Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka reaguar pas qëndrimit të Ministrisë së Jashtme, e cila mohoi ekzistencën e një mesazhi të atribuar ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku ishte përdorur një gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
MEPJ deklaroi se mesazhi ishte i sajuar, ndërkohë që Këlliçi ka publikuar disa foto ku shihet se ministri Hoxha ka fshirë mesazhin, pas publikimit të denoncimit.


Depueti e cilëson të papranueshme mënyrën se si, sipas tij, po tentohet të trajtohet çështja përmes fshirjes së mesazheve dhe mohimit të deklaratave.
“Ky incident i rëndë nuk mund të kalohet duke fshirë mesazhin dhe duke gënjyer përmes zëdhënësve për media,” u shpreh Këlliçi, duke shtuar se sipas tij gjurmët e komunikimit ekzistojnë ende në grupet diplomatike.
Sipas Këlliçit, përpjekjet për të mohuar ngjarjen nuk e zhbëjnë skandalin dhe nuk e zgjidhin situatën e krijuar. Sipas tij e vetmja zgjidhje është dorëheqja e menjëhershme e ministrit.
“Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke genjyer me zëdhënës për media. Gjurmët e tua janë aty, tek grupi “Ambasadorët”.
Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin. Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim.
Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë. Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne”,- shkruan Këlliçi në fb.




