Ndarja e re administrative / Si ndikon reforma në Kodin Zgjedhor dhe ku ndahet PS-ja nga PD-ja për territorin

Florenc Drizari

Bashkim Fino: Nuk ka lidhje fare harta territoriale-administrative për komunat dhe bashkitë me Kodin Zgjedhor

 

largea_buxheti28-12-131388259108Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten e fundit ndryshimet në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale, duke ia kaluar shumicën koalicionit qeverisës PS-LSI, ndërsa ditën e hënë pritet që ky komision të fillojë nga puna. Nga ana e saj, opozita ka paralajmëruar se një reformë e tillë nuk mund të bëhet e vetme dhe nëse kjo nismë do të ndodhë, mazhoranca do të përballet me protesta në rrugë e sheshe të Shqipërisë. Kjo çështje ka shoqëruar debatet politike prej disa javësh mes pozitës dhe opozitës dhe sipas qëndrimeve të fundit publike mes palëve, pritet që situata të vijojë e tensionuar. Opozita akuzon mazhorancën se me miratimin e vetme të kësaj reforme tentohet cenimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore, ndërsa përpos këtyre qëndrimeve, mazhoranca thekson se një reformë e tillë është e domosdoshme jo vetëm për t’i kursyer vendit rreth 80 milionë dollarë në vit, por edhe për të miradministruar disa vendimmarrje lokale për të cilët pushteti vendor aktualisht nuk është në gjendje t’i realizojë. Përtej qëndrimeve politike për kohën në të cilën ndërmerret kjo reformë, referuar edhe marrëdhënieve aktuale mes pozitës dhe opozitës, duket se një tjetër ndarje është edhe në nivel teknik të kësaj reforme. Më konkretisht, përfaqësues të opozitës thonë se me ndryshimet që pretendohet të bëhen, reforma do të kërkojë ndryshime edhe të Kodit Zgjedhor. Nëse zmadhohet ose zvogëlohet një qark, ndikon në mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor dhe si zgjidhen deputetët, kanë thënë përfaqësues të opozitës. Sipas tyre, impakti që ka reforma duke sjellë dizenjimin e një harte të re, nuk është reformë. Deputetë të opozitës kanë thënë se të bësh kufij të ri të bashkive dhe komunave pa prekur asgjë tjetër, do të ndikonte tek Kodi Zgjedhor dhe do të kërkonte rishikimin e tij. Nëse kjo nuk bëhet, sipas opozitës, procesi do të sillte çudira në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe ato parlamentare. Por çfarë thotë mazhoranca, e cila duket e vendosur që këtë reformë ta mbyllë edhe pa opozitën brenda muajit korrik, edhe pse thirrjet për uljen e pakicës parlamentare në një tryezë nuk mungojnë.

Në konferencën e fundit për mediat, kryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Bashkim Fino, pyetjes se a do të shoqërohet harta e re territoriale me ndryshime në Kodin Zgjedhor, iu përgjigj se nuk do të ketë efekte të tilla dhe se kjo nuk është qëllimi i mazhorancës. “Absolutisht jo! Nuk ka lidhje fare harta territoriale administrative për komunat dhe bashkitë me kodin zgjedhor. Sot kemi 12 qarqe dhe prefektura, aty janë. Ne çfarë do bëjmë? Do afrojmë dhe bashkojmë komunat dhe bashkitë, në një numër më të vogël bashkish, kaq”, – ka thënë pak ditë më parë deputeti i PS-së, Bashkim Fino.

Ndërkaq, nëse i referohemi Kodit Zgjedhor, njësitë vendore janë edhe zona zgjedhore dhe referuar Kodit, KZAZ është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje më këtë Kod për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe zgjedhjet vendore. Referuar terminologjisë së Kodit Zgjedhor, Zonë zgjedhore është ndarja administrativo-territoriale e qarkut për zgjedhjet në Kuvend dhe bashkia apo komuna për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore. Sipas nenit Neni 27 (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012) Zonat e Administrimit Zgjedhor, thuhet: 1. Zonat e Administrimit Zgjedhor ngrihen dhe funksionojnë për çdo lloj zgjedhjeje dhe referendumi, sipas këtij Kodi. 2. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ, sipas ligjit që rregullon organizimin territorial të Republikës së Shqipërisë. Rrethet që kanë më shumë se 60 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një Zonë e Administrimit Zgjedhor, në përputhje me kriteret e mëposhtme: a) pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë; b) vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; c) mundësi të mira komunikimi brenda territorit; numër i përafërt zgjedhësish. 3. Asnjë Zonë Administrimi Zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy ose më shumë qarqe apo rrethe të ndryshme brenda të njëjtit qark. 4. Bashkitë me më shumë se 30 mijë shtetas me të drejtë vote përbëjnë zonë administrimi zgjedhor më vete, kur numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote në shkallë rrethi është më i madh se 60 mijë etj.

 

 

 Reformë të njëanshme? Opozita paralajmëron mbajtjen e referendumeve

Miratimi i njëanshëm i reformës administrative-territoriale nga mazhoranca pritet të kundërshtohet nga pakica parlamentare edhe nëpërmjet mbajtjes së referendumeve. Pak ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi se një reformë pa pjesëmarrjen e opozitës do të ballafaqohet me qytetarët shqiptarë. “Nëse do të kishim konsensus shumë shpejt do të arrinim në të peshonim shpejt divergjencat e të arrinim në konsensus teknike, me një asistencë të shkëlqyer ndërkombëtare dhe vendase. Do të bënim të gjitha zgjidhjet e nevojshme, të miratonim ligjin në draft dhe ta konsultonim me të gjithë, ne me pjesën tonë, ata me pjesën e tyre dhe do të kishim një përfshirje të plotë, qoftë në nivelin horizontal politik, qoftë në nivelin vertikal që është politika me elektoralin, dhe kjo do ta bënte të panevojshme konsultimet që mund të shkojnë deri në nivelin e referendumeve. Ta harrojë z. Rama dhe z. Meta dhe kushdo tjetër se mundet të shmangin vullnetin e zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë për të thënë fjalën e tyre për një nga reformat, për sa kohë nuk ka konsensus”, – ka deklaruar më parë deputeti Oerd Bylykbashi gjatë një interviste televizive.

 

 

PD: Dëshmitë tronditëse për trafikun e drogës vënë nën akuzë dyshen Rama-Meta

Partia Demokratike reagoi dje me anë të një deklarate për mediat, duke thënë se dëshmitë e dala së fundmi tregojnë implikimin e krerëve të qeverisë në trafiqet e drogës. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, deklaroi se dëshmitë tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë.

“Genti Kuqi, banor i Bedatit në Lushnjë, deklaroi para kamerës së “News 24” se ka parë avionin të ulet në rrugën Bedat-Adriatik. Disa persona me fuoristradë e kanë ndaluar atë dhe 20 banorë të tjerë dhe nuk i kanë lënë të kalojë për 25 minuta derisa avioni është ulur dhe ka ikur sërish. Kjo dëshmi, dëshmitë e banorëve të Kardhiqit, dokumente zyrtare të bëra publike janë tregues rrëqethës të faktit se territori i Shqipërisë është kthyer në një pistë të narkotrafikantëve. Në Gjadër, në Lushnjë, në Kardhiq etj. avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera. Këto dëshmi regjistroi edhe gazetari Telnis Skuqi, i cili u kërcënua me jetë, sepse prishi rehatinë e trafikantëve. Kërcënimi i gazetarit me një kokë të prerë dhie ishte një akt mafioz tronditës. Akoma më tronditës është fakti se edhe sot e kësaj dite Kryeministri Rama hesht për këtë akt gangsterësh duke u vetëdenoncuar kësisoj si palë me narkotrafikun dhe jo me të vërtetën”, – deklaroi Vorpsi.

 

 

Kreu i SHISH-it reagon për çështjen e drogës

Pas debateve politike për çështjen e implikimit të mundshëm të strukturave të FA-së në trafikun e drogës, ka ardhur edhe reagimi i SHISH-it. Kreu i këtij institucioni, Visho Ajazi Lika, i quan spekulime mediatike dhe politike qëndrimet e fundit lidhur me çështjen e drogës. Sipas një deklaratë nga SHISH, me këtë informacion po abuzohet në dëm të punës së shërbimit e të interesit të vendit. “Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet në një formë krejt të papranueshme, që cenon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit”, – thuhet në deklaratë.

Kreu i SHISH-it sqaron se puna e institucionit që ai drejton, është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi faktet e vërtetuara, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm, që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar e parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news