Narkoshteti i Ramës, kërcënim’/ Berisha me përfaqësues të Fratelli d’Italia: Qeveria teknike, kusht për zgjedhje të lira
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, priti një delegacion përfaqësuesish të partisë simotër italiane, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë).
Në takim morën pjesë Prof. Dr. Ugo Falcone, Koordinator i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik, Nënkryetar i Klubit UNESCO të Udines dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të Fratelli d’Italia; arkitekti Roberto Guggino, këshilltar bashkiak dhe kryetar i grupit të Fratelli d’Italia në Bashkinë e Pradamanos (Udine), si dhe bashkëpunëtor i BLDing Studio Srl (Pordenone); dhe z. Albert Meçaj, këshilltar biznesi me përvojë ndërkombëtare dhe anëtar i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik.
Kryetari i Partisë Demokratike falënderoi përfaqësuesit e Fratelli d’Italia për bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike në momentet më të vështira të përballjes së saj me regjimin e Edi Ramës.
Gjatë takimit, Berisha i njohu të ftuarit me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te protestat studentore, të cilat i cilësoi ndër më të fuqishmet në historinë e vendit. Ai theksoi se studentët janë ngritur kundër korrupsionit, narkoshtetit dhe shkatërrimit të procesit zgjedhor, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.
Berisha deklaroi se problemi më madhor i Shqipërisë, me pasoja shkatërrimtare për demokracinë, shtetin ligjor, shoqërinë dhe ekonominë, është narkoshteti i kryesuar nga Edi Rama, të cilin e cilësoi të parin dhe të vetmin në Europë.
Sipas tij, Shqipëria është sot eksportuesja kryesore e kanabisit në Europë, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë ndër transportuesit dhe kontrolluesit kryesorë të tregut europian të kokainës. Ai deklaroi se këto kartele kanë shtrirë ndikimin e tyre edhe mbi portet shqiptare, të cilat i përshkroi si pika të lira për trafikun e drogës.
Kryetari i PD-së denoncoi lidhjet e karteleve shqiptare të drogës, në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me policinë, prokurorinë, gjykatat dhe nivelet më të larta të pushtetit ekzekutiv.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të kartelit Sinaloa dhe se u ka mundësuar, në kundërshtim me ligjin, licenca për kazino dhe hotele me pesë yje.
Berisha iu referua gjithashtu dosjeve gjyqësore që, sipas tij, dokumentojnë organizimin e takimeve mes trafikantëve të drogës, ndërtuesve shqiptarë dhe përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të Kryeministrisë, përfshirë takime në Aruba.
Duke analizuar pasojat ekonomike të narkoshtetit, Berisha theksoi se euroja dhe dollari kanë pësuar në Shqipëri një zhvlerësim përkatësisht prej 32% dhe 35%, duke goditur rëndë eksportet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Ai deklaroi se prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, sipas të dhënave që ia atribuoi Eurostat-it, ndërsa treguesi i ndërtimit, sektor të cilin e cilësoi si një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave të drogës, është tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Një vëmendje të veçantë Berisha i kushtoi krizës demografike, të cilën e përshkroi si një tronditje të pashembullt në historinë e Shqipërisë.
Sipas shifrave që ai i atribuoi Eurostat-it, gjatë dhjetë viteve të fundit kanë emigruar drejt zonës Shengen 1,099,000 qytetarë shqiptarë. Duke përfshirë edhe emigracionin drejt vendeve të tjera, Berisha deklaroi se 47% e shqiptarëve janë larguar nga vendi.
Ai theksoi gjithashtu se numri i lindjeve ka rënë në nivele të krahasueshme me ato të një shekulli më parë, kur Shqipëria kishte më pak se një milion banorë.
Në përfundim, duke iu referuar kushteve në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjetjeve të raporteve ndërkombëtare, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krijimi i një qeverie teknike është kusht i domosdoshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Berisha nënvizoi se rikthimi i votës së lirë, lufta kundër korrupsionit dhe çlirimi i institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar janë parakushte për rivendosjen e demokracisë dhe të perspektivës europiane të vendit.




