Gëzim Saliu
Kreu i PS-së: Brenda mandatit të parë, legalizim falas
“Ne një autobus kemi, vetëm autobusin mavi, gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi”
Partia Socialiste mbylli dje me një miting në sheshin “Nënë Tereza”, fushatën elektorale në Tiranë, ku ndryshe nga takimet e mëparshme, kreu socialist Edi Rama nuk argumentoi programin e rilindjes dhe nuk bëri premtime elektorale, por u zotua se pas 23 qershorit, me votën për PS-në, qytetarët e Tiranës do të kenë një qeveri që do tu qëndrojë përkrah. I vetmi angazhim
që lideri i PS-së përsëriti në mitingun e Tiranës ishte legalizimi falas për zonat informate. “Me votën tuaj për rilindjen, ju kryeqytetasit, pavarësisht prejardhjes krahinore, përkatësive partiake, përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë, do të keni në krahë një qeveri që hallet tuaja do ti bëjë të vetat, problemet tuaja do ti ketë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo përpjekje. Rilindja nuk po vjen vetëm, po e sillni ju një popull i tërë. Zotimi ynë është se brenda mandatit të parë të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, që kanë ardhur për një jetë më të mirë, në kërkim të kësaj Amerike të vogël, do të kenë në dorë titullin e pronësisë të patundshme mbi shtëpinë, falas”, theksoi Rama.
Mitingu
Pasi folën me radhë të gjithë kandidatët për deputetë në qarkun më të madh të vendit, ishte radha e kreut socialist Edi Rama, i cili fjalën e tij e nisi me një përshëndetje qw krijoi ngjashmëri me fushatën e vitit 2009, ku thërriti të gjithë emrat e lagjeve kryesore të Tiranës. “Mirëmbrëma Lapraka, Kombinati, Sauku, Kamza, Paskuqani, Bathorja, Fusha e Aviacionit, Kodra e Priftit, Maminasi, Kavaja… Përshëndetje për të gjitha ata mbështetës që kanë ardhur me dëshirën e tyre në Tiranë, dhe jo me detyrim, sic bën Kryeministri për punonjësit e shtetit. Ditën e diel me numrin e bekuar 29, ne do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit me antiplumb, do t’i çlirojmë të gjithë policët, arsimtarët, punonjësit e administratës”, tha kreu socialist. Rama theksoi para qytetarëve të kryeqytetit se Tirana do të jetë më 23 qershor,kryeqyteti i Rilindjes. “Tirana do të udhëheqë fitoren e madhe e rilindjes ndaj rrënimit, të ndasisë dhe përçarjes që do të munden nga bashkimi dhe solidariteti. Dallimi mes nesh she atyre, është se pas katragjyshit nuk ka asgjë, ndërsa pas meje është skuadra e rilindjes”, u shpreh ai. Më tej, në fjalën e tij, kryesocialisti duke iu referuar një mesazhi që Partia Demokratike u ka dërgoi dje qytetarëve, të cilët i ftoi për të votuar numrin 44, akuzoi kryeministrin Berisha për mashtrime. “Sot paradite katragjyshi më çoi dhe mua një sms, ju ftoj të votoni 44. Por nuk ka më, kush kujton 44 voton 29. Votoni thotë projektin e PD-së që të hapim 250 mijë vende pune. Pse si hape po i mbylle, aty ishte, ku i ke? Votoni thotë që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që ata që jetojnë me pagë minimale sot kanë një pyetje, si të mbërrijnë në fund të muajit dhe si ti paguajnë listat e borxheve. Këto nuk i ha më njeri, ashtu siç nuk i ha askush premtimet për trefishimin e granteve për fermerët. Thotë japim tapitë për 6 muaj, pse nuk i dhe për 20 e kusur vite”, deklaroi Rama. Në këtë kontekst, kryesocialisti theksoi ndër të tjera se premtimi i Berishës për heqjen e vizave me SHBA-në është premtim bosh, sepse në fakt Amerika, sipas tij, ia ka hequr vizën kryeministrit. “Zotohem se me votën tuaj për Rilindjen ju kryeqytetasit pavarësisht prejardhjeve krahinore, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë do keni në krah një qeveri që hallet tuaja do t’i bëjë të vetat, problemet tuaja do t’i ketë të vetat dhe do jem pranë jush në çdo përpjekje për t’i zgjidhur hallet dhe problemet”, theksoi kreu i PS-së Edi Rama.
Kryesuesi i listës së Tiranës
Majko: 29-ta është një hsitori, vendosini kryqin mbi udhëkryqin
Kryesuesi i listës së kandidatëve të PS-së në qarkun e Tiranës, Pandeli Majko, deklaroi dje në mitingun përmbyllës të kryqytetit se vota për socialistët do të ndryshojë të ardhmen e vendit. “Edhe 2 ditë, edhe 2 ditë dhe masa e madhe e popullit shqiptar për ndryshim do të derdhet drejt kutive të votimit për të votuar 29-n tonë të dytë në histori. Ata e dinë mirë se nuk mundën ta blejnë votën. Do vijnë të trokasin të premten e të shtunën me pyetjen a do na jepni votën dhe përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. Ata do t’ju drejtohen me pyetjen, a do na jepni votën dhe do ta marrin përgjigjen. Ta dinë të gjithë se vota e shqiptarit nuk është votë skllevërish që shiten. Nuk do të kalojmë një rend skllavopronar. Edhe 2 ditë, ne do t’i drejtohemi kutive të votimit, për të vendosur kryqin mbi udhëkryqin,që është udhëkryqi i të ardhmes së fëmijëve tanë për Shqipërinë. 29-ta është më shumë se një numër. 29 është një histori, është fundi i ndarjes ne dhe ata, është ndryshimi, shpresa, është ëndrra”, tha Majko.
Berat
Meta: Nuk do bëjmë koalicion pas zgjedhor me Berishën
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përmbylli dje fushatën elektorale me një miting në Berat, ku bëri të ditur se forca që ai drejton dio të vazhdojë koalicionin me PS-së edhe pas zhvillimit të zgjedhjeve të së dielës. “Përjashtoj çdo koalicion pas zgjedhor me Sali Berishën dhe PD”, tha Meta. Nga ana tjetër ai tha se kryeministri Berisha do të ikë nga pushteti pas 23 qershorit.
“Berisha do ikë të dielën si kryeministër njëherë e përgjithmonë sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për boshtin e jugut do t’i duhet të presë dhe nja 2 400 vjet të tjera sepse ai për 8 vjet as rrugën e vjetër Lushnje-Berat nuk e rikonstruktoi. Ne do fitojmë se ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, frymëmarrje dhe ne do bëjmë unazën e Beratit brenda 2 viteve të para”




