Edhe pse opozita ka votuar kundër, mazhoranca ka miratuar në Parlament ligjin për hapjen e dosjeve, i cili ka në themel informimin.
Erion Veliaj mbyll me “Dosjet” punën si ministër Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, për herë të fundit në Kuvend me këtë status, ka argumentuar sesi do të implementohet ky ligj i cili në themel të tij ka transparencën dhe jo lustracionin, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.
Por, para kësaj deklarate, deputetja Mesila Doda, e cila është edhe relatorja e projektligjit të propozuar nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga e djathta, ka theksuar se vetëm lustracioni mund të sjellë drejtësi për këtë shtresë të shoqërisë.
“Ke kryetar grupi parlamentar, ke kryetar të Komisionit të Ligjeve dhe deputetë në grupin parlamentar pjesë të ish-funksionarëve të lartë të regjimit. Ponc Pilatin nuk e bën dot”, tha Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike.
Ndërsa Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, deklaroi: “Si flasim ne për persekutimin komunist dhe kërkojmë të bëjmë edhe ligj për të hapur dosjet, kur sot e kësaj dite mbajmë diktatorin Enver Hoxha si hero të popullit. Duhet të rihapim dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit sepse transparenca është elementi i parë i funksionimit normal të një shoqërie. Lustracioni është një domosdoshmëri dhe pavarësisht votimit sot, kjo histori nuk mbyllet.
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko tha se “propozimet që kanë sjellë kolegët e opozitës janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese”.
“Fajtorët për atë që ka ndodhur në Shqipëri nuk janë këta që ne do u hapim dosjen, por është një vertikale e madhe dhe të gjithë duhet të pranojnë pjesën që u takon”, tha Majko.
Ky ligj i jep mundësi ish të përndjekurve politikë, por edhe shoqërisë civile të drejtën e informimit, por jo të lustracionit. Mazhoranca ka kërkuar që një pjesë e zyrtarëve të lartë, para se të emërohen, të shikohen nëse kanë ose jo dosje, pra të verifikohet pastërtia e figurës së tyre. / TCH




