Miti Firence

Histori/ Ekspozita i ngjan një shëtitjeje nëpër 600 vjet histori të qytetit

 

Firencja njihet si djepi i Rilindjes, por historia e zhvillimit drejt një perandorie të kulturës dhe tregtisë nis në mesjetë. Ekspozita e Firences në Bon hedh dritë në 600 vjet histori të qytetit.

 

 

27 dhjetor Minerva dhe centauri nga Sandro BotticelliJohann Wolfgang von Goethe-s nuk i la shumë përshtypje, kur e vizitoi Firencen në vitin 1796. “Nëpër Firence kam kaluar me nxitim”, – shkroi ai. Për poetin, qyteti, që përshkohet nga Arno, përbënte vetëm një stacion gjatë udhëtimit të tij legjendar drejt Jugut, për në Romë, Napoli dhe më në fund në Sicili. Sot miliona turistë do ta komentonin këtë krejtësisht ndryshe. Firencja është perla e Toskanës dhe një vizitë në të është një domosdoshmëri për çdo artdashës. Tani banorët e Bonit nuk kanë nevojë të paketojnë valixhet, sepse margaritari u ka ardhur tek pragu i shtëpisë, ku mund ta shijojnë me orë të tëra. Me harta historike, dorëshkrime korrespondencash, shkrime të rralla, vepra artistike të përzgjedhura, tekstile orientale, të tilla objekte janë sjellë në ekspozitën “Miti Firence” në muzeun kombëtar të arteve “Bundeskunsthalle” në Bon.

Ekspozita i ngjan një shëtitjeje nëpër 600 vjet histori të qytetit. Mund të shihet edhe një kryevepër e Domenico di Michelino-s. Piktura tregon Dante Alighieri-n, autorin e “Komedisë hyjnore” dhe dijetarin e shquar të humanizmit. Në të djathtë të tij gëlon ferri, kurse në të majtë ngrihen kupolat dhe kullat madhështore të qytetit të Firences. Në mes të pikturës qëndron ai si një arbitër. Kjo pikturë e famshme e vitit 1465 me titullin “Alegoria e komedisë hyjnore” ndodhet në njërën prej anijatave anësore të katedrales së Firences, kurse vizitorët e ekspozitës në Bon kanë mundësi ta vështrojnë atë nga afërsia.

 

Qytet mesjetar me potencial zhvillimi

Firencja të mrekullon me një trashëgimi të pasur kulturore. Ekspozita shtjellon për herë të parë historinë dhe mundohet të shpjegojë mitin rreth këtij qyteti. Që në vitin 1300 Firencja njihej si metropol ekonomik me potencial zhvillimi. Arti dhe paraja ishin që atëherë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën: Të ekspozuara në të janë mëndafshi i butë i endur me fije floriri, dokumente të tregtisë dhe monedha e Firences, “Florin”. Fiorentinët migrojnë përtej mureve të qytetit, duke e zgjeruar atë edhe në rrethina. Fillimisht, qyteti nuk është shumë i madh, por në kohën e mesjetës Firencja është ndër më të mëdhatë dhe shumë herët fillon tregtia me qytete të largëta, madje kontaktet arrijnë deri në Persi. Ndikimet orientale përfshijnë edhe artistët e shumtë të qytetit. Piktorët Giotto dhe Fra Angelico krijuan vepra artistike, me të cilat merren edhe sot e kësaj dite studiuesit e artit. Pikturat dhe buste të Gjon Pagëzorit, i cili është mbrojtësi i qytetit dhe piktura të shumta me portretin e Maries janë dëshmi të artit sakral.

Katedralja e Firences është një qendër e rëndësishme fetare. Për ta qartësuar kompleksitetin e Kupolës, një kryevepër e arkitektit italian Filippo Brunelleschi, ajo paraqitet në ekspozitë si maket prej druri si dhe përmes një filmi, por edhe letërsia është një pjesë e rëndësishme e Firences: Poetët si Dante, Petrarca dhe Boccaccio jetonin në këtë qytet dhe krijuan një letërsi popullore. Njëra ndër eksponatet e përzgjedhura është një dorëshkrim në pergamenë i “Komedisë hyjnore” të Dante Alighieri-t nga viti 1396.

 

Djepi i Rilindjes

Gjatë Rilindjes, Firencja përjetoi kulmin e vet kulturor. Vepra artistike me famë botërore si për shembull “Mona Lisa” e Leonardo Da Vincit u krijuan në Firence, por edhe tregtia përjeton kohën e artë, me pushtimin e Pizës mundësohet dalja drejtpërdrejt në det. Për historianen e artit nga Italia dhe bashkëkuratoren e ekspozitës, Annamaria Giusti, qëndrimi sponsorizues i qytetarëve karakterizon shpirtin e Firences. “Firencja ishte që në shekullin XII një qytet i pasur, por më së voni nga fillimi i shekullit XIII lulëzoi tregtia”, – shpjegon ajo. Tregtarët përdornin pasurinë e tyre për ta zbukuruar qytetin dhe për të përkrahur artistët. “Artistët ishin mbi gjithçka për banorët e qytetit. Pavarësisht nga çmimi, bukuria kishte përparësi”, – tregon historiania e artit dhe drejtorja e departamentit të Artit Modern në galerinë “Palazzo Pitti”.

 

Rizbulimi i antikes

Humanizmi fiorentin përcakton një këndvështrim të ri ndaj antikes, duke e vendosur njeriun në epiqendër të gjithҫkaje. Ky vështrim i ri shprehet në art nëpërmjet hapësirës dhe perspektivës qendrore. Por ҫ’mund të ishte Firencja pa familjen e bankierëve Medici, e cila ndikoi në mënyrë masive në formësimin e jetës kulturore dhe politike në Firence? Fuqia e familjes Medici ka lënë gjurmë në të gjithë qytetin. Ata financuan manastire dhe kisha dhe të njëjtën kohë përkrahën dhe promovuan shkencëtarët dhe artistët, si Botticelli. Piktura “Minerva me centaurët” shkëlqen në këtë ekspozitë. Ajo tregon një grua me veshje të lehtë dhe me flokë duke u valëvitur, që zbut një centaur. Egërsia dhe virtyti takojnë njëra-tjetrën. Qëllimi moral përforcohet, kur mëson se kjo pikturë varej dikur në dhomën e gjumit të një anëtari të familjes Medici. Në të njëjtën kohë ajo dëshmon për ekspertizën e kësaj familjeje në historinë e artit.

 

Fuqia e dinastisë Medici

Në vitin 1563 Cosimo de Medici themeloi akademinë e parë për piktorë dhe skulptorë. Drejtori themelues i saj është i madhi Giorgio Vasari. Disegno, që do të thotë vizatimi, u zhvillua në Firence si zhanër më vete. Piktura, skulptura dhe arkitektura formësojnë departamentin e sapokrijuar të arteve të bukura. Me rënien e familjes Medici në shekullin XVII nisi edhe kalimi tek modernja nën sundimin e Habsburg-Lothringer. Duka i madh Peter Leopold u kujdes për një modernizim. Në shekullin XVIII dhe XIX ai e ktheu qytetin në një qendër të rëndësishme muzesh. Koleksionistë ndërkombëtarë dhe tregtarë të artit u vendosën aty dhe bënin tregti në mbarë botën me art italian. Galleria degli Uffizi hapi portat për publikun e gjerë dhe u themeluan muzetë e shkencës. Tërësisht në përputhje me iluminizmin njerëzit kanë qasje në art. Kësisoj në shekuj Firencja zhvillohet, duke u shndërruar edhe vetë në një vepër të gjithanshme arti.

Ekspozita aktuale në Bon është për eksperten e artit Giusti, një mundësi për të prezantuar anët më të mira të Firences në Gjermani. Për këtë arsye, disa nga veprat e ekspozuara kanë dalë për herë të parë jashtë kufijve të Italisë. Edhe pse turistët presin në radhë pafund para monumenteve të ndryshme fiorentine, që të mund ta shijojnë artin, sot avangarda e artit nuk e përfill Firencen. Idetë e reja lindin në Nju Jork apo në Berlin. Firences i duhet të kujdeset për trashëgiminë kulturore, që ka, thotë Giusti. Tek e fundit prej kësaj trashëgimie sigurohet kapitali i këtij qytetit.

Share it :