Platforma për reformimin e Teatrit Kombëtar e paraqitur nga Hervin Çuli ka fituar, duke u propozuar dje nga ministrja e Kulturës si drejtor.
Në një njoftim për mediat, dje është bërë i ditur lajmi, duke mbyllur kështu gjithë zhurmën dhe debatin për drejtorin e Teatrit, më shumë se vetë Teatri.
Ministria e pati shpallur konkursin pak kohë më parë, duke e finalizuar me tri kandidaturaL Edmond Budinën, Hervin Çulin dhe Laert Vasilin.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se “ky propozim vjen në përputhje procedurat e parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 7.3.2003, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose ministrit”. Mbi këtë bazë ligjore, Kumbaro ka propozuar emrin e Çulit në detyrën e drejtorit të TK-së, me argumentin se “përmbush krahas kërkesave të përgjithshme për t’u punësuar në shërbimin civil, sipas nenit 12, të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil” edhe kërkesat e veçanta, të shpallura në media dhe web-in e Ministrisë së Kulturës”. Më tej, në deklaratë thuhet se “Çuli është përzgjedhur sipas një procedure ku ka paraqitur një platformë për drejtimin e këtij institucioni, e cila vlen në përpushje me politikat e Ministrisë së Kulturës. Ky propozim vjen në përputhje me objektivat artistike, kulturore dhe administrative të kërkuara për këtë pozicion”. Propozimi i ministres do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.




