edhe në vendin me mbrojtje më të fuqishme, që është SHBA”, – theksoi Berisha për agjencinë e lajmeve “NOA”.
Duke folur për sigurinë e këtyre rrjeteve në botë dhe në vendin tonë, Berisha bëri përgjegjës vëllain e ministrit Gjiknuri, për ndërhyrjen në rrjetin e serverin e tatimeve. “Vëllai i ministrit futet në sistem si një hajdut të dhënash dhe ai meriton përballjen me forcën e ligjit. Pasi u denoncua me force për këtë, tani bëjnë aktin me qesharak dhe thonë se të dhënat janë zhdukur përpara. Por aty janë 20 vetë, të cilët këta i kanë shkarkuar dhe nuk e përdorin më sistemim. 20 vetë, që faktojnë se të dhënat u zhdukën dhe fatmirësish janë dhe të filmuara dhe ky televizion po jep veprimtarinë e tyre kriminale me sistemin e të dhënave financiare të vendit. Shkëlqim Cani pasi si guvernator zhduku thesarin e floririt të Shqipërisë tani zhduku thesarin tjetër financiarë të vendit”, – tha Berisha në një intervistë për një portal online.
Sa u përket deklaratave të drejtores së Tatimeve, znj. Shehaj, në një intervistë për “News 24”, televizioni që publikoi videon, Berisha e cilësoi atë si përgjegjëse zyrtare pas ministrit Cani.
“Ajo është një mashtruese ordinere edhe më vjen keq që e them këtu. Ajo është përgjegjëse zyrtare pas ministrit. Ajo ka dhënë urdhër në kundërshtim me ligjet. Kurrë këshilltari i Kryeministrit dhe këshilltari i ministrit nuk mund të jenë adutit. Në çdo vend të botës këshilltari i Kryeministrit ka vetën një tagër, t’i japë këshilla Kryeministrit dhe nuk mund të japë asnjë urdhër, askujt në administratën shtetërore. Këshilltari i ministrit ka vetëm një tagër, një të drejtë, të këshillojë çdo ditë ministrin e tij, nuk ka kurrë funksione auditi. Auditet kanë procedurën e tyre të përcaktuar sesi bëhen, nëse unë emëroj audit këshilltarët e mi unë dua të personalizoj procesin dhe mua ligji nuk më lejon të bëj asgjë personale, si kryeministër apo ministër”, – ka thënë ish-kryeministri Sali Berisha. Më herët ai ka akuzuar krerët e mazhorancës edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë çështje, Berisha ka zhvilluar disa javë më parë edhe një bashkëbisedim me gazetarët bashkë me drejtorin e pezulluar të IT-së, Roland Riska.
Komisioni hetimor për Tatimet
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ndërmori një nismë në fund të vitit të kaluar për të investiguar ndërhyrjet e raportuara në serverët e tatimeve. Pas denoncimit të hapur që bëri drejtori i IT-së në Tatime, Roland Rista, PD ndërmori një iniciativë për të ngritur një komision hetimor parlamentar. Por kërkesa e opozitës hasi në kundërshtimin e shumicës parlamentare, e cila argumenton se për këtë çështje organi i akuzës, kishte nisur një hetim dhe investimi i Kuvendit për të njëjtën çështje, do të ndikonte në pavarësinë e institucioneve. Gjatë përplasjeve në seancë plenare, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e hodhi propozimin e opozitës në votim, ku u rrëzua me shumicën e votave të mazhorancës. nga ana e përfaqësuesve të opozitës, rrëzimi i kërkesës së saj do të thotë që krerët e mazhorancës kanë pasur qëllime të dyshimta me ndërhyrjen në serverat e tatimeve.
PD: Pamjet e publikuara zbulojnë skemën korruptive me të dhënat tatimore
Deputetja Jorida Tabaku një ditë më parë, pas publikimit në televizion të ndërhyrjes në sistemin elektronik të Drejtorisë së Tatimeve, u shpreh se “botërisht, falë televizionit “News 24″, u pa se çfarë ka ndodhur me serverët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.
Pamjet e shfaqura, sipas deputetes së opozitës, vërtetojnë denoncimet dhe shqetësimin e ngritur nga Partia Demokratike, për një shkelje të paprecedentë në historinë e shtetit, në një zyrë të rëndësishme publike. Manipulimi i të dhënave tatimore sipas deputetes Tabaku, “ndërhyrja në listën e gjobave të biznesit, është bërë nën kujdesin e veçantë dhe nën mbikëqyrjen e krerëve të mazhorancës Rama-Meta.
Krerët e mazhorancës, urdhëruesit e këtij aksioni ilegal, e kanë ndërtuar mekanizmin për të bërë të mundur që bizneset të reduktojnë, ose zerojnë gjobat e tyre në sistem, në mënyrë që paratë t’i derdhin në xhepat e shefave të shumicës. Kemi të bëjmë me një krim të rëndë, një korrupsion në nivelin më të lartë të mundshëm, përmes një skeme të mirorganizuar, ku përfshihen njerëzit e besuar të Ramës dhe Metës. Kjo është arsyeja pse mazhoranca refuzoi ngritjen e komisionit hetimor të propozuar nga opozita, duke e shumëfishuar shkeljen dhe paligjshmërinë e tyre. Miliona të dhëna tatimore janë zhdukur në mesin e nëntorit të vitit të shkuar, dhe kjo ndodhi pas ndërhyrjes që grupi i Rama-Metës bënë natën, në errësirë, në ditët e pushimit zyrtar”.
Gjithashtu, zonja Tabaku foli edhe për nismën e PD-së për këtë çështje, ku mazhoranca rrëzoi komisionin hetimor në Kuvendin e Shqipërisë. “Kërkesa u rrëzua, sepse urdhëruesit e aksionit ilegal në tatime, Rama dhe Meta, nuk mund të pranojnë që të hetohen. Zbardhja e kësaj ngjarjeje është në interesin më të lartë publik, por nuk mund të ndodhë sepse dëmton interesin personal të krerëve të mazhorancës”, – deklaroi Tabaku.




