Ministria e Brendshme dhe SHKB Shkelje në tendera, kallëzim ish-kryepolicit Burgaj dhe 9 zyrtarëve

Dosja është dorëzuar në prokurorinë e Tiranës, shkeljet shkaktuan dëm në vlerën 3.18 milionë dollarëve

 

hysni-burgajPaditë ndaj ish-zyrtarëve pasojnë njëra-tjetrën. Pas kallëzimit penal të dorëzuar ndaj ish-ministrit Imami, një tjetër është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila tashmë ndodhet në tryezën e prokurorëve të Njësisë Task Force. Ky kallëzim është dorëzuar një muaj më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për një tender të zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me vlerë 318 milionë lekësh apo 3.1 milionë dollarëve. Të akuzuar janë ish-kryepolici Hysni Burgaj dhe 9 zyrtarë të tjerë. Mësohet se, të akuzuarit për këtë tender, do të thirren nga kjo njësi gjatë javës në vazhdim, për të dhënë dëshmitë e tyre për këtë skandal. Kallëzimi penal është bërë ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë është ajo e “shpërdorimit të detyrës”, si edhe “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”.

Shkeljet

Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që ju drejtua Prokurorisë së Tiranës, kanë të bëjë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve në kuadër të liberalizimit të vizave. Bëhet fjalë për pesë tendera në shkelje të ligjeve të prokurimit me një vlerë prej 318 milionë lekësh ose ndryshe mbi 3 100 000 dollarë. Sipas hetimit të bërë nga oficerët e policisë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka rezultuar se në tre tendera, komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave duke paracaktuar fituesin që në të gjitha rastet. Është vetëm një kompani, ajo Promo, e cila ka marrë të gjithë shumën prej mbi 3 100 000 dollarësh. Në të gjitha procedurat e kryera veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv.drejtori i Policisë, Rasim Borishi, në kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit. Një tjetër pikë e shkeljeve nga Komisioni i Prokurimit është se u shpall operatori fitues në bazë të çmimit dhe jo pikëve, ne kundërshtim me VKM në fuqi. Një ndër pikat me shkeljen më të rëndë mbetet ajo se në dy procedura prokurimi mungon data e raportit përfundimtar të përpiluar nga ky komision, si edhe se në ftesat në ofertë, drejtuar operatorëve për pjesëmarrje në prodhimin dhe transmetimin e spoteve publicitare, titullari i autoritetit kontraktor i është referuar një baze ligjore të shfuqizuar. Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në komisionin nuk ka patur specialistë të fushave. Një ndër me flagrantet si shkelje konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi televizionet që do transmetonin spotet publicitare.

Reagimi

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me këtë çështje, gjatë konferencës për shtyp për buxhetin 2014, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se “ka zhvillime të cilat nuk mund të komunikohen tani”, por theksoi se vëmendja duhet të vendoset tek zhvillimet pozitive që parashikon buxheti i ri. Ndërkaq, ministri Tahiri theksoi se sipas rezultateve të auditit, ata që rezultojnë shkelës do të përgjigjen para drejtësisë. “Ka zhvillime të cilat nuk mund t’ua komunikoj tani. Si pasojë e auditit të brendshëm, nuk kemi ndërmend të kursejmë askënd që ka përgjegjësi, kjo nuk ka lidhje me emrat, me detyrat që kanë mbajtur funksionarët, por për ata që mbajnë përgjegjësi. Lajmi i mirë është mbajtja e premtimit të qeverisë për rritjen e pagave. Nisur nga ato që rezultojnë nga auditi dhe transparenca, nëse rezultojnë përgjegjës, do të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh ministri Tahiri.

 

Zyrtarët e akuzuar

Hysni Burgaj – Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Rasim Borishi – Ish- zv.drejtor i përgjithshem

Kole Kukaj – Kryetar i komisionit të vlerësimit

Adelina Marashi, anëtare e komisionit

Agim Hysko,  anëtar i komisionit

Besjana Martini, anëtare e komisionit

Liza Tafili, anëtare e komisionit

Meri Papakonstandini,  anëtare e komisionit

Klejda Plangarica, anëtare e komisionit

Islam Cenga, anëtar i komisionit

 

Pagat në polici

Tahiri: 93 % e efektivëve të Policisë së Shtetit përfitojnë rritje rroge

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli mbrëmë para mediave për të thënë se nga buxheti i miratuar në qeveri, 93% të të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, përfitojnë rritje rroge. “Rritja konsiston në përfitimin nga taksa progresive dhe rritje buxhetore të pagës nga 15-20%. Që do të thotë nga 20-25%. Kjo për 93 % të efektivëve. E shoqëruar me sigurimin e jetës për gjithë policët”, vlerësoi Tahiri. Duke e konsideruar si buxhetin më të madh në historinë e Ministrisë së Brendshme, Tahiri tha se rritja e pagave, është investimi që bën qeveria për sigurinë publike. “Kemi përmbushur që në buxhetin e parë më shumë se 60% të premtimeve. Nuk kam asnjë dyshim për rivendosjen e rendit brenda 300 ditëve”, deklaroi ai. Por, në këtë daljen publike, ministri Tahiri foli edhe për atë që e konsideroi si polici të rrënuar, që mori trashëgimi nga qeveria e mëparshme. Tahiri tha se po diskutohet me Ministrinë e Financave që të ardhurat që krijon, Policia e Shtetit t’i administrojë vetë për zhvillimet e saj teknologjike dhe infrasktrukturore.

Korçë

Vrasja e dy vëllezërve Çollaku, kërkohen ekspertë italianë për ngjarjen

Nuk u besojnë dy ekspertizave të kryera deri tani, as asaj të bërë në Follorinë të Greqisë dhe as asaj të bërë nga pala shqiptare. Madje akuzojnë se është mbajtur i njëjti qëndrim me palën greke. Për këtë arsye, ashtu sikundër e kanë paralajmëruar edhe pas bërjes publike të dy ekspertizave, familjarët e vëllezërve Melsi e Klevis Çollaku janë nisur drejt Italisë. Familjarët kanë vendosur të marrin një ekspert italian për riekzaminimin e trupave pasi ata kundërshtojnë ekspertizën mjeko-ligjore të mjekëve grekë dhe atyre shqiptarë. Gjithashtu, familjarët paralajmërojnë protesta nëse nuk zbardhet e vërteta e vrasjes së dy vëllezërve. Sipas ekspertizës shqiptare, nga këqyrja e trupave të Melsi dhe Klevis Collakut nuk u konstatuan shenja dhune, por në trupat e tyre ka patur vetëm plagë të shkaktuara me armë zjarri. “Dy vëllezërit janë qëlluar nga një distancë e afërt”, thuhet në ekspertizë. Akti i ekspertimit mjeko-ligjor pritet t’i shkojë prokurorisë, ndërkohë që ai u krye pas pretendimit të familjarëve se dy viktimat ishin dhunuar barbarisht para se të vriteshin.

Share it :