Merkel në Tiranë si mike e shqiptarëve, jo e 21 qershorit

Nga Basir Çollaku

Nga Basir ÇollakuKancelarja gjermane Angela Merkel është një vizitore e pazakontë, e rrallë dhe e fortmikpritur në Tiranë me 8 korrik 2015. Lidere e Evropës, shefja e ekzekutivit të Gjermanisë vjen në Shqipëri, duke konfirmuar ndihmën dhe mbështetjen e një vendi mik, që ka dëshmuar gjatë se ka qenë krah në ndihmën dhënë vendit tonë edhe atëherë kur ne nuk kemi ditur as mundur ta falënderojmë në masën dhe cilësinë e duhur. Kemi përfituar në ndihma ekonomike nga Gjermania, në investime gjermane, në vendimmarrje politike të Gjermanisë që na kanë dhënë një profil tjetër në gadishull e tashmë kemi prezencën e projektit “Merkel”, ku ne duhet të dimë të përfitojmë mundësinë e ofruar, duke tejkaluar pritshmëritë. Evropa e re është vizion i Kancelares dhe Gjermanisë prej vitesh, ku tani Ballkani ka vëmendjen e shtuar të Merkelit dhe fuqisë gjermane. Axhenda e ka dashur që Merkel të mbërrijë në Tiranë, në këtë korrik kur Shqipëria ka mbyllur një proces zgjedhor telasheshumë ende të pazyrtarizuar, por shumë të përfolur për standardet e lëna ndoshta sërish mënjanë. Ka një moment ku kujdesi na shtyn të marrim vëmendjen e Kancelares për dobinë, por njëherësh përpjekjen e mazhorancës, në përdorjen e fatit të vizitës, si një mbështetje qeverie dhe jo një kontrate kujdesi ndaj qytetarëve shqiptarë. Zonja Merkel do të jetë në Tiranë me 8 korrik, fill pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, ku qytetarët nuk kanë dalë më të fortë e më të lirë, ku frika e një përdorjeje të asaj që po ndodh nga katrahura kriminale të dielës së 21 qershorit është shenjë për t’u shqetësuar se në vendin tonë zonja Kancelare po lind një diktaturë demokratike, e instaluar djallëzisht nën petkun e votës, por vetë vota e di se ç’po heq ndër ne qytetarët shqiptarë. Ndaj vizita është njëherësh shpresë për qytetarët të cilët janë mikpritësit e parë të lideres evropiane me 8 korrik, të dytët janë politikanë e shtetarë, e shqetësimi I të parëve urojmë të marrë vëmendjen e zonjës mike.

Zonja Kancelare!

Në këtë tur strategjik rajonal për të paqtuar ballkanasit mes tyre, vatra plot mjegull politike, ekonomike, janë ndezur në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, me një stabilitet të cunguar ku garohet kush ta teprojë më shumë. Shqipëria ende nuk e ka zyrtarizuar rezultatin elektoral të zgjedhjeve vendore dhe raporti paraprak i OSCE-ODIHR flet për fakte tronditëse në raport me demokracinë. Nuk pati incidente është thjesh nuk pati vrasje me armë zjarri, por nuk u tërhoqën kriminelët dhe trafikantët nga gara, përjashtuar një rasti, ku kreu i PD-së, Lulzim Basha, tërhoqi kandidatin e Këlcyrës, Gentian Muhameti.

Në këto zgjedhje kandiduan kriminelë zonja Kancelare! Dhe disa prej tyre u bënë kryebashkiakë, mbase mund të jenë largqoftë shoqëruesit e Kryeministrit në takimet tuaja në Tiranë, sepse janë të zgjedhurit e tij. Dhe dyshimet, njëherësh edhe të dhënat e shqetësimet vijnë nga këta partnerë seriozë të Shqipërisë, nga SHBA dhe BE madje dhe nga vendi juaj. Me 26 prill ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndër të tjera theksonte: “Ndihemi mirë me listat, kanë më shumë gra. Kemi identifikuar disa emra me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar me udhëheqësit politikë. Nxisim gazetarët, shoqërinë civile dhe qytetarët të kërkojnë që politikanët të përmbushin standardet më të larta etike”. Z. Lu ishte i drejtpërdrejtë, njëherësh i shqetësuar për përmbajtjen e listave ku brendia fliste për njerëz me të shkuar kriminale dhe kryesisht krime të rënda të trafiqeve dhe vrasjeve. Dy ditë më vonë, duke dashur të bëjë një kujtesë të përsëritur, ambasadori amerikan Donald Lu thotë: “Të hënën kam thënë shumë për zgjedhjet vendore në Shqipëri, unë mendoj se është mjaft nga amerikanët sepse të huajt s’do t’i bëjnë këto zgjedhje të mira do të jetë shoqëria juaj civile që do të sigurojë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”. Në një linjë serioze pritej dhe reagimi i ambasadores së Delegacionit të BE-së, zonjës Vlahutin, e cila me 7 maj 2015 theksonte: “Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne jemi duke parë. Afati i fundit është 13 maji, edhe pas kësaj date ne do të flasim për atë që mendojmë. Deri me 13 maj ka kohë për t’i ndryshuar gjërat. Pas kësaj date në do të jemi shumë të qartë në mesazhin tonë”. Por, me sa duket, qartësia e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, është turbulluar disi gjatë rrugës në pritje të datës zgjedhore teksa pritej, sipas një interviste të saj, se pas 13 majit do të fliste për kandidatët e inkriminuar. Pas kësaj date ajo rekomandoi një këshillë teknike e komike bashkë, kur foli në një aktivitet duke sugjeruar se duhej të kërkonim në “Google” për kandidatët e të njiheshim më mirë me ta…???!!! Kryediplomati gjerman Hoffman ishte prezent në deklarimin e tij, në mesazhin parazgjedhor teksa thoshte ndër të tjera: “Zgjedhjet në një sistem demokratik janë shumë të rëndësishme, sepse qytetarët kanë kështu mundësinë të përcaktojnë se kush do të duhet të drejtojë fatet politike të vendit… Pikërisht në një vend, që është kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zgjedhjet vëzhgohen me vëmendje të veçantë në nivel ndërkombëtar, duke qenë se janë një test i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e për këtë arsye është tejet e rëndësishme që ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe ligjore…” Dhe ne këtë duam e shpresojmë, këtë përmbajtje të përcjellë në mesazhin e kryediplomatit gjerman në Tiranë. Por kemi mbetur plot pyetje të cilat nuk morën përgjigje nga zgjedhjet e 21 qershorit. A i plotësojnë kushtet të arrestuarit për trafiqe të jenë qytetarët e parë të qyteteve tona, të jenë partnerët e SHBA-së dhe BE-së në qeverisjen vendore tani pas zgjedhjeve??

Përse ende ambasadoret e vendeve të BE-së nuk kanë thënë thuajse asgjë rreth kësaj ngjarjeje tejet alarmante. Ambasadori gjerman sigurisht ka informuar Kancelaren Merkel se kush kërkon të bëhet pushtetar vendor në Shqipëri, fundja nuk janë aq shumë, vetëm 61 janë fituesit e mes tyre ka nga ata që mund e duhej të ishin në një përballje me drejtësinë, ndoshta në qelitë e burgut nëse ajo vendoste kështu. Ndërkohë, vetëm shumë pak ditë para zgjedhjeve rrjeti mediatik BIRN në një shkrim investigativ theksonte se “dy kandidatë që garojnë për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, të cilët kërkojnë postet e kryebashkiakëve në Krujë dhe Kavajë, kanë qenë të arrestuar për trafik droge, e gjithashtu i tillë po sipas reporterëve ishte edhe kandidati demokrat Gentian Muahameti, kandidat nga Partia Demokratike për Bashkinë Këlcyrë, Gentian Muhameti, është ndërkohë i dënuar për trafik droge”. Në një situatë të tillë kishte ndodhur vetëm një veprim konkret pas këtyre të dhënave që ndërkohë i kishin edhe partitë, falë shqetësimeve të partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë. Partia Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha, e tërhoqi Gentian Muhametin nga lista e saj e kandidatëve dhe Ambasada Amerikane u shpreh po atë ditë: “Duartrokasim veprimin e guximshëm të Partisë demokratike” dhe mbështesnin partitë të vijonin pastrimin e listave. Por ne kampin e majtë asgjë nuk lëvizte, madje Kryeministri Rama përsëriste bindshëm se në listat e partisë së tij dhe koalicionit të tij nuk kishte asnjë të inkriminuar. Madje, duke i dalë në mbrojtje kandidatit Ervis Roshi të Kavajës, tani kryebashkiak fitues, Rama tha se ai do të hidhte në gjyq këdo përfliste ndershmërinë e tij penale. Arroganca informative dhe kokëmëvetësia qeveritare nuk lejuan që listat majtas të kishin korrektime të tjera. Nuk themi për emra të tjerë, madje qeveria kishte akuzuar zyrtarisht në prokurori kryebashkiakët e saj jetëgjatë të Gjirokastrës Flamur Bime, të Fierit Baftjar Zeqo, atë të Vlorës Shpëtim Gjika duke e arrestuar atë për disa akuza, si dhe arrestoi para zgjedhjeve kryebashkiakun e djathtë të Kamzës, Xhelal Mziu, për të cilin ka një proces gjyqësor të pambaruar. Shpëtoi paq për vepra të ngjashme dhe më shumë se kolegët kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, që u rizgjodh nën bekimin e kujdesin e Kryeministrit Rama, ndonëse pak javë para zgjedhjeve u thirr nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive për disa sqarime ligjore. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u gjend në një numër të madh akuzash, ku bashkëshortja e tij Ajola Xoxa rezultonte avokate dhe e përfshirë në sipërmarrje që rezultojnë në hetim për pastrim parash. Sërish asgjë!!! Ujërat nuk u trazuan në sipërfaqe ndonëse nuk ishin të qeta në thellësi. Gjendur nga shpërfillja e pushtetit, ambasadori amerikan Donald Lu hoqi dorashkat diplomatike, duke komunikuar këtë herë shqiptarët, jo me politikën, jo me partitë, jo me pushtetarët, jo me zyrtarët. Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, më 19 qershor, ambasadori Donald Lu do të ishte më i drejtpërdrejtë dhe i ashpër si rrallëherë një diplomat. Lu në mesazhin e tij u thoshte shqiptarëve: “Vendosmëria e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime përbën një poshtërim të popullit shqiptar. Nëse do të zgjidhen, ata do të pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar mercedesët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë. Tani u takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë”. Kush i kishte vilat anës detit?? Ilir Meta, pushtetarë të tjerë??? Po rezidencat skandaloze?? Edi Rama në Surrel??? Dhe 21 qershori erdhi pa ndryshime të tjera, duke dështuar përpjekjet dashamirëse të ndërkombëtarëve në dobi të shqiptarëve. Kandidatët e inkriminuar hynë të dielën në mëngjes si kandidatë dhe u gdhinë të hënën e të martën si kryetarë bashkish në jo pak njësi territoriale. Vëzhguesit nisën nga raportet paraprake. Ata deklaruan se ishte shqetësuese blerja masive e votës, trysnia mbi votuesit, presioni mbi ta, përdorja e administratës. Raporti i vëzhguesve flet se “MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it ka marrë raportime për një sërë akuzash për ushtrim presioni mbi nëpunësit shtetëror, përfshirë disa kërkesa për të marrë pjesë në aktivitete zgjedhore dhe kërcënime për heqje nga puna, nëse nuk votojnë për një kandidat të caktuar. Keqpërdorimi i burimeve shtetërore si ndërtesat publike të cilat raportohet se janë përdorur për fushatën zgjedhore, por edhe mësuesit dyshohet të jenë përdorur për të promovuar kandidatë të caktuar. Personalitetet kryesore të Aleancës për Shqipërinë Evropiane kanë shpërndarë certifikata pronësie gjatë aktiviteteve të fushatës, çka është perceptuar nga disa si presion mbi zgjedhësit”. OSBE/ODIHR flasin për fakte të tilla tronditëse. Në dukje është një formalitet elektoral, por nuk ka pasur alternativë tjetër për votuesit të vënë përballë një mundësie të vetme, ose humbje të vendit të punës, pronës, e shumë të drejtave të tjera. Pati pretendime për shitje të votës tha, Stewart Dickson nga Kongresi e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës. “Çështja e blerjes së votës na u parashtrua nga partitë politike, përfshi kandidatët e pavarur përpara ditës së votimeve. Të dhënat e parashtruara ishin në formë akuzash. Nga ato çfarë vëzhguesit tanë panë ditën e votimit, në këto akuza do t’i marrim në konsideratë duke i vendosur përballë fakteve që pamë në terren”, – tha ai duke krijuar kështu dosjen e shitblerjes së votave, si një element minues të pavarësisë së zgjedhjeve, duke cenuar lirshmërinë e ndershmërinë e zgjedhjeve. Nuk u vonuan amerikanët në qëndrimin e tyre dhe Ambasada më 22 qershor reagoi përmes një deklarate lidhur me zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë. SHBA përgëzon qytetarët që kanë ushtruar të drejtën e votës, thekson: “Numërimi i votave vazhdon dhe u bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve. Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. Ne u bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera…” Dhe zgjedhjet zonja Kancelare Merkel, i fituan këta që nuk u tërhoqën nga kandidimi, duke mbjellë dukshëm pasiguri. Tani arsenali i pushtetit me fokus mediatik janë turrur mbi opozitën, mbi kreun e saj, Lulzim Bashën, sepse vetëm ai tërhoqi të inkriminuarin dhe nuk e lejoi të garonte në zgjedhje.

 

Ditë më parë ndodhi tragjedia e Lazaratit ku u vra oficeri i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha. Ngjarje e rëndë dhe krimi duhet ndëshkuar pa mëshirë. Por Lazarati tragjik elektoral po vret shqiptarët, ndaj Gjermania si shpresë dhe besim për ne, do të shtonte buxhetin e saj të vëmendjes për atë që ka ndodhur e po ndodh me qytetarët e saj. Për ata qytetarë që në masë në këto dy vite kanë braktisur Shqipërinë dhe kanë emigruar në Gjermani. Për Kancelaren Merkel, 8 korriku nuk është vetëm një udhëtim rajonal, strategjik, në rang global, nuk është datë me shenjë në histori për t’u përdorur nga mazhoranca si një mbështetje, duke mbuluar atë që ndodhi të dielën. Kjo është një mundësi miqësie për qytetarët shqiptarë, t’i thonë Kancelares që besimi i saj është për ta e jo për shtetarët kur ata nxitojnë në kahun e gabuar. Ne kemi shqetësim e frikë qytetare për demokracinë, ku “Freedom House” na rendit në vende me demokraci hibride. Ndaj, na shërben për ta riparë vizitën, për të thënë atë që nuk dublon ndikimin dhe të vërtetën. Ka pasur një ngjarje të mirë përtej të gjithash pas 21 qershorit. SHBA, nëpërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, Donald Lu, përgëzuan modelin e PD-së, kandidatin e saj doktor Halim Kosovën për fushatën që zhvilloi në garën për kryetar Bashkie në Tiranë, duke përcjellë mesazhin e një modeli fitues, së paku ajo që i shërben Tiranës, i shërben Shqipërisë. Ndaj, zonja Kancelare Merkel, 8 korriku është një axhendë për ju në Tiranë dhe për ne qytetarët një datë e mbarë për të na qetësuar se demokracia ka një garant mik, ka një mbikëqyrës shpresëdhënës përtej demokracisë hibride të prodhuar jo nga ne, por pushtetet. Si popull aksioner në paqen rajonale në duam të jemi kontribuues të saj pandërprerë, por nuk duam të jemi fasadë e fotos ku Rama dhe Vuçiç t’i buzëqeshin njëri-tjetrit, ndërsa qytetarët shqiptarë e serbë të heqin kusuret e pushteteve me kahje nga dhuna, sepse ironia e historisë na thotë që edhe Enveri me Titon i buzëqeshnin njëri-tjetrit, ndërsa ne jetonim në diktaturë. Bëni që kjo mos të rifillojë më 8 korrik, ku ka përpjekje pushteti në Tiranë për të na keqlexuar  ardhjen tuaj shpresëdhënëse, miqësore dhe fatndjellëse.

 

 

 

Share it :