Meta: Nga zero probleme me fqinjët, te zero transparencë për detin. Rama përgjegjësi i vetëm për bllokimin në 2018
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta që ndodhet në qeli si i burgosur politik, në një intervistë ekskluzive për SYRI.net ka folur për vizitën e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendas në Tiranë dhe çështjen e detit.
Sipas Metës, nga zero probleme me fqinjët, Edi Rama kaloi në zero transparencë për çështjen e detit.
Z. Meta, pas vizitës së Ministrit grek të Mbrojtjes, Z. Dendias, ju sërish bëtë përgjegjës Kryeministrin Rama jo vetëm si bllokues të zgjidhjes së kësaj çështje në vitin 2018, por edhe si zëdhënës i interesave të palës greke me deklaratën e 20 Tetorit 2020 për dërgimin e kësaj çështje në Hagë.
Ilir Meta: Për çështje kaq madhore jam i detyruar të flas dhe të veproj me përgjegjësi shtetërore dhe jo politike apo personale edhe këtu ku ndodhem.
E theksoj se Çështja e Detit nuk është as si çështja e zgjedhjeve në Himarë, të cilat përsëriten çdo 4 vite dhe as si çështja e pronave në Gjipe apo Himarë të cilat mund të riverifikohen në të ardhmen.
Është tronditëse të dëgjosh në emisionet televizive sinkrone të Kryeministrit Rama për Çështjen e Detit, të cilat janë në kushtet e papërgjegjshmërisë totale shtetërore në rastin më të mirë për të dhe në vend të flasë si Kryeministër i Shqipërisë, flet si avokat i palës tjetër.
Bllokimi i Marrëveshjes së Detit në vitin 2018 ka vetëm një emër dhe përgjegjës, që është vetëm Edi Rama. Asnjë aktor i brendshëm nuk mund ta bllokonte atë pasi të gjithë e pranuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u vu në lëvizje për këtë çështje pas ankesës së Edi Ramës dhe PS kundër Marrëveshjes të firmosur në 2009 midis Znj. Bakojanis dhe Z. Basha.
Po kështu, në 2018 asnjë faktor i tretë, e këtu dua të jem i drejtpërdrejtë, as Turqia nuk kishte interes ta bllokonte pasi nuk cënoheshin aspak interesat e saj si në rastin e 2009.
Dihet se më 13.3.2018 si President i Republikës, kam firmosur Autorizimin Nr. 733 në 19 Mars 2019 për Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, që të lëshonte plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin përkatës, sipas kritereve të Autorizimit presidencial që bazohej në Vendimin Nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë periudhës prill – qershor 2018 janë zhvilluar, për aq sa unë isha informuar 3 raunde zyrtare të negociatave.
Ndërkohë isha në dijeni të disa problemeve që nuk po menaxhoheshin si duhet nga grupi negociator i cili, pasi kishte ecur fillimisht shumë mirë, po haste në vështirësi nga pala greke, e cila e ndjente se po humbiste terren në negociata, deri sa kërkoi që ato të vazhdonin në nivel politik për çështjet e pazgjidhura.
Në 31 Maj u njoha zyrtarisht me një letër shqetësuese të firmosur në 30 Maj nga anëtari më me përvojë i negociatorëve tanë, i cili i drejtohej Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit për Europën e Punët e Jashtme, ku shprehte rezerva për ecurinë e negociatave në 14–15 Maj dhe në veçanti për reagimet e nxituara të kryetarit tonë të negociatorëve, i cili për çështjet kruciale që ngrinte pala greke nuk kërkonte kohë të konsultohej me anëtarët e tjerë të grupit negociator e madje as me Ministrin e Jashtëm, siç reagonte pala greke në raste të ngjashme.
Më pas u informova se ndaj këtij anëtari shumë të nderuar të grupit negociator, një njohës i së drejtës ndërkombëtare të nivelit më të lartë, ishte bërë një presion i jashtëzakonshëm, se përse kishte informuar edhe Presidentin e Republikës.
Në këto kushte u detyrova të takohesha me Kryeministrin Rama më 13 Qershor 2018 në Presidencë.
Duke i bërë të qartë se negociatorët nuk mund të shkonin përtej përgjegjësive të tyre që përcaktonte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke qenë i bindur se pala greke nuk ishte e detyruar të respektonte në mënyrë strikte vendimin e Gjykatës tonë Kushtetuese, si edhe faktin që ato kërkonin që për çështjet e pazgjidhura ende të negociohej bazuar në vullnetin politik, i kërkova të merrte vetë drejtimin e këtyre negociatave për të mos e humbur rastin që kishim, pasi një viti më vonë do ishin zgjedhjet parlamentare në Greqi, ku pritej fitorja e ‘Demokracisë së Re’.
E sigurova për mbështetjen time të plotë për zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë sa më të favorshme, meqenëse ishte bërë një punë goxha e mirë deri atëherë nga negociatorët tanë.
Përfshirja e tij politike ishte e domosdoshme, pasi ishte jo vetëm kreu i Qeverisë, por edhe i shumicës parlamentare pasi në çdo rast kjo marrëveshje do miratohej nga Kuvendi.
Ai ra plotësisht dakord me arsyetimin tim, po për muaj të tërë nuk paraqiti kërkesë për autorizim.
Ndaj u detyrova që në rrugë zyrtare, me shkresën 327/9 të protokolluar më 21 shtator 2018, t’i rikërkoja vijimin e negociatave nga vetë Kryeministri, siç ishim dakorduar më 13 qershor 2018.
Edhe për këtë kërkesë zero reagim.
Në 5 Tetor 2018 pres në takim zyrtar, Z. Dimitris Avramopulos, Komisionerin për Migrimin dhe Punët e Brendshme, si përfaqësues i lartë i Komisionit Europian, por edhe si një mik të shkëlqyer që nga koha kur ai ishte kryebashkiak i Athinës dhe unë Kryeministër.
Në fund të takimit zyrtar qëndruam vetëm për vetëm dhe Z. Avramopulos më pyet se pse unë po bllokoja negociatat për Detin me Greqinë pasi nuk duhej humbur kjo mundësi.
Por kur dëgjoi shpjegimet e mia shteruese, ai u habit se sa shumë ishte dizinformuar.
Unë i kërkova të siguronte Kryeministrim Tsipras dhe Qeverinë greke për vullnetin tim për ta përmbyllur marrëveshjen sa më parë.
Përpjekjet e mia institucionale vazhduan përsëri deri në shkresën Nr. 327/11, datë 20 Nëntor 2018 drejtuar direkt Kryeministrit Rama, ku i kërkoja vijimin e negociatave dhe që ai të sillte kërkesën për të marrë drejtimin e negociatave për mbylljen e tyre
Zero reagim përgjithmonë për më tepër që më pas u bë edhe Ministër i Jashtëm.
Por çudia më e madhe ishte deklarata e tij në 20.10.2020 me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Z. Dendias, se ishin dakordësuar të dy palët që të shkonin në Gjykatën e Hagës për këtë çështje.
Kjo deklaratë ishte shokuese, pasi kjo nuk ishte marrëveshje ndërqeveritare, por ndërshtetërore dhe e rëndësisë më të jashtëzakonshme.
Jo vetëm Kushtetuta, por sidomos vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese, i përcakton shumë qartë përgjegjësitë e çdo institucioni të palës shqiptare për një Marrëveshje si kjo duke përfshirë Parlamentin, Presidentin, Këshillin e Ministrave, Ministrin e Jashtëm, grupin negociator, etj.
Pra me kë u konsultua ky nga pala shqiptare për të bërë faktin e kryer?
Në bazë të cilit akt kushtetues, ligjor apo edhe administrativ?
Po kështu me kë u konsultua kur publikisht përshëndeti zgjerimin me 12 milje të shpallur nga pala greke?
Çfarë përfitonte Shqipëria nga kjo?
Ndërkohë ne që ishim më brendësi ishim të informuar se Qeveria e re greke donte të zeronte negociatat zyrtare të vitit 2018 dhe ishte ajo e interesuar për të shkuar në Gjykatën e Hagës.
A nuk ishte Rama dhe Qeveria e tij që kërkuan Autorizimin e Presidentit për negociatat me kërkesën nr. 2428 protokolluar në 13 shkurt 2018?
Përse duhej zhbërë ajo punë e madhe që ishte bërë dhe dakordësimet e arritura? Çfarë fitonte Shqipëria nga kjo?
‘Qershia mbi tortë’ ishte deklarata e Ministrit Dendias në 23 Maj 2022, kur u shpreh: ‘u ra dakord që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës Kryeministrit. Me sa duket Shqipëria do zgjedhë një President të ri brenda 2-3 muajve të ardhshëm.
Pra e gjithë kjo do jetë e realizueshme atëherë’.
Kjo deklaratë e Dendias dëshmon jo vetëm keqinformimin e tij pasi kurrë derimë 24 korrik 2022 nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për Autorizim nga Kryeministri Rama për Çështjen e Detit, por ajo dëshmon se deklarata e 20.10.2020 e Kryeministrit Rama se kishin rënë dakord për të shkuar në Hagë ishte antikushtetuese përveçse e papërgjegjshme pasi edhe për të shkuar në Hagë duhej autorizimi i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm konsultimi apo dakordësimi paraprak me të dhe Kuvendin.
Ndaj me pak fjalë mund të themi se kemi kaluar nga Rama në 2013, zero problem me fqinjët, në zero transparence për Detin.
As rekomandimet e ‘Omnis Strategy’ për Çështjen e Detit dhe pasojat e Hagës, për të cilat janë paguar 3 milion euro, nuk bëhen publike.
Pyetje: Pra ju akuzoni se Kryeministri e kishte mashtruar Z. Dendias, duke i thënë se ju kishte dërguar kërkesën për autorizim, por ju e kishit bllokuar?
Ilir Meta: Këtë me të drejtë e thoni ju, por unë për ta lehtësuar Z. Rama, mund të them se ai ndoshta e ka dërguar ‘gabimisht’ kërkesën për Autorizim në adresë të Presidencës së Greqisë dhe ata e kanë kthyer për moskompetencë mbrapsht, pasi unë jam larguar nga Presidenca më 22 korrik 2022.
Këto qëndrimet tuaja a mos ndikojnë negativisht në këtë çështje, por edhe marrëdhëniet me Greqinë?
Ilir Meta: Sinqeriteti, ndershmëria dhe transparenca nuk mund të cënojnë kurrë marrëdhëniet dhe partneritetin midis dy vendeve.
Marrëdhëniet e mia, jo vetëm me Greqinë por edhe me të gjithë fqinjët kanë qenë përherë shumë konstruktive dhe positive.
Mos harroni se nga 7 Presidentë, përfshirë edhe ish-Presidentin e ndjerë, Ramiz Alia, askush nuk e mori përgjegjësinë për t’i dhënë Fortlumturisë së ndjerë, Anastas Janullatos, shtetësinë shqiptare.
Jam i bindur se përveç sulmeve publike qe do t’i përjetonin në ndërgjegjen e tyre, ka rënduar një pyetje se mos kjo do të përdorej më pas që edhe pasuesi i tij të ishte përsëri grek dhe jo shqiptar.
Por unë e mora këtë përgjegjësi, pavarësisht nga ky shqetësim legjitim dhe koha provoi se ishte një vendim shumë i drejtë e madje edhe shumë i vonuar.
Kur mora këtë përgjegjësi, e mora vetë, sepse ishte përgjegjësi ekskluzive e Presidentit të Republikës.
Ndërsa Edi Rama kërkon pushtet pakufi dhe vetëm privilegje, por kurrë të marrë përgjegjësi (fajin e kanë të tjerët).
Pastaj për ‘arritjet’ e tij me fqinjët nuk ka nevojë të analizojmë sjelljet e çekuilibruara me Greqinë, por mjaftojnë skandalet e tij në marrëdhëniet me Kosovën apo ‘Ballkanin e Hapur’ e ndryshimin e kufijve.
Pra nga zero problem, në zero transparence dhe zero përgjegjësi.




