Mitingjet Helikopter nga Italia për ta nisur Ramën nga Shkodra në Vlorë, kushtoi 300 mijë dollarë

Gëzim Saliu

ramaKreu socialist: Veriu dhe Jugu do t’i hapë rrugën projektit të Rilindjes

 

Partia Socialiste mbylli dje fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të së dielës, ku ndryshe nga të gjitha mitingjet e mëparshme përmbyllëse, forca më e madhe opozitare kishte përzgjedhur Shkodrën dhe Vlorën për të dhënë mesazhin final ndaj qytetarëve shqiptarë. Për të bërë të mundur transportimin e kryesocialistit Edi Rama nga Shkodra në Vlorë është përdorur një helikopter i posaçëm që ka ardhur nga Italia. Mësohet se Partia Socialiste ka paguar 315 mijë dollarë që kreu socialist të ishte i pranishëm pas thuajse 45 minutash nga mitingu i Shkodrës në qytetin e Vlorës. Ndërkohë. në fjalën e tij në të dy mitingjet, kreu socialist Rama theksoi domosdoshmërinë e votës për programin e PS-së, për ti dhënë jetë sipas tij projektit të Rilindjes. “Me fuqinë e jashtëzakonshme të votës së saj, me fuqinë supreme të autoritetit moral dhe kombëtar, që Vlora ka prej historisë, ky qytet do t’i hapë rrugë bashkë me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë nga veriu në jug projektit të madh të historisë kombëtar, që do vijë nga një sistem i unifikuar në arsim mes Shqipërisë dhe Kosovës. Vlorës së Ismail Qemalit i zotohem se besimit të këtij populli të këtij populli do ta kthej në punë, natë e ditë bashkë me skuadrën e Rilindjes”, – tha Rama.

 

Mitingjet

Kreu i PS-së kishte përzgjedhur Shkodrën për të nisur mitingun e parë përmbyllës, ku njëkohësisht fjala e tij u ndoq edhe në Vlorë, përmes ekranit të vendosur në sheshin qendror të këtij qyteti. Në fjalën e tij, Rama kërkoi votën e qytetarëve shkodranë, duke pohuar se era e Rilindjes po fryn fort në kryeqendrën e veriut. “Zgjidhni numrin 29 që të çliroheni. Nuk duhet të jetojmë më me ndasitë e vjetra ndaj duhet të ndëshkojmë me votë marrëzinë e përçarjes. Kush i thotë sot vetes shqiptar i mirë nuk duhet ta harrojë se kur e keqja e kap një vend për fyti, faji nuk është i të këqijve, por i të mirëve që nuk bëjnë asgjë”, tha Rama. Në këtë kontekst, kryesocialisti theksoi se u mbetet shkodranëve, vlonjateve dhe mbarë Shqipërisë të vendosin nëse janë sipas tij turmë që mund të ndajnë popullin në emër të së shkuarës me thikën e ndasisë. “Vuloseni me votën tuaj të dielën se çfarë jemi ne dhe fatin e vendit. E diela është dita që Shkodra dhe Vlora të bëhen një mendje, që veriu e jugu të jenë një në 23 qershor”, – u shpreh ai. Pas fjalimit në Shkodër, Rama u nis drejt “Sheshit të Flamurit” në Vlorë, prej ku theksoi se,: “Sot shqiptarët janë të thirrur të provojnë atë që thoshte Mit’hat Frashëri, në liri lufta jonë është puna. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Këto fjalë të një burri të mençur të këtij dheu i sjell këtu era e rilindjes dhe fryma e re e rilindjes që po vjen dhe do të trokasë përmes numrit 29. Në 23 qershor do ti sjellë këtij kombi një shpirt të ri. Me fuqinë e jashtëzakonshme të votës së saj, me fuqinë supreme të autoritetit moral dhe kombëtar që Vlora e ka prej historisë. Ky qytet do ti hapë rrugë, bashkë me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, projektit të rilindjes”. Në këtë miting përmbyllës, Rama ripërsëriti premtimet e programit të Rilindjes, duke theksuar premtimin për lehtësira fiskale për bizneset, mbështetjen për fermerët e vendit, legalizimet falas për zonat informale, rilindjen e arsimit dhe shërbim shëndetësor falas për të gjithë. “Në 23 qershor, numri 29 nuk do të ndryshojë thjesht një qeveri me një tjetër, por do të ndryshojë rrugën e jetës të atyre që jetojnë në fshat, sepse 29-ta ky numër i bekuar i çlirimit do t’i çlirojë gratë dhe burrat që jetojnë me tokën, nga barra e papërballueshme e kostove të prodhimit. Vota për PS-në dhe për numrin 29 është një shenjë që vlen sa certifikata e tokës. Duke vënë shenjën tek 29 do të firmosin letrat e legalizimit falas, me të gjitha shpenzimet që do të përballohen nga shteti i rilindur i shqiptarëve”, – deklaroi kreu i PS-së Edi Rama.

 

Deklaratat në mitingje nga Majko te Blushi

Majko: I ka vdek nëna, do fitojmë

Nga qyteti i Vlorës, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës Pandeli Majko u shpreh i bindur për fitoren e socialistëve më 23 qershor. “Nëna Vlorë të ta them labçe, i ka vdekur nëna do fitojmë. Sot për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, shqiptarët e Vlorës dhe të Shkodrës kënduan bashkë himnin e shqiptarëve. Jemi të gjithë këtu në një besëlidhje të madhe sepse duam ndryshimin, duam të ngremë flamurin e ndryshimit”, – deklaroi Majko.

Blushi: Nga Vlora në Shkodër, votë për PS-në

“Vlora nuk është një qytet, është një ideal, është flamuri, që do ngrihet në 23 qershor për të votuar në numrin 29, për të votuar për PS. Siç thoshte Noli i madh, katundarë dhe punëtorë, që nga Shkodra deri në Vlorë, të gjithë do votojmë për PS, për një Shqipëri të lirë, më të drejtë”.

Kodheli: Duhet të rilindim nga e para

“Ua kemi borxh Shqipërinë atyre që kemi mbrapa. Duhet ta rilindim nga e para dhe do ta rilindim Shqipërinë. Skuadra e Rilindjes do ta bëjë këtë bashkë me të gjithë ju”.

Klosi: Do mbrojmë votën e çdo shqiptari

“Edhe vetëm një ditë, për t’i dhënë fund një periudhe shumë të vështirë për ne. I përkulemi nga ky shesh përpjekjes së madhe të gjithë opozitarëve me mitingje e protesta për të ardhur në këtë ditë të madhe. Do të jemi bashkë me ju për të mbrojtur votën e çdo shqiptari. Vota e re e PS dhe Edi Ramës do shpërthejë në datën 23. Ne do jemi pranë jush në çdo shqetësim dhe hall”.

 

Do legalizojmë hashashin

Komunistët, Ramës: Turpi yt më i madh që i kërkon Berishës të lirojë karrigen

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar ka reaguar dje ndaj deklaratave të kreut socialist Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV klan, duke kundërshtuar kritikat e tij për programin e komunistëve. “PPSHR është tepër e zhgënjyer nga mënyra se si Partia Socialiste po sillet ndaj aleatit të saj më besnik. Në daljen e tij të fundit në emisionin “Opinion”, Edi Rama e ka quajtur programin e PPSHR një “humor elektoral”, duke harruar se praktikisht, gjithë fushata e zotit Rama ka nisur me humor cirku dhe ka përfunduar me humor të zi. Programi elektoral i PPSHR ka alternativa konkrete që do të sigurojnë hapjen e mijëra vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së shqiptarëve. Për të realizuar këto objektiva, do të shtetëzohen gjithë pasuritë kombëtare dhe do të vihen në funksionim nga shteti, do të ngrihet një bankë shtetërore e kursimeve dhe do të legalizohet një bimë mjekësore që është e ligjshme në shumë vende të botës si kanabisi, nga kultivimi i të cilës do të ketë përfitime kolosale ekonomike për fermerët shqiptarë”, thuhej në deklaratën e PPSHR. Më tej kjo forcë politike e drejtuar nga Marko Dajti, theksoi se,: PPSHR konsideron se është një turp i madh nga shefi i opozitës që i kërkon “katragjyshit Berisha” të lirojë karrigen kryeministrore. Në historinë botërore të 100 viteve të fundit ka vetëm një precedent të tillë, kur Adolf Hitleri i kërkonte me forcë Presidentit Paul fon Hindenburg ta emëronte kancelar të Rajhut. Ndërsa në vendet demokratike, kryeministri nuk emërohet, por dekretohet pasi fiton zgjedhjet. Të majtët e vërtetë nuk e kërkojnë largimin e Sali Berishës sepse ka mbushur moshën, por sepse ka mbushur kupën”. Sipas komunistëve, kryesocialisti para se të tallet me PPSHR-në, duhet të dëgjojë fjalën e ndërkombëtarëve dhe të dërgojë urgjentisht anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

 

Takimi

Meta mbyll fushatën në fabrikë prodhimi: Rigjallërimi i ekonomisë, prioriteti ynë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zgjodhi që ta përmbyllë fushatën me një vizitë në një fabrikë prodhimi dhe eksportimi këpucësh, konfeksioni, ku deklaroi se thelbi programit të LSI-së është rigjallërimi i ekonomisë dhe në veçanti orientimi drejt eksporteve. “I gjithë thelbi i angazhimit dhe i programit tonë për të ardhmen është rigjallërimi i ekonomisë, ristrukturimi i saj e në mënyrë të veçantë orientimi drejt eksporteve si rruga më e sigurt për të pasur një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi konkurruese që garanton vende të qëndrueshme, të sigurta e afatgjata të punës”, – u shpreh Meta. Më tej, ai theksoi se LSI është e vendosur që të mbështesë sipërmarrjen, sidomos ato që punësojnë gra dhe vajza. “Dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vendosmërinë tonë për të ecur në programin tonë për të mbështetur sipërmarrjen shqiptare, por edhe të huaj, për të mbështetur në mënyrë të veçantë të gjitha gratë dhe vajzat sipërmarrëse në Shqipëri me qëllim që të dyfishohet numri i të gjithë grave dhe vajzave që drejtojnë sot sipërmarrjet në vendin tonë brenda këtyre katër vite dhe njëkohësisht të arrijmë të punësojmë çdo grua, çdo vajzë, gjatë gjithë këtyre katër viteve përmes programit tonë për punësimin, që është në fakt edhe programi që do të zgjidhë shumë probleme sociale, të cilat shqetësojnë familjet tona, familjet shqiptare”, tha kreu i LSI-së Ilir Meta.

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :